Rrapo Ormeni: Ja tërmetet më të fuqishme në Shqipëri

3152
Sigal

 Tërmete të forta në Durrës e Tiranë, 22 lëkundje të lehta ndjehen, Kavajë e Krujë

 Lëkundje të pazakonta sizmike janë ndier dje në gjithë zonën perëndimore të vendit. Tërmetet janë ndier që herët në mëngjes dhe deri pasditen e së hënës dhe kanë qenë relativisht të forta duke tronditur Durrësin e Tiranën. Tërmeti më i fundit ka qenë me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter dhe ka pasur si epiqendër zonën mes Tiranës dhe Vorës, 20 km në veri-perëndim të Tiranës, 5 km pranë Vorës. Lëkundjet e tërmetit me thellësi 10 km u shënua në orën 15:40. Paniku ka mbërthyer banorët e zonës perëndimore të vendit të cilëve u janë tundur themelet e banesave nga një lëkundje sizmike gjatë pasdites.

Kurse dy tërmete të forta, me magnitudë 4.2 ballë të shkallës Rihter janë regjistruar mëngjesin e djeshëm në Durrës, të cilat janë pasuar nga 22 lëkundje të lehta që janë ndjerë në qytetin e Durrësit, Tiranës, Kavajës dhe Krujës. Mësohet se tërmetet që janë ndjerë në më pak se dy orë, kanë qenë me magnitudë nga 2.6 deri në 4.2 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër 8 km larg Durrësit dhe detin Adriatik. Nuk raportohen të lënduar, ndërsa nuk dihet ende nëse ka dëme materiale.

Tërmetet seri

Në faqen zyrtare të Institutit të Gjeoshkencave janë raportuar 9 tërmete, konkretisht: I pari në orën 06:00, me magnitudë 4.2, epiqendër në Durrës dhe thellësi 10 km.

Tërmeti i dytë në orën 06:17, me magnitudë 2.6, epiqendër deti Adriatik 5 km në jugperëndim Durrës dhe thellësi 7km.

Tërmeti i tretë është regjistruar në orën 06:20, me magnitudë 2.8, epiqendër deti Adriatik 4 km në jugperëndim Durrës dhe thellësi 7 km.

Tërmeti i katërt në orën 06:26, me magnitudë 3.9 ballë dhe epiqendër në Durrës, me thellësi 11 km.

Tërmeti i pestë është regjistruar në orën 06:29, me magnitudë 2.7 ballë dhe epiqendër në detin Adriatik 6 km në jugperëndim Durrës dhe thellësi 7 km.

Tërmeti i gjashtë është regjistruar në orën 06:31, me magnitudë 2.6 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër 11 km në verilindje Durrës dhe thellësi 7 km.

Tërmeti i shtatë u regjistrua në orën 07:15, me magnitudë 4.1 ballë, me epiqendër Berxulle,12 km në veriperëndim Tiranë, me thellësi 11 km.

Tërmeti i tetë u regjistrua në orën 07:39, me magnitudë 3.7 ballë, me epiqendër Sukth 12 km në verilindje Durrës dhe thellësi 18 km.

Tërmeti i nëntë është regjistruar në orën 08:43, me magnitudë 3.1 ballë i shkallës Rihter, me epiqendër Katund i Ri, 11 Km Veri-Lindje Durrës dhe thellësi 13 km.

 Ormeni: Bregdeti i Adriatikut, zonë sizmike në aktivitet

 Në një prononcim për gazetën “Telegraf” sizmiliogu Rrapo Ormeni shpjegoi se tërmeti i parë është regjistruar në Durrës në orën 07:00 të mëngjesit, me magnitudë 4.2 ballë i shkallës Rihter, ndërsa është pasuar nga një tjetër goditje me të njëjtin intensitet. Më pas janë regjistruar 46 lëkundje të lehta, që janë ndjerë në Durrës, Tiranë, Kavajë dhe Krujë.

 Cili ishte shkaku i këtyre tërmeteve? A kanë të bëjnë tërmetet e sotme me thatësirën e kohëve të fundit?

