Rregullat e ekonomisë dhe Tërbaçi

1330
Bexhet RRAPO 

Tërbaçi dhe ekonomia e tregut
Tërbaçi, ky fshat me tradita të mëdha patriotike është i njohur edhe për ato ekonomike. Banorët e këtyre trojeve që iu kishin siguruar të parët e tyre bënë dhe zgjidhjet ekonomike për jetën me format, mundësitë dhe aftësitë e tyre, duke shfrytëzuar terrenin e relievin ku janë vendosur. Ata vazhdimisht janë mbështetur tek kujdesi për zhvillimin e blegtorisë. Me të ardhurat që siguronin nga kjo degë e ekonomisë, plotësonin dhe nevojat për drithëra e kërkesa të tjera për jetesë. Tërbeçët kanë arritur të mbarështojnë deri 22000 krerë të imëta. Natyrisht kjo dhe në saje të shtegtimit në kullota të tjera, si brenda Vlorës dhe jashtë saj. Kjo flet për karakterin, vullnetin, sakrificën e dashurinë për punën e në veçanti blegtorinë. Me ndryshimin e kohërave, pse jo dhe të sistemeve, ata janë përshtatur dhe kanë punuar për të zhvilluar ekonominë e tyre dhe në kushte të reja. Kështu ishte dhe me kolektivizimin e bërë më 1956 që i bashkoi të gjitha ekonomitë individuale ne një, që u quajt kooperativë. Ata punuan në këtë ekonomi, e zhvilluan dhe përfituan nga ajo, e rritën ekonominë e nivelin e jetesës. Por erdhi një moment që ky organizim nuk po i plotësonte kërkesat në rritje të vazhdueshme në përputhje me nivelin e kohës. Si e tillë ajo u la mbrapa. Koha e shoqëria do të orientonte një ekonomi tjetër që afronte me atë para kolektivizimit. Një ekonomi tregu të kapitalit privat. Në këtë shoqëri nuk frenohej iniciativa individuale e gjithsecilit. Për këto arsye, kjo u përqafua edhe në Tërbaç, duke shpërndarë ekonominë kolektive. Mbas shpërndarjes së ekonomisë së përbashkët kooperativiste gjithë anëtarët e saj u bënë pronarë me tokë e blegtori. Kështu ata filluan të ndërtonin jetën në mbështetje të kushteve te reja që krijoi dhe vetë ndryshimi i sistemit. Fshatari në vitet 1992, krahas bërjes pronar iu krijua mundësia e lëvizjes së lirë, ku ta shikonte të arsyeshme që mund të siguronte më shumë të ardhura për familjen e tij. Një nga këto mundësi ishte dhe emigrimi në shtete më të zhvilluar. Lëvizjet e para dhe më të shumta si gjithë shqiptarët dhe tërbeçët do t’i bënin në Itali e Greqi. Megjithëse kufijtë quheshin të hapur, lëvizja dhe kalimi i tyre nuk do ishte shumë i lehtë. Të rinjtë që ishin dhe nga të parët në emigrim do t’u duhej të kalonin maleve me dëborë apo kalimin e lumenjve në palcën e dimrit. Por më i vështirë do të bëhej strehimi e sistemimi në punë. Me ndërhyrjen dhe të qeverive respektive ky problem dalëngadalë do të merrte zgjidhje, duke u dhënë dhe leje qëndrimi. Kjo do mundësonte me mirë lëvizjen për sigurim pune, por dhe ardhjen ne atdhe pranë familjeve. Në sajë të punës së tyre, të rinjtë tërbaçiotë që emigruan, filluan të sigurojnë të ardhura që mbanin dhe familjet që kishin lënë pas. Atyre që u krijua më shumë mundësia për punësim, morën me vete edhe familjet. Emigrimi do të ishte mundësia e parë dhe më e mirë për sigurim të ardhurash nga tërbaciotët, e cila do të bënte të rritej niveli ekonomik i familjeve. Kjo do të krijonte mundësi edhe për investime; si në mobilim të ambienteve të shtëpive dhe deri në ndërtim apo rindërtim të tyre. Por të ardhurat nga emigrimi do të jene dhe mundësia e burimi i parë për zhvillimin e mëtejshëm të pronës dhe ekonomisë përfituar nga shpërndarja e kooperativave. Mbas disa viteve punë në emigrim do të fillonte rikthimi në atdhe. Investimet e para të tyre do t’i shikojmë në Tërbaç, por nuk do të mungojnë edhe investimet në qytete e, kryesisht në Vlorë, si në ndërtim, blerje shtëpish, hapje biznesesh etj. 

