Rregulla të reja: Asnjë karburant më afër se 10 m nga rruga dhe 15 km larg nga njëri-tjetri

260

VKM/ Do të prishen të gjitha objektet e shërbimit dhe ndërtimet që janë më afër se 10 metra nga kufiri rrugor

Të gjitha zonat e shërbimit që nuk respektojnë kushtet dhe largësinë 10 metra nga rruga, si dhe 15 km në autostrada nga njëra-tjetra do të prishen. Kjo u përcaktua nga

Qeveria shqiptare, e cila ka vendosur dje rregulla të reja teknike të vendosjes dhe mënyrat e funksionimit të zonave të shërbimit në rrugë. Në të përcaktohen qartë vendosja dhe mënyra e funksionimit të zonave të shërbimit. Impiantet e shpërndarjes së karburantit llogariten si pjesë e zonës së shërbimit. Ato, përfshirë dhe vendet e ndalimit, nuk duhet të zënë në asnjë rast karrexhatën.

Rregullat teknike të vendosjes së zonave të shërbimit në rrugë (Neni 24 i Kodit Rrugor)

Kushtet e përgjithshme:

Në vendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 153, datë 7.4.2000, të këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të kodit Rrugor të republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar” thuhet se:

a) Zonat e shërbimit nuk duhet të pengojnë qarkullimin dhe të kufizojnë fushëpamjen. Zonat e shërbimit duhet të jenë të vendosura në vende të përshtatshme, duke përfshirë hapësirën për mjetet në lëvizje dhe ato të ndalura, të pajisura me korsi për rritje dhe ulje shpejtësie në hyrje dhe dalje.

b) Zonat e shërbimit për rrugët e reja duhet të jenë pjesë përbërëse e projektit rrugor dhe duhet t’u përgjigjen kërkesave të sigurisë dhe rrjedhshmërisë së trafikut.

c) Zonat e shërbimit nuk mund të vendosen në afërsi të kryqëzimeve, të vendqëndrimeve të mjeteve të shërbimit publik apo në ato pjesë të rrugës me kthesë dhe me dukshmëri të dobët. Pranë daljeve janë të ndaluara të mbjellat apo tabelat, që pengojnë pamjen e drejtuesve të mjeteve që duan të rifuten në rrugë.

ç) Për rrugët urbane, lokale, si dhe ato komunale, impiantet e shpërndarjes së karburanteve duhet t’u përgjigjen të gjitha nevojave që kanë mjetet për rrugëkalim në trotuar, siç përcaktohet në nenin 45, të kësaj rregulloreje.

d) Zonat e shërbimit të reja dhe ato ekzistuese duhet t’u nënshtrohen procedurave të auditimit dhe inspektimit të sigurisë rrugore, bazuar në udhëzimin e përbashkët nr.9, datë 3.7.2012, të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, “Mbi auditimin dhe inspektimin e sigurisë rrugore”.

Përzgjedhja dhe distancat:

a) Subjektet që shfrytëzojnë zonat e shërbimit duhet të pajisen me lejet dhe autorizimet sipas legjislacionit në fuqi.

b) Zonat e shërbimit vendosen në rrjetin rrugor duke respektuar distancat e mëposhtme:

– Për autostradat, minimumi 15 (pesëmbëdhjetë) km dhe maksimumi 60 (gjashtëdhjetë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.

– Për rrugët interurbane kryesore, minimumi 10 (dhjetë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.

– Për rrugët interurbane dytësore, minimumi 6 (gjashtë)  km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.

– Për rrugët urbane kryesore, jo më pak se 500 (pesëqind) m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme. Kjo distancë kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal.

– Për rrugët urbane dytësore dhe lokale, jo më pak se 250 (dyqind e pesëdhjetë) m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme. Kjo distancë kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal.

– Për autostradat dhe rrugët interurbane, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 10 (dhjetë) metra nga kufiri rrugor. Kufiri rrugor është fundi i pronësisë rrugore ose trupi i rrugës, referuar titujve të pronësisë dhe /ose brezave të shpronësimit sipas projektit të miratuar. Në mungesë të tyre, kufiri formohet nga vija e jashtme e hendekut të sigurimit të kanalit, kur ai ekziston, ose përkatësisht nga vija e sipërme dhe e poshtme e skarpatës, nëse rruga shtrihet në terren të pjerrët.

– Për rrugët urbane dhe komunale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 6 (gjashtë) metra nga kufiri i rrugës.