 Tërmetet e sotme nuk kanë lidhje fare me thatësirën e këtyre muajve, këto gjëra lidhen me bestytnitë popullore që e lidhin thatësirën me tërmetet. Kjo edhe për shkakun e thjeshtë se kemi të bëjmë me një tërmet me thellësi 10 km. Zona e bregdetit Adriatik është një mikropllakë që së bashku me pllakën kontinentale, pjesë e të cilës është dhe Shqipëria bashkëveprojnë me njëra-tjetrën duke u goditur dhe fërkuar. Dhe duke u sforcuar ndodh “këputja” e cila shkakton dhe lëkundjet. Në fakt të gjitha pllakat kontinentale lëvizin me 5-10 cm në vit.

 A kanë ndikim minierat që kryqëzojnë Tiranën dhe zonat përreth?

Nuk ndikojnë as minierat e shumta në zonën e Tiranës, pasi tërmetet e shkaktuara nga shkëputje të ndonjë pllake shkëmbore shkaktojnë tërmette kaspike, me thellësi të vogël dhe me lëkundje vetëm në zonën e caktuar. Ndërsa tërmetet e sotme janë tërmete tektonike. Tërmete ka pasur dhe në orën 15 e 40 minuta, ishte me një magnitudë 3,8 ballë. Deri më tani janë 46 tërmete të regjistruara që nga ora 7 e mëngjesit, ndërsa magnitudat kanë qenë në rënie. Ka një seri tërmetesh të cilat janë frikësuese, por energjia është në çlirim e sipër dhe ky tërmet po vjen në shuarje.

 A duhet të frikësohen banorët?

 Durrësi dhe zonat përqark nuk besoj se rrezikohen më nga tërmete të tillë dhe banorët nuk kanë pse të frikësohen, sepse kanë rënë dhe më parë të tillë dhe koha ka treguar që nuk paraqet ndonjë rrezik. Durrësi dhe i gjithë bregdeti Adriatik është një zonë sizmike për shkak të mikropllakës që cituam më lart.

 A paraqet rrezik nëse epiqendra është në det?

Nëse epiqendra është në det, prapë me një magnitudë të tillë nuk ka ndonjë rrezik, sepse për ngritjen e dallgëve duhet një magnitudë 7 e sipër dhe një thellësi më e madhe.

Tërmetet më të fuqishme në Shqipëri

Vendi              Viti
Apoloni           217
Durrës                         334
Durrës                         505
Butrint             1153
Durrës                         Mars 1273  Tërmeti shkatërron plotësisht Durrësin. 25 mijë banorë gjejnë vdekjen.
Krujë               1617
Vlorë               12 tetor 1851. 20 të vrarë.
Berat               17 tetor 1851. 400 ushtarë të vrarë në Kala.
Shkodër           Shkurt-tetor 1855, 12 tërmete që u ndjenë dhe në Delvinë dhe Bari
Himarë            14.06. 1895
Shkodër           1.06.1905. Tërmeti me fuqi 9 ballë shkatërron 1500 shtëpi, duke lënë 200 të vrarë dhe 500 të plagosur.
Ohër                18 shkurt 1911
Tepelenë          20.11.1920. Tërmeti shkakton 36 të vrare dhe 102 të plagosur. Ai shkatërroi 2 500 shtëpi dhe la pa strehë 15 000 veta.
Peshkopi          24 gusht 1924. Shkatërrohen afro 80 % të shtëpive, 44 të vrarë dhe 119 të plagosur.
Durrës             17.12.1926. Tërmeti kishte intensitet 8-9 ballësh. Lëkundjet u ndjenë dhe në Itali, Jugosllavi e Greqi.
Vlorë               21.11.1930. Tërmeti shkakton 30 të vrare e mbi 100 të plagosur.
Korçë              28 janar 1931
Shkodër           1943. Regjistrohet një tërmet tetë ballësh.
Lushnje           1.09.1959. Tërmeti kishte intensitet 8-9 ballë.
Korçë              26 maj 1960, ku u shkatërruan 1479 ndërtesa.
Fier                  18 mars 1962. Tërmeti tetë ballësh shkakton 5 të vrarë e 77 të plagosur dhe u shkatërruan 2 700 shtëpi.
Dibër               30.11.1967. Shkatërrohen 177 fshatra, gjejnë vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosje vertikale të dheut deri në 50 centimetra.