Le të shikojmë si është zhvilluar prona e marrë nga kooperativa mbas vitit 1992, si me të ardhurat e siguruara nga emigracioni, por dhe të ardhurat e siguruara nga puna e në Tërbaç. Në përgjithësi të gjithë ata që vendosën të qëndrojnë në Tërbaç kanë zhvilluar e kanë shfrytëzuar pronën e tyre. Të gjitha familjet që banojnë ne Tërbaç disponojnë minimalisht deri në 10 apo 20 krerë të imëta si dhe një lopë me të cilat sigurojnë një jetesë normale. Nga informacionet e siguruara për vitin 2016 do të rezultonte se kemi rreth 30 familje që kanë zhvilluar një ekonomi mbi nivelin mesatar. Sektori i zhvilluar më shumë do të jetë ai i blegtorisë. Pra, kanë vazhduar traditën e të parëve. Nga të parët që do të zhvillojë blegtorinë do të jetë Maze Gaçe, një çoban i dalluar e i pasionuar që në kohen e kooperativës. Ai do të krijonte një kope prej 500 deri 600 krerë të imëta me të cilat do të shtegtonte deri në Dukat. Përveç Mazes, do të ketë dhe disa të tjerë që me pasion do të zhvillojnë ekonominë e tyre për rritjen e bagëtive të imta por më shumë dhinë. Si Sulejmën e Adnant Barjami, Luan e Naim Gjondeda, Ritvan Shiroku, Veledin Abazi, Kastriot Gjokaj, Jano Jahaj, të cilët mbajnë nga 200, 300 dhe 400 krerë. Kurse delen më shume e kanë mbarështuar Alush Memeti 200 krerë, Fatmir Abazi 150 krerë, Gjysho Kapo, Kastriot Kapo, Zaim Dauti e Busho Bojko mbi 130 krerë, Shkëlqim Xhaka, Elham Abili e Fuat Beqiri nga 100 krerë. Siç shihet vetëm nga 16 familje mbahen 1710 krerë dhi dhe 1400 dele. Sipas rregjistrimit të vitit 2016 në Tërbaç banojnë rreth 120 familje. Nga një llogaritje me një numër mesatar të mbajtjes së gjësë së gjallë rezulton se në Tërbaç mbahen rreth 5000 krerë, pra rreth 3000 krerë më pakë se në kohën e kooperativës. Në këtë ulje ndikon dhe zvogëlimi në mënyrë të ndjeshme i familjeve në krahasim me vitin 1992. Kështu në vitin 1992 u shpërnda pronë toke e blegtori për 243 familje. Si shihet kemi një ulje të numrit të familjeve rreth 50 për qind. Këto janë larguar për në qytet apo në emigrim. Po të bëjmë një përllogaritje mesatare me familjet që banojnë në Terbaç me blegtorinë që mbarështohet rezulton një mesatare mbi 40 krerë për familje, një tregues ky jo i keq. Dhe mbarështimi blegtorisë nga 10 -15 familje mbi 300 -350 krerë secila është një tregues i mirë. I urojmë t’i shtojnë sa më shumë. Nga vetë natyra e blegtorisë ato kanë vështirësi në zhvillimin e tyre, por kur bëhet fjalë për në Tërbaç, një fshat malor me klimë të egër në dimër, shtohen vështirësitë. Prandaj del e nevojshme dhe mbështetja e stimulimi nga shteti për këto zona në përgjithësi. Përveç blegtorisë së imët, në Tërbaç zhvillim ka pasur dhe rritja e lopës, në vazhdimësi por jo në përmasat e të imëtave. Mbas vitit 1992 me kalimin në ekonomi private do t’i kushtohet një rëndësi më e madhe mbarështimit të saj. Sot po thuaj se shumica e familjeve e ka një lopë, gjë që u sigurojnë bulmet në një periudhë më të gjatë kohe. Vlen të theksohet zhvillimi me numër më të madh të lopëve nga Artan Gjoka, i cili mbarështon 120 krerë. Për kushte më të mira ai i mban në Palasë të Himarës. Ky numër lopësh është në përmasat e një ferme, që nuk