– Për rrugët lokale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 7 (shtatë) metra nga kufiri i rrugës.

 c) Zonat e shërbimit duhet të respektojnë një distance prej 30 (tridhjetë) m nga pompa e shpërndarjes së karburantit deri në çdo pikë të perimetrit të godinave publike, spitale, qendra mjekësore, objekte fetare, shkolla, kopshte, çerdhe, azile, institucione publike, stadiume, godina me vlera historike dhe godina të tjera ku mund të strehohen apo të qëndrojnë mbi 50 (pesëdhjetë) persona. Kjo distancë kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal midis pompës së karburantit dhe çdo pike të perimetrit të godinave të sipërpërmendura.

 ç) Zonat e shërbimit duhet të kenë distancë nga kryqëzimet rrugore minimumi 1 000 (një mijë) m, për rrugët interurbane kryesore, 300 (treqind) m, për rrugët interurbane të tjera, dhe 30 (tridhjetë) m, për rrugët urbane.

Zonat ekzistuese të shërbimit në rrugët urbane mund të përjashtohen nga kushti i distancës minimale nga kryqëzimet. Ato shqyrtohen rast pas rasti në bazë të kushteve të pikës 4, të këtij neni.

d) Nuk lejohet vendosja e zonave të shërbimit në qendrat e banuara me qarkullim të kufizuar të mjeteve apo në rrugët me trafik këmbësorësh e biçikletash dhe rrugë me korsi të ngushta në të cilat pengohet trafiku prej hyrjes dhe daljes.

Topografia e terrenit dhe pozicioni:

a) Zonat e shërbimit nuk duhet të vendosen menjëherë në afërsi të kurbëzimeve horizontale, vertikale dhe të pjerrësive gjatësore të segmenteve rrugore me jo më tepër se 4%.

 b) Në autostrada dhe segmentet rrugore interurbane kryesore, ku fluksi mesatar i qarkullimit rrugor është më shumë se 3 000 mjete/24 orë, zonat e shërbimit duhet të jenë në të dyja anët e rrugës.

c) Zgjedhja e terreneve për vendosjen e zonave të shërbimit duhet të jetë e rrafshët, për të reduktuar në minimum punimet e tokës.

Sipërfaqet dhe organizimi:

a) Qarkullimi në zonat e shërbimit duhet të jetë në të njëjtin drejtim me lëvizjen në karrexhatën e rrugës me të cilën është lidhur.

b) Normalisht, rrugët dhe pjesët e rezervuara për parkim për automjetet, të ndara nga ato të mjeteve të rënda, duhet të vendosen në zonën e shërbimit në mënyrë të tillë që ambientet dhe ndërtesat të mund të shihen. Zona e rezervuar për parkimin e mjeteve të rënda duhet të vendoset në pjesën e prapme të zonës së shërbimit.

c) Vendet e parkimit për autobuzë duhet të kenë sinjalitikë dhe elemente sigurie shtesë për pasagjerët, mundësisht, të rrethuar nga zona të mbjella me bimësi jeshile.

ç) Rrugët e brendshme nuk duhet të krijojnë pika konflikti në qarkullimin e mjeteve.

d) Është e këshillueshme që pjesët midis ambienteve të jenë të ndara nga zona të mbjella me bimësi jeshile. Bimësia duhet të jetë karakteristikë e territorit të zonës.

E gjithë zona, që ndan karrexhatën me zonën e shërbimit, duhet të mbillet me bimësi jeshile, veçanërisht me bimësi që kërkon pak mirëmbajtje, por me densitet i cili mbron mjetet që dalin nga rruga dhe parandalon këmbësorët të kapërcejnë karrexhatën.

dh) Sipërfaqja minimale e zonave të shërbimit jashtë qendrave të banuara duhet të jetë 1 500 (një mijë e pesëqind) m2 për autostradat, 1 000 (një mijë) m2 për rrugët interurbane kryesore dhe 800 (tetëqind) m2 për rrugët interurbane dytësore.

e) Skema e përgjithshme e organizimit të lëvizjes në një zonë shërbimi jepet në aneksin 1, që i bashkëlidhet rregullores.

Ambientet:

a) Zona e shërbimit duhet të ofrojë minimalisht:

–  në autostradë, stacion furnizimi me karburant dhe lubrifikante, asistencë mekanike (minimalisht kontroll dhe riparim të sistemeve të drejtimit dhe frenimit), parkim mjetesh, tualet;

–  në rrugët interurbane kryesore dhe dytësore, stacion furnizimi me karburant dhe lubrifikante, asistencë mekanike minimale (gomist), tualet;

–  në rrugët urbane, stacion furnizimi me karburant dhe lubrifikante, tualet.

 b) Entet pronare për lëshimin e autorizimeve mund të kërkojnë ambiente shtesë në bazë të karakteristikave të rrugës dhe kushteve lokale.

 c) Kombinimet kryesore të zonave të shërbimit  mund të jenë:

– stacion furnizimi + bar kafe;

– stacion furnizimi + servis;

– stacion furnizimi + bar kafe+servis;

– stacion furnizimi + restorant;

– stacion furnizimi + restorant+servis;

– stacion furnizimi +restorant+hotel+servis etj.

