Rrëfehet Bregu: Lamë nam në Bruksel, nuk ka vend për triumfalizëm

544
Sigal

Ish-Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka vlerësuar rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.


Deputetja demokrate Majlinda Bregu, në një intervistë dhënë për Ilva Tare në “Ora News” shprehu bindjen se Këshilli Europian do të presë zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri për të vendosur për datën zyrtare të çeljes së negociatave.

Bregu sqaroi dhe debatin me kolegun demokrat Bumçi në Komitetin e Asociim Stabilizimit.

Zonja Bregu, çfarë do të thotë rekomandimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ka vend për triunfalizëm, për të festuar, si e shikoni?
Sigurisht që nuk ka vend për triumfalizëm, sidomos në një botë akoma më të pasigurt dhe në një Europë që nuk i bën dot llogaritë e veta shumë mirë, nuk ka vend për triumfalizëm, por është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Një proçes që ka nisur prej vitesh si një ëndërr shekullore e shqiptarëve për t’iu bashkuar Europës dhe që gjatë gjithë këtyre viteve është një proçes zbatimi, detyrimesh dhe kryerje reformash, sigursht që është një lajm shumë i mirë që tregon që proçesi nuk ngel në vend.
Marrja e një rekomandimi pozitiv nga Komisioni është vetëm njëri hap, buzëqeshja e lehtë që duhet të jetë në fytyrat e të gjithëve që prej këtij momenti dhe deri në momentin e marrjes së konfirmimit të këtij rekomandimi, proçesit zyrtar të çeljes së negociatave. Të bëhen gati për të filluar realisht, për të mos mbetur nesër si ata të hutuarit që vetëm me zor presin lajmin e mirë dhe nuk arrijnë dot të kontrollojnë dot të gjitha lëvizjet e tyre më pas.

Megjithatë dhe rekomandimi është i kushtëzuar me zbatimin e reformës në drejtësi, veçanërisht me proçesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Nuk është ndonjë lajm i ri për mua dhe as për ata të cilët këtë lloj informacioni se do të ishte një propozim i kushtëzuar e kishin nga shtatori i këtij viti. Realisht Komisioni dhe të gjitha vendet anëtare duan të shohin një lloj zhvillimi sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi. U vlerësua si kryereforma dhe reforma në të cilën u investuan të gjitë, jo vetëm energjitë së brendshmi, por që do të ishte e pamundur dhe pa partnerët tanë ndërkombëtarë. Ndaj është krejtësisht reale që Komisioni Europian të bëjë një propozim duke i lënë një mundësi dhe vendeve anëtare që të mos e hedhin poshtë propozimin e tij, por të kërkojnë rezultatet konkrete dhe shenja të para të implementimit, pra të zbatimit të reformës në drejtësi.

Si ta përkthejnë shqiptarët në shqip, rezultate të prekshme dhe të besueshme për reformën në drejtësi?
Për këtë besoj se gjënë më të mirë e thotë komisioneri, sesi përkthehen rezultatet e prekshme dhe të besueshme, artikulimi i tyre ka qenë i qartë prej shumë muajsh. Fakti që e kanë lidhur edhe me pjesën e zbatimit të vettingut, pra proçesit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të thotë që duan të shohin rezultate konkrete që shkojnë paralel, pra konfirmojnë reformën në drejtësi duke dhënë shembuj konkretë të luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, edhe pse jo në pjesën e nivelit të lartë të politikës.

Si janë gjasat për vendimin e Këshillit të Ministrave të dhjetorit?
Këtë unë nuk di t’ua them sot, nuk besoj se ka asnjë që mund t’ua thotë të sigurt deri në datën kur Këshilli do të fillojë, ose të paktën deri në ditën kur Këshilli i Ambasadorëve do të vendosë. Me nuhatjen time dhe me atë që di nga proçesi gjatë këtyre viteve, besoj se Këshilli do të presë zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri për të vendosur për datën zyrtare të çeljes së negociatave.