është mbajtur as në kohën e kooperativës. I urojmë suksese e mbarësi këtij djali punëtor e i guximshëm! Zhvillim do të kenë dhe bimët e arave, por jo si në kohën e kooperativës që zhvilloheshin më shumë drithërat e bukës. Kjo mbasi tani kanë ndryshuar kërkesat, drithërat nuk janë prioritare, se sigurohen në burime të tjera. Por përveç kësaj një arsye tjetër është se me shpërbërjen e kooperativave, pati dëmtime dhe të infrastrukturës vaditëse, si kanalizimet dhe pompat e ujit, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e drithërave. Nga kulturat bujqësore që do të zhvillohen me shumë janë kulturat ushqimore për blegtorinë e sidomos për lopën, por dhe kulturat e zarzavateve e perimeve, në mënyrë të veçantë, vreshtaria. Kjo, vreshtaria filloi të kultivohet në masë te gjerë dhe në tokat e bukës, mbasi produkti saj ishte më i kërkuar. Më shumë me vreshtarinë do të merreshin. Xhelo Jaho, Guri Matushi, Shyqyri Miftari që kanë mbjellë nga 4 dynym, kurse Adriatik Memeti dy dynym. Duhet theksuar se me këtë kulturë merren pothuajse të gjitha familjet, por me përmasa më të vogla. Përfitimet janë relativisht të mira, merret një rendiment prej 15-20 kv rrush për dynym, me një përfitim vjetor 150.000 lekë dynymi, kryesisht shkon për konsum familjar. Në Tërbaç do të fillojë të kultivohet dhe një kulturë relativisht e re por dhe e lashtë ajo e lajthisë një nga frutat e thata më të kërkuara sot. Në kohët e lashta kjo kulturë është zhvilluar në vendin e quajtur Vreshqira, por humbi si kulturë. Para dy vitesh i riu Bledar Salati, investoi duke mbjellë 500 rrënjë. Por ky vend nuk është njohur vetëm për Lajthi, aty janë zhvilluar dhe kultura të tjera me perime e zarzavate që në lashtësi. Në këtë zonë ka banuar dhe banon fisi Salatajve që thuhet, se ka kultivuar sallatën shumë herët, nga kjo mendohet se kanë marrë dhe emrin Salataj. I urojmë suksese Bledarit me këtë kulturë në Tërbaç, le t’i sjellë sa më shumë të ardhura. Bimët medicinale janë një kulturë tjetër me të cilën po merren tërbeçët. Kjo kulturë nuk kultivohen, ajo zhvillohet vetë në natyrë. Për grumbullimin e përpunimin pjesor të saj merren disa familje, të cilat e kanë si burim jetese. Bimët që po grumbullohen më shumë janë dafina, rigoni, çaji, sherebeli, xhiroku, lule shtogu etj. Më shumë me këtë kulturë po merren Jano Baçoj, Merushane Hoxhaj, Teuta Rrapo, Mevlan Dervishi si dhe Jonuz Rrapo, i cili është edhe grumbullues i përgjithshëm i kësaj kulture. Në Tërbaç nuk po merren vetëm me bujqësinë apo blegtorinë, ata në kushtet e ekonomisë së tregut po zhvillojnë dhe aktivitete të tjera, si tregti por edhe ndërtim. Kështu vëllezërit Gacaj me admistrator Rasimin, kanë hapur një aktivitet tregtar të gjithanshëm nga më kryesorët me karburante, materiale ndërtimi etj. Me punën e tij të suksesshme Rasimi u vjen në ndihmë me artikujt e nevojshëm, jo vetëm bashkëfshatarëve të tij, por dhe më gjerë, fshatrave të krahinës së Mesaplikut. Maksim Mehmeti ka ndërtuar një objekt shërbimi bar-kafe dhe restorant në hyrje të fshatit, një vend me vlera historike dhe piktoreske. Ai këtu tregton dhe mishin e pjekur nga blegtoria e tij dhe e bashkëfshatarëve, natyrisht