Ambientet e mbyllura të pushimit duhet të kenë klimatizim të ajrit.

 ç) Përveç këtyre ambienteve dhe parkimeve zonat duhet të kenë:

– korsitë e ngadalësimit dhe përshpejtimit;

– sistemet e furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm;

– sistemet e kanalizimeve dhe largimit të ujërave;

– sistemin e ndriçimit të jashtëm;

– sinjalizim dhe shenja rrugore.

 d) Sistemi elektrik i jashtëm i zonës së shërbimit duhet të instalohet sipas kërkesave të njëjta me ato të ndriçimit publik të tipit të rrugës që i shërbehet. Ndriçimi duhet të jetë optimal dhe për funksionimin e kamerave të sigurisë në ambientet e zonës së shërbimit. Duhet bërë kujdes për mosverbimin e drejtuesve të rrugës kryesore.

dh) Zonat e shërbimit duhet të kenë furnizim me ujë, mundësisht të lidhur me rrjetin publik, i cili mund të përdoret dhe për qëllime industriale (larje, vc etj.). Sistemi me ujë duhet të furnizojë dhe zonën e pushimit. Për të kursyer ujin e pijshëm  rekomandohet që të ketë një sistem shpërndarjeje të pavarur uji (pusi, furnizim nga përrenjtë, liqenet etj.).

e) Në raste kur i gjithë furnizimi me ujë duhet të merret nga një sistem i pavarur, do të rekomandohej të ndërtoheshin dy rrjete të veçanta shpërndarjeje në njërin prej të cilëve të pastrohej uji vetëm për qëllim pirjeje.

ë) Zonat e shërbimit duhet të jenë të pajisura me sistem të kullimit të shirave dhe ujërave të zeza, të lidhura me sistemet e kullimit të  rrugës kryesore. Në rast se është e pamundur, atëherë këto ujëra duhet të trajtohen.

f) Zonat e shërbimit mund të kenë dhe qendra promovimesh, meqë kanë hapësira të përshtatshme dhe një nivel të lartë trafiku mjetesh.

g) Në të gjitha rastet, pajisjet sanitare fikse duhet të pastrohen lehtë, mundësisht me kontroll automatik të qarkullimit të ujërave, me dysheme të shtruara që të lahen lehtë dhe shkarkime direkte në sistemin e largimit të ujërave.

gj) Nëse ndodhen brenda ndërtesave, ato duhet të jenë me pasqyra, mbajtës sapuni dhe tharje duarsh, letër higjienike dhe vende të posaçme për materialet e pastrimit dhe punonjësit e mirëmbajtjes.

h) Të gjitha zonat e shërbimit, që ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të kenë vendin e ngarkimit të baterive për mjetet elektrike. Për ato ekzistueset ky kusht duhet të plotësohet pas një periudhe 2-vjeçare nga hyrja në fuqi e vendimit.

Legalizimet, invalidët s’do paguajnë për truallin. Atyre me ndihmë ekonomike u ulet 30 %

 Qeveria shqiptare përcaktoi dje si do të kryhet pagesa dhe çmimet e tokave që janë zënë nga qytetarët për të ngritur shtëpi pa leje. Gjithashtu, ka sqaruar se cilët kategori nuk do të paguajnë dhe kush do të ketë lehtësira. Po ashtu janë përcaktuar dhe mënyra dhe afatet e pagesës së parcelës ndërtimore si dhe përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit dhe si do të bëhet pagesa. Poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik i falet detyrimi financiar për vlerën e parcelës. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërjen familjare persona me këtë status detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur. Ndërsa për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që janë subjekte të ndihmës ekonomike përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës. Sa i takon pagesës, nëse pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore kryhet menjëherë, përfitohet zbritje prej 20% nga vlera e mbetur e detyrimit. Kjo zbritje përfitohet edhe për vlerën e parcelës ndërtimore për objektet e dyta pa leje. Nëse subjekti dëshmon se, brenda një viti nga data e njoftimit mbi pagesën e parcelës ndërtimore, ka kryer rregullisht shlyerjen e detyrimeve të furnizimit me energji elektrike, falet në masën 10% vlera e garancisë.

Çmimi i tokës

Në vendimin “Për përcaktimin e çmimit favorizues të shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi dhe të përzier, të subjekteve që përfitojnë falje të pagesës si dhe të mënyrës e afateve të pagesës” thuhet se:

1. Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi (përfshirë dhe shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje) llogaritet si përqindje mbi vlerën e pronës, sipas llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse.

-Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 400 (katërqind) lekë apo më i madh se 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.

-Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 500 (pesëqind) lekë apo më i madh se 2 000 (dy mijë) lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.

-Për shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 1 000 (një mijë) lekë apo më i madh se 3 000 (tre mijë) lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë në këto vlera kufi.

3. Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier (banim dhe social-ekonomik), çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet e mëposhtme:

a) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social – ekonomik, shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

b) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.

Kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje të pagesës

4. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik në kuptim të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse pranë drejtorisë së varësisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për vlerën e parcelës ndërtimore falet.

Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërjen familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur në bazë të kreut I, të këtij vendimi.

5. Poseduesit e ndërtimeve pa leje, që janë subjekte të ndihmës ekonomike, në kuptim të ligjit nr.9355, datë 9.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës e llogaritur në bazë të kreut I, të këtij vendimi.

Mënyra dhe afatet e pagesës së parcelës ndërtimore si dhe përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit

6. Shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore nga poseduesi i ndërtimit pa leje bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), në të cilin janë përcaktuar vlera, mundësia për pagesën në pjesë, si dhe afatet e shlyerjes. Pagesë e menjëhershme do të konsiderohet shlyerja nga poseduesi i ndërtimit pa leje i vlerës së parcelës ndërtimore, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e njoftimit me shkrim.

7. Pagesa e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore, pavarësisht nga funksioni i objektit pa leje, mund të kryhet:

a) në lekë, në vlerë të plotë monetare;

b) me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës.

8. Për ndërtimet pa leje me funksion social – ekonomik, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet menjëherë.

9. Nëse pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore kryhet menjëherë, përfitohet zbritje prej 20% nga vlera e mbetur e detyrimit, pavarësisht nga funksioni i ndërtimit pa leje.

Kjo zbritje përfitohet edhe për vlerën e parcelës ndërtimore për objektet e dyta pa leje, sipas përcaktimeve të nenit 25, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

Në kuptim të kësaj pike, vlerë e mbetur e detyrimit konsiderohet ajo e përftuar pas aplikimit të rregullit të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 7, të këtij vendimi.

10. Nëse poseduesi i ndërtimit pa leje nuk e shlyen plotësisht detyrimin financiar për parcelën ndërtimore brenda një viti nga data e njoftimit, do të zbatohen përcaktimet e pikës 2/1, të nenit 30, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, deri në pagesën e vlerës totale të detyrimit.

11. Si garanci për shlyerjen e detyrimeve vjetore kontraktore të furnizimit me energji elektrike mbi vlerën e mbetur të parcelës ndërtimore të objektit pa leje aplikohet një zbritje prej 10%. Nëse subjekti dëshmon se, brenda një viti nga data e njoftimit mbi pagesën e parcelës ndërtimore, ka kryer rregullisht shlyerjen e detyrimeve të furnizimit me energji elektrike, vlera e garancisë falet.

12. Për detyrimet e parcelës ndërtimore, të llogaritura por të pashlyera nga poseduesit deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të aplikohen çmimet, mënyra dhe afatet e përcaktuara në këtë vendim.

 Vendime të tjera

Qeveria paguan për shpronësimet në 4 rrugë, firmos edhe të 4 HEC-eve

 Qeveria ka firmosur dje kompensimin për të shpronësuarit që preken nga ndërtimi i 4 segmenteve rrugore dhe ka firmosur gjithashtu, kompensimin që shoqëria “Ayean As Energy” sh.a. do të paguajë për tokat e zëna nga HEC-et.

Qeveria ka vendosur dje të nxjerrë fondet e kompensimit për shpronësimet që ka bërë për interes publik, për ndërtimin e disa segmenteve rrugore në vend, si p.sh, për ndërtimin e segmentit Plepa – Kavajë – Rrogozhinë; vlera e këtij shpronësimi është mbi 16 milionë lekë.

Po ashtu, Qeveria do të kompensojë, për ndërtimin e segmentit rrugor “By-pass, Plepa – Kavajë – Rrogozhinë” me mbi 173 milionë lekë, pronarët që janë prekur.

Kompensim është dhënë edhe për shpronësimet e dhëna për ndërtimin e rrugës Qukës – Qafë Thanë. Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen në vlerë të plotë me mbi 1 milionë lekë.

Një tjetër segment rrugor në ndërtim, Levan – Tepelenë, do t’i kushtojë shtetit

Mbi 5milionë lekë shpronësime.

Po ashtu, shpronësim do të kryhet edhe për katër hidrocentrale lokale, si për atë të Gojanit, Gjegjanit, Peshqeshit, Urës së Fanit dhe Fangut.

Vlera e shpronësimit prej më shumë se 343 milionë lekësh do të përballohet jo nga shteti, por nga shoqëria “AYEN AS Energji”, sh.a.”.