Pra do të jetë 2017?
Unë besoj se do të jetë kështu, por asnjë nga ne nuk e ka në dorë për të marrë asnjë vendim, çdo gjë do të shihet më pas. Besoj se do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve si një kusht, është krejtësisht normale, sidomos në një vend i cili ka pasur problematika me zgjedhjet dhe për më tepër Shqipëria as nuk ka përmbyllur, të paktën zyrtarisht dhe formalisht nuk ka zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR të cilat janë lënë nga dy zgjedhjet e fundit, që duhet të ishin pjesë e reformës zgjedhore, që duhet të ishte përfunduar tashmë sepse praktikisht tani nuk ka më kohë. Do të jetë shumë e vështirë besoj që vendet anëtarë të duan të vendosin për një datë zyrtare për të nisur realisht proçesin e negociatave para zgjedhjeve.
Megjithatë kjo nuk do të thotë se nga tani deri në vendimin e Këshillit dhe më pas deri në zhvillimin e zgjedhjeve, as Qeveria dhe as Parlamenti nuk duhet të rrinë duke pritur kur do të jetë zilja finale, sepse proçesi vetë parashikon një sërë detyrimesh të tjera. Duhet përgatitur strategjia kombëtare ose vizioni kombëtar, që notrmalisht duhet të kishte qenë gati muaj e muaj më parë, gati një vit më parë.
Duhen bërë gati, atë që kemi nisur dhe në Këshillin Kombëtar të Integrimit, identifikimi i personave të mundshëm që mund të jenë pjesë e grupit negociator të Shqipërisë, pra për të bërë të gjithë përgatitjet tona. Në momentin kur ky proçes të fillojë me vlerësimin e të gjithë legjislacionit shqiptar, të paktën të dimë se cilët do të jenë administrata publike, përfaqësuesit nga biznesi, çfarë qasje kombëtare do të ketë Shqipëria në këtë proçes për të mbrojtur interesat e saj.E përsëris në një Europë që është krejtësisht e pasigurt dhe ku asgjë më sot nuk ka një pikë.

Meqenëse përmendëm ekipin negociator, emri juaj ka dalë në media dje se do të ishit kryenegociatorja e Shqipërisë.
Sikur të komentojmë mbi çdo thashethem të mundshëm që bëhet në Shqipëri i bie që ta shtyj ditën vetëm me kontroll dëmi.

Por ka diçka që mund të na deklaroni, ishte vota juaj në Komitetin e Asociim Stabilizimit, e cila gjithashtu u komentua si një votë kundër PD për shkak të amendamenteve të propozuara që lidheshin me kërkesa të tjera nga ato që ishin në amendamentin e Komisionit. Mund të na e shpjegoni?
Unë nuk e di se çfarë vote mund të jetë kundër PD, kur PD është partia e cila e ka nisur prej 25 vitesh proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE, kur PD është partia që e ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, shqiptarët kanë përfituar përfitimin më të madh realisht të prekshëm nga proçesi i integrimit europian të Shqipërisë që është liberalizimi i vizave. Kur sot mundësia dhe marrëdhënia që është me BE ecën në bazë të një marrëveshje të përbashkët Shqipëri-BE që është marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe kur PD në ditën e parë në opozitë ka deklaruar se do të jetë gjithmonë në mbështetje të proçesit të integrimit. Ndaj nuk ka për askënd që voton pro proçesit të integrimit të Shqipërisë, nuk ka votë kundër. Dje ka pasur një situatë pak të çuditshme edhe në Parlamentin Europian.

Çfarë ndodhi mes jush dhe kolegut Bumçi?
Nuk është problemi aty, problem është që këto takime ose duhet të kenë një lloj formatimi tjetër, pra ose më të vërtetë duhet të prodhojnë diçka, ose në rast se do të vazhdojnë të prodhojnë vetëm debate të pafrytshme dhe debate të cilat përcjellin konfliktin që ne e bëjmë vazhdimisht në Tiranë edhe në mes të Brukselit, duke lënë nam i themi ne shkurt në shqip, atëherë nuk janë më të vlefshme.
PE në bazë të traktatit të Lisbonës, të detyrimeve që ka, është i detyruar ti kërkojë Komisionit dhe Këshillit që të vazhdojmë dhe ky ishte problemi i një amendamenti dje me një propozim konkret për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Nuk ka pasur dakortësi për një pjesë të madhe të amendimeve, por në fund të ditës unë kam votuar një amendament i cili ishte dhe amendament kompromisi i propozuar nga PE që grupi tjetër i anëtarëve të delagacionit të PD nuk e votoi, pjesa tjetër e deklaratës ka shkuar njëlloj në të gjitha qëndrimet.

Debati me kolegun Bumçi konsistonte në faktin se..
Mes shokësh ne flasim edhe ndryshe, nuk e di, turpi ose më saktë gjëja e shëmtuar, ishte që dikush nga kolegët tanë filmon një bisedë e cila mes miqsh mund të jetë dhe jo me fjalët zyrtare që flasim zakonisht në tryeza.

A patët mundësi të komunikonit me deputetë europarlamentarë të cilët ishin të pranishëm dhe kur bëhej ky debat, çfarë imazhi përcjellim ne tek ata kur ndodh kjo bisedë në sy të tyre.
Kjo është një vuajtje me të cilën unë kam vite që jam dënuar për të jetuar dhe bashkëjetuar, ku bëjnë përshtypje më së shumti gjëra të cilat janë jo thelbësore dhe zakonisht dhe fatkeqësisht dhe me sjelljen dhe animozitetin të cilin ne e përcjellim këtu në Bruksel.