ai është me shumë shije se rritet në atë vend me bimësi të pastër. Ndërtimi është sektori që po punojnë më shumë tërbaçiotët si në fshat, zonën përreth dhe emigrim. Ata e perfeksionuan më shumë profesionin e ndërtuesit në emigracion. Një nga këta është dhe Amdi Rrapo, i cili ka hapur firmë dhe kryen punime për bashkëfshatarët dhe më gjerë. Kohët e fundit ai ka kryer punimet për rindërtimin e kanalit vaditës nga Vranishti në Tërbaç, investim ky i bashkisë Himarë. Në Tërbaç përfitojnë rreth 15 ha tokë. Me këtë aktivitet po merren dhe specialistë të tjerë por jo me firmë ndërtimi. Ata po merren me rregullim ambientesh shtëpish, si shtrim me pllaka, ndërtim tavane druri, dysheme etj. Me këtë profesion merren, Foto e Bledar Salati, Rremzi e Sadik Rrapo, Bujar Cane etj. Mbas viteve 1992 do të specializohen më mirë ne punimin e gurit Sami Çela, Viktor Nanaj e Boko Xhaka. Kurse në punim druri Fatos Gjini e Nadir Canaj. Këta djem vazhdojnë të punojnë në Greqi dhe merren me rikuperimin e mobilieve antike duke i tregtuar ato, aktivitet në të cilin janë shumë të suksesshëm, gjithashtu Everest Matushi është bërë një mobilier i mirë. Ai tani punon ne Gjermani. Një aktivitet tjetër i ekonomisë së tregut do të ishte edhe ai i transportit të udhëtarëve ,i cili para viteve 1992 mbulohesh nga shteti. Nga vetë pozicioni gjeografik Tërbaçi është pak i shmangur nga rruga kryesore. Për t’u ardhur në ndihmë bashkëfshatarëve të tyre do të angazhohen disa djem, të cilët duke siguruar mjete transporti me të ardhurat e tyre, natyrisht nga emigracioni, morën përsipër këtë linjë. Natyrisht ky është në radhë të parë një biznes familjar, por ka qenë dhe një zgjidhje e mirë për banorët, mbasi këto mjete do të kryenin dhe funksionin e ambulancave në rast emergjencash, shërbim që ishte ndërprerë nga shteti. Me këtë aktivitet janë marrë e disa vazhdojnë të merren, si Përparim Gjini, Hysen Skëndaj, Arben Kica, Artan Memeti, Klodian Hoxha e Gentian Xhaka. 

Këto ishin disa nga aktivitetet që janë marrë e merren tërbaçiotët kryesisht me banim në Tërbaç. Por Tërbaçi është një fshat i madh me një shpërndarje në të gjithë Shqipërinë, madje dhe jashtë saj. Nga regjistrimi që kemi bërë si shoqatë në vitin 2015 rezulton se në 22 qytete të Shqipërisë banojnë rreth 3000 familje, të larguara nga Tërbaçi para 1945-s por më shumë mbas l945-s si dhe mbas proceseve demokratike të viteve 92`. Kështu në vitin 1992 në Tërbaç banonin mbi 250 familje kurse sot në vitin 2017 janë rreth 120, nga këto disa janë pleq, pensionistë. Pra, si shihet zhvendosja mbas ’92-shit është e madhe, që ka arsyet e saj, të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi. Këto familje të vendosura prej vitesh në qytete kanë zhvillimet e tyre ekonomike, arsimore e kulturore, ato do t’u përshtaten dhe proceseve demokratike si gjithë familjet shqiptare mbas viteve `90 .Nuk janë të pakta ato që do të hapin biznese e aktivitete private, të cilat arrijnë në mbi 60 familje. Nga më të suksesshmet, mund të veçojmë familjen Çelaj si Dritani, Rrapo, Dallandyshe e Flamuri. Dritani e Rrapo mbajnë dhe titull shkencor atë të “Doktor shkencash”, kurse Flamur Çela ka