Rregulloret e reja, Dritan Ylli: Çdo punonjës të ketë akses të shërbimit mjekësor në vendin e tij të punës

594
Sigal

Inspektoriati Punës
takim informues me përfaqësues të sipërmarrjes private, për rregulloret e reja
të pranisë së mjekut në ndërmarrje

Drejtori Inspektoriatit
Dritan Ylli: Cdo punonjës të ketë akses të shërbimit mjekësor në vendin e tij të
punës. Me rregulloret e reja, çdo subjekt pavarësisht numrit të punëmarrësve
duhet të paiset me shërbim mjekësor

Dritan Ylli: Shërbimi
mjekësor të jetë real, jo fiktiv.Masa të ashpra për ato ndërmarrje që do gjenden
pa shërbim mjekësor për punonjësit

 

Duke u nisur nga kërkesat
e shumta të ardhura nga biznese të ndryshme në lidhje me rregulloret e reja në
lidhje me paisjen me  mjek ndërmarrje, si
dhe mënyrës së funksionimit të shërbimit mjekësor në punë, Inspektoriati i Punës
zhvilloi sot një takim informues për këtë qëllim. Në këtë takim merrnin pjesë
drejtues të organizatave të punëdhënësve, përfaqësues nga sindikatat, sikurse
dhe pjesëmarrës nga sipërmarrjet private, kompanitë ndër punëdhënësit më të mëdhenj
të vendit tonë.

Ky takim u zhvillua në
formë bashkëbisedimi për detajet që përmbajnë rregulloret e reja të pranisë së
mjekut në ndërmarrje, që në fakt janë dhe faza përmbyllëse e ligjit të sigurisë
dhe shëndetit në punë.

Gjatë fjalës së tij në
këtë takim informues, Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit të Punës,
z.Dritan Ylli theksoi se “ është shumë e rëndësishme që cdo punonjës të ketë akses
të shërbimit mjekësor në vëndin e tij të punës. Tashmë me rregulloret e reja,
çdo subjekt pavarësisht numrit të punëmarrësve duhet të paiset me shërbim
mjekësor me kohë të plotë, të pjesshme ose ndërsubjektor”, theksoi kreu i
Inspektoriatit të Punës.

Duke vijuar sqarimin,
z.Ylli u shpreh se “për grupet A dhe B të subjekteve të cilat janë klasifikuar
si aktivitete që paraqesin risk të lartë për sigurinë dhe shëndetin në punë,
për çdo 700 punëmarrës duhet të sigurojnë shërbimin mjekësor në ndërmarrje me
kohë të plotë, ndërsa po për këtë grup subjektesh, kur kanë një numër më të
vogël punëmarrësish mjeku i ndërmarrjes mund të punojë me kohë jo të plotë,
kurse për grupet C dhe D të subjekteve të cilat nuk janë klasifikuar si
aktivitete me risk për sigurinë dhe shëndetin në punë, për çdo 1500 punëmarrës,
sigurojnë shërbimin mjekësor në ndërmarrje nëpërmjet mjekut të punës me kohë të
pjesshme ose ndërsubjektor.Gjithashtu ka ndryshuar dhe periudha kohore e
ekzaminimeve periodike, e cila  do të kryhet
minimalisht një ose dy herë në vit, në varësi të llojit të aktivitetit dhe
numrit të punëmarrësve në një subjekt.

Mjeku i ndërmarrjes jo
vetëm që është një detyrim ligjor për çdo subjekt, por është një element i
domosdoshëm pasi përveç kontrollit shëndetësor të punëmarrësve, mjeku bën
përshtatshmërinë e vendeve të punës me punëmarrësit që e kryejnë atë, merr
pjesë në kryerjen e Dokumentit të Vlerësimit të Riskut si dhe mund të jetë
anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Nga viti në vit numri i
subjekteve me shërbim mjekësor është rritur, ku për 9-mujorin 2015 kemi 897 subjekte
me mjek ndërmarrje, ndërsa për 9-mujorin 2016 kemi 1123 subjekte me shërbim
mjekësor, pra kemi një rritje me  rreth
15%. Gjithashtu për vitin 2016 janë sanksionuar dy subjekte për mospaisjen me
mjek ndërmarrje dhe në inspektimet e para në disa subjekte është lënë detyrë
shërbimi mjekësor në ndërmarrje.Vlen të theksoj se Inspektorati i Punës në
kontrollet e vazhdueshme të tij do të kërkoj me rigorozitet jo vetëm
domosdoshmërinë e shërbimit mjekësor në ndërmarrje, por edhe që ky shërbim të
mos jetë fiktiv, por të kryhet sa më saktë dhe me efikasitet në zbatim të
legjislacionit në fuqi.

Problematika që hasim
sot janë evidentimi dhe deklarimi real i sëmundjeve profesionale. Numri i
sëmundjeve profesionale për 9-mujorin 2016 është 300, krahasuar me të njëjtën
periudhë të 2015 ku ky numër ishte 957, pra kemi ulje të numrit të punëmarrëve
me sëmundje profesionale, kjo si pasojë e kontrollit
të vazhdueshëm dhe insistues nga Inspektorati i Punës në drejtim të marrjes së
masave kolektive dhe individuale të mbrojtjes, si dhe rritjes së numrit të subjekteve
të cilat mbulohen me shërbim mjekësor, por
theksojmë me shqetësim të madh se ky numër është
deklaruar nga mjekët e ndërmarrjeve, pra janë raste të dyshuara, por jo të
vërtetuara nga mjeku specialist i sëmundjeve profesionale, pasi kabinetet e sëmundjeve
profesionale si dhe mjekë të tyre sot nuk ekzistojnë si dhe këto raste nuk janë
të shoqëruara me fletë-deklarimin tip të sëmundjeve profesionale i dalë nga
Ministria e Shëndetësisë, që vërteton këtë sëmundje të shkaktuar nga puna ose
jo”.