Pretendimete PD, zgjedhjet elektorale, proçesi si do të jetë, kanabizimi, problemi i luftës me drogën. A duhet të ishin në një farë mënyrë të pasqyruara tek rekomandimet që dolën nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit? Fakti që u lanë jashtë tregon se nuk ka vullnet për ta dëgjuar këtë pjesë dhe nuk është e rëndësishme për BE çfarë ndodh brenda vendit?
Jo. Shpresoj dhe uroj të mos jetë kështu. Ka një të vërtetë që BE, unë e kam thënë dhe në fjalën time, është më së shumti investuar gjatë këtyre viteve të fundit në stabilitetin e vendeve sesa në zhvillimin demokratik të tyre. Kjo bën që të ketë vëmendje jo për çdo zhvillim që ndodh në vend. Lufta kundër drogës është pjesë e luftës kudnër krimit të organizuar, të paktën në përfshirjen dhe gjuhën që KE bën në dokumentat që ai prodhon.
Por zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe zbatimi i ligjit për kontrollin e figurave publike, pra ligji i dekriminalizimit, përfshirë në mendimin tim dhe një detyrim për kriterin ekonomik, janë detyrime që BE duhet ti monitorojë gjatë gjithë kohës. Sigurisht do të vazhdojë ti monitorojë gjatë proçesit të çeljes së negociatave, por duhet të jetë kritere kyçe sepse janë kritere që me të vërtetë shkojnë dhe janë në të njëjtën linjë me pjesën e standarteve europiane.
Nuk ka asnjë vend europian që të thotë që ne nuk jemi të vëmendshëm ndaj zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në një nga vendet që duan të jenë anëtare në BE, për më tepër proçesi i dekriminalizimit është një proçes në cilin politika dhe parlamentarët europianë janë investuar personalisht fuqishëm vetë. Dhe kur bëhet fjalë pastaj dhe për luftën kundër krimit të organizuar, kundër drogës dhe pse jo pastaj dhe për situatën ekonomike të vendit, sepse Shqipëria duhet të bëhet gati për të qenë konkurente për tregun europian, të gjitha këto duhet të jenë detyrime që duhet të monitorohen. Unë nuk mund të them që nuk ka nevojë për një shkundje të skemave klasike dhe matricave që BE prodhon nga një vit tek tjetri, për të pasur raporte, plane veprimi dhe monitorimi të përgatitura sipas specifikave që ka çdo vend.

Fakti që nuk do të ketë një progres raport në 2017 por do të jetë në pranverën e 2018, tregon që zgjerimi nuk është më në fokusin e BE?
Ka kohë që zgjerimi që nga momenti kur u ndryshua dhe emri i komisionerit dhe emri i drejtorisë së zgjerimit që tashmë quhet drejtoria e fqinjësisë, nuk ka parë zgjerimin si prioritet kryesor.Për mua duhet të jetë një nga politikat kryesore të BE. E para asnjë problem nuk i ka ardhur nga vendet me të cilat është zgjeruar së fundmi, problemet e mëdha që ka kaluar Europa kanë ardhur nga vendet e hershme anëtare të BE, e dyta zgjerimi duhet të jetë pjesë e politikës së brendshme, për mua, të BE dhe jo pjesë e politikës së jashtme. Sepse jashtë do të thotë, destabilizimnë një nga vendet tona dhe problematikat shumë lehtë përcillen si problematika në BE, siç ishte çështja e azilkërkuesve gjatë këtij viti, numri i të cilëve u rrit për shkak të problematikave që kalonin vendet tona. Ndaj shpresoj që të ketë një zgjidhje të ndërmjetme, nuk do të thotë që mund të mos ketë një raport të ndërmjetëm, pra nga 2017 deri në pranverën e 2018, por le të presim.

