Rregulla të reja për të udhëtuar në zonën “Shengen”

3111
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, urdhëron pikat kufitare për forcimin e kontrollit. Ja për çfarë do të pyeten qytetarët
Policia e Shtetit do të forcojë masat për lëvizjen e shqiptarëve në shtetet e zonës “Shengen”. Ndonëse shqiptarët mund të lëvizin pa vizë në vendet e zonës “Shengen”, sërish ata duhet të plotësojnë disa kritere, ndërsa do të shtohen edhe kontrollet e pyetjet në pikat kufitare. Sipas një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, do të forcohet kontrolli i shtetasve që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet “Shengen”. Urdhri i Çakos ka dalë pas disa shqetësimeve nga vendet të Bashkimit Evropian lidhur me shtimin e azilkërkuesve nga Shqipëria. Së fundmi, Franca dhe Luksemburgu shprehën hapur qëndrimin e tyre, duke kërkuar një kontroll më të rreptë nga policia shqiptare dhe goditjen e grupeve të trafikimit të njerëzve. Kryepolici pranon se fenomeni i azilkërkimit mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

Urdhri 
Urdhri i kryepolicit mban datën 1 gusht 2017 dhe përmban 14 kërkesa që duhet të zbatohen nga të gjithë punonjësit e drejtorisë së kufirit që kanë në kompetencë për të kontrolluar daljet e shtetasve shqiptarë jashtë territorit. “Në dalje të kufirit shtetëror të forcohet kontrolli i shtetasve që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet Shengen/BE-së, duke kryer verifikime dhe intervistime të detajuara si: adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do shkojë; ftesa e pritësit në vendin e destinacionit (të përmbajë kontaktet e pritësit); biletë rezervimi për kthimin, si dhe mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit”, shkruan Çako. Sipas tij, të gjithë shtetasit e kthyer pas datës 1 janar 2016 për shkak të ndalimit të hyrjes në zonën “Shengen”, nuk do të lejohen të kalojnë kufirin shtetëror drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pa pasur një dokument që vërteton se nuk ka ndalim hyrjeje në ato vende. Në rastet e refuzimit të daljes së shtetasve shqiptarë, policia urdhërohet të zbatojë procedurën standarde të refuzimit të daljes, duke bërë regjistrimin në sistemin TIMS, në modulin e “Të dyshuarve” dhe shënimet përkatëse në aktin e refuzimit sipas motiveve. 

Agjencitë turistike
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, u ka kërkuar vartësve të forcojnë kontrollin në kufi edhe ndaj operatorëve turistikë, si linja autobusësh e zyrash turistike. Edhe grupet e familjarëve do të jenë gjithashtu në fokusin e uniformave blu në kufi. Sipas Çakos, synohet parandalimi i rasteve të abuzimit me liberalizimin e vizave dhe goditja e organizatorëve të këtyre udhëtimeve drejt vendeve “Shengen” dhe të BE-së. “Të bashkëpunohet me strukturat vendore të DVP dhe komisariatet për shkëmbimin e informacionit, nëse ka persona që kanë tendencën e organizimit dhe lëvizjes së shtetasve shqiptarë drejt vendeve të BE-së, me qëllim kërkimi të azilit apo vendosjes në qendrën e përkujdesjes sociale të të miturve në këto vende”, shkruhet në urdhër. Gjithashtu, policia do të bashkëpunojë me oficerët e kontaktit të vendet e BE-së për verifikimin, shkëmbimin e informacionit dhe trajtimin e rasteve të kalimit të kufirit nga shtetasit e dyshuar për kërkim azili në vendet e BE-së. 

Pyetjet në kufi:
1 – Adresa e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit
2 – Ftesa e pritësit në vendin e destinacionit (të përmbajë kontaktet e pritësit)
3 – Biletë rezervimi për kthimin
4 – Mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit
Ikja e shqiptarëve, alarmi nga BE
Shtimi i numrit të kërkesave të shqiptarëve për të fituar azil në shtetin francez kanë vënë në alarm Ministrinë e Brendshme të Francës, e cila drejtohet nga Gerard Collomb. Shqetësimet për rritjen lartë me 75% të azilkërkuesve në Francë, ministri i Brendshëm Collomb ia ka shprehur Kryeministrit Edi Rama, me të cilin ka zhvilluar një bisedë telefonike. Po ashtu dhe këtë çështje ai e ka diskutuar kokë më kokë pak javë më parë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Shteti francez ka kërkuar që të merren masa për të frenuar kërkesat e shumta të shqiptarëve për të përfituar statusin e refugjatit. Ministri i Brendshëm Collomb ka bërë të qartë se shqiptarët nuk mund të jenë përfitues të statusit të azilit, pasi Shqipëria është klasifikuar si vend i sigurt i origjinës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Franceze, 7432 shqiptarë kanë kërkuar të fitojnë statusin e refugjatit vetëm në vitin 2016. Ndërkohë që ministri i Brendshëm, Gerard Collomb, ka thënë për AFP-në se në vitin 2017 këto kërkesa sa vijnë dhe dyfishohen.

Ministria e Brendshme Franceze ka publikuar një njoftim pas takimit me Ditmir Bushatin, i cili shoqërohej nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Ministrat kanë rënë dakord se numri i qytetarëve shqiptarë, të cilët kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin për në territorin francez, ku nuk mungojnë dhe të mitur të pashoqëruar është rritur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. Pjesa më e madhe e kapaciteteve pritëse për emigrantët në Francë sot për sot është e zënë nga shtetas shqiptarë, të cilët kërkojnë të përfitojnë statusin e refugjatit, por pjesa më e madhe e tyre nuk mund ta fitojnë këtë status të azilkërkuesit dhe nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Brendshme Franceze. Në takimin me ministrin e Brendshëm, zyrtarët e lartë kanë prezantuar një plan aksioni, i cili parashikon forcimin e kufijve, kontrollin e nisjeve në Francë dhe në vendet e tjera të Europës, në mënyrë që të luftohet emigrimi i paligjshëm, i cili synon të përfitojë padrejtësisht statusin e refugjatit. “Ministri Gerard Collomb pranoi impenjimin e Kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama dhe Qeverisë së tij për të reaguar me vendosmëri për të përballuar problemet e azilkërkuesve, për të garantuar rezultate brenda tre muajsh”, thekson njoftimi për shtyp i Ministrisë së Brendshme. Gjatë takimit është vendosur që pas tre muajsh në Shqipëri do të zhvillohet një takim ku do të bëhet vlerësimi dhe analizimi i masave që ka marrë shtetit shqiptar për të reduktuar numrin a azilantëve në Francë.
Sigal