qenë Deputet i Kuvendit popullor. Për t’u theksuar është se si bij të Tërbaçit me bizneset e tyre kanë kontribuar për fshatin me investime në rrugë të brendshme e ujësjellës, por kanë qenë edhe një mbështetje e madhe për punësimin e tërbaciotëve në bizneset e tyre. Firma “Riviera” e Dritan Çelës është e njohur dhe për investimet në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë. Familja Malaj, me përfaqësues Hasan e Flora Malaj janë një biznes tjetër tërbaçiot i suksesshëm në fushën e ndërtimit. Janë shumë të njohura ndërtimet e tyre te vendi pranë ish- “Orizit” në Vlorë ose ndryshe “Conadi” si dhe kohët e fundit në afërsi të “Ujit të ftohtë”. Hasani përveç kontributeve financiare në shumë drejtime për fshatin, është dhe një mbështetës aktiv në çështjet organizative të fshatit. Ai ka kontribuar në rrugë, por dhe me sponsorizimin e aktiviteteve kulturore e historike. Një biznes tjetër i suksesshëm po në fushën e ndërtimeve është dhe familja Feti e Nazmije Liçaj dhe këta kanë mbështetur shumë tërbaçiotët me punësime në biznesin e tyre. Elton Sulejmën Barjami është një djalë i ri që aktivitetin e ndërtuesit e ka filluar e zhvilluar si emigrant në Itali, por dhe në Shqipëri duke punuar kryesisht me shtrim pllakash. Në saje të suksesit të tij ai ka arritur të hapë një firmë ndërtimi dhe merret me ndërtim pallatesh. Natyrisht si tërbaçiot, punimet do t’i bëjë me specialist tërbaças. E veçanta e këtij djali është se ai po investon dhe në Tërbaç në truallin e gjyshit në një vend mjaft piktorest. Ai bashkë me Bledar Salatin do të rihapin dhe një rrugë të brendshme që u shërben shumë gjithë banorëve. Si e thamë dhe më lart janë mbi 60 familje që zhvillojnë biznese të ndryshme të mëdha, mesme e të vogla familjare që janë burim punësimi për vete por dhe për të tjerë. Ne trajtuam disa nga këta më me shumë aktivitet, por ka dhe të tjerë me biznese më të vogla si; Perlat Xhaka, Petrit Berdaj, Gjergji e Sokol Salataj, Fatos Jahaj, Sokol e Dritan Hoxhaj, Eqerem Memushi, Jetëmira Veraj, Dallandyshe Çelaj–Hoxhaj, Përparim Gjini, Dilaver Haskaj, Lefter Rrokaj, Pellumb Cacaj, Veli Dervishi e Buletin Skendaj etj, ju urojmë suksese në bizneset e tyre. Në këtë shkrim menduam të trajtojmë se si Tërbaçi, si gjithë populli shqiptar, mbas viteve `90 përkrahu ndryshimet demokratike e, në veçanti kalimin në ekonominë e tregut. Premtimi ishte shumë i madh nga politika për arritje të mëdha në zhvillimin ekonomik e rritjen e mirëqenies. Por kontributi e angazhimi saj ka qenë minimal, për të lehtësuar pasojat që vijnë nga ndryshimi sistemeve. Siç u nënvizua dhe më lart zgjidhjet janë bërë nga vetë banorët. Më kryesorja ka qenë ajo e emigrimit apo dhe vetëpunësimi me sakrifica të mëdha. Po ta shikojmë dhe me zona të tjera, kjo e lumit të Vlorës ka qenë më pak e mbështetura, si në sistemin vaditës dhe infrastrukturën rrugore. Fillimi i rindërtimit të rrugës, së kësaj zone, ajo Vlorë –Kuç- Qeparo dhe me parametra mjaft të mirë nga Qeveria Rama, është një dritë jeshile për shpresa zhvillimi e mbështetjeje. Pse jo dhe për inkurajimin e investimeve nga biznesmenë të zonës e më gjerë.
Kryetar i Shoqatës A. K. Tërbaçi
Sigal