Duartrokitet në progres-raportin për Shqipërinë të komisionerit Hahn konsensusi që u gjet për miratimin legjislativ të reformës në drejtësi, madje inkurajohet që të vazhdojë më tej kjo gjuhë. Të duket terreni se mund të ketë një klimë bashkëpunimi sa i takon zbatimit të reformës në drejtësi më së paku?
Se çfarë duam ne dhe si duket situata në Shqipëri, janë dy realitete që zakonisht nuk përputhen. Por shpresoj shumë që të jetë gjithmonë e më i ndjeshëm presioni për të kërkuar zbatimin e reformës në drejtësi. Proçesi i hapjes së negociatave këtë bën, nga parimi i standarteve të përgjithshme dhe monitorimi i standarteve të përgjithshme, shkohet në çështje konkrete.
Në rast se do të hapen negociatat, dy kapitujt e parë që janë kapitulli i drejtësisë dhe sigurisë, do të bëjnë krejtësisht të pamundur që të mos i shkohet në detaje zbatimit të reformës në drejtësi dhe çështjeve të tjera. Ndryshimet Kushtetuese që Shqipëria i miratoi në korrik, vende të tjera në rajon nuk i kanë bërë akoma pavarësisht se kanë hapur negociatat, gjë që do të thotë që do të ketë një vëmendje akoma më të madhe. Hyjmë me një avantazh në këtë proçes për të fituar kohën por duhet të ketë një vëmendje të madhe pikërisht për të testuar zbatimin e kësaj reforme. E vetmja gjë që unë di e sigurt, është që të gjithë janë të sigurt dhe seriozë për të kërkuar dhe për të monitoruar zbatimin e reformës në drejtësi.

Gjthashtu komisioneri Hahn e konsideron si një vlerësim që do ta japë dhe populli shqiptar në zgjedhjet e ardhshme. Në Tiranë duket sikur janë ndarë kampet, mazhoranca është shprehur më në favor të reformës në drejtësi dhe PD etiketohet gjithnjë e më shumë si një parti që nuk e do reformën.
Ky është përceptim që nisi nga muaji korrik për shumë situata të qena dhe të paqena, sigurisht edhe për mungesë të qartë menaxhimi politik të situatave me të cilat u përballëm në korrik të këtij viti. Por nuk ka asgjë të vërtetë. Unë besoj shumë dhe shpresoj që..

Përceptim apo është qëndrim i PD?
Jo. Unë them që ky është një përceptim i gabuar sepse në rast se PD nuk do të kishtë qenë në linjë për ta miratuar reformën në drejtësi dhe për ta përmirësuar draftin e reformës në drejtësi, sot edhe ato ndryshime kushtetuese që janë nuk do të kishin qenë ato të cilat do të duatrokiteshin nga Parlamenti Europian, KE dhe nga vendet anëtare. Askush nuk mund ta mohojë rolin e PD në këtë proçes.
Se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme, sesi do të votojnë shqiptarët, se ku do të jetë thelbi kryesor. Nëse roli i partive dhe votave ndaj partive do të ketë peshën më të madhe në këtë reforma në drejtësi apo pjesa e një strategjie tjetër për të ngjallur shpresën e shqiptarëve tek politika, sepse kuptohet se çfarë po ndodh çdo ditë, sot e kemi edhe më të qartë se çfarë ndodh në botë me votën në Amerikë për Presidentin Trump. Është më e qartë se çfarë do të thotë demokracia. Nuk është sistemi më perfekt në botë, është i vetmi sistem i mirë që njohim deri sot, më i miri ndër të tjera por jo perfekti.

Do të thotë që politikanët duhet ti dëgjojnë pak më shumë qytetarët, hallet dhe ankesat e tyre?
Do të thotë që politika ka nevojë për atë dimension personalizimi që ka vite që është shkëputur dhe ky sinjal vjen nga të gjitha vendet. Që do të thotë më shumë ndjeshmëri dhe përballje direkte për të reflektuar realisht shqetësimet që kanë qytetarët dhe jo për të jetuar në renë tjetër.

Si do t’ua shpjegojmë qytetarëve rekomandimin për hapjen e negociatave me një fjali të thjeshtë, çfarë do të përfitojnë ata nga ky proçes?
Gjëja më e mirë dhe gjëja kryesore që duhet thënë është që rekomandimi dhe çelja e negociatave është lajm i mirë për shqiptarët, nuk është lajm i mirë për qeveritarët. Nuk ka asnjë mundësi tjetër që qeveri të cilat janë problematike, por edhe sikur qeveritë më ambicioze për të realizuar programet e tyre elektorale, nuk ka asnjë mënyrë dhe asnjë motor tjetër zhvillimi për ti kontrolluar ata që të jenë në të njëjtin trend me atë që ju kërkojnë qytetarët, sesa proçesi i integrimit europian.
Sot për sot unë nuk di që në asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria bën pjesë, në asnjë nga vendet me demokraci të pa zhvilluar ku Shqipëria bën pjesë, në asnjë nga vendet me institucione të dobëta ku Shqipëria bën pjesë, të ketë motor tjetër më të fortë për të nxitur ndryshime pozitive sesa proçesi i anëtarësimit në BE pavarësisht se si do të shkojë kjo rrugë, pavarësisht cila do të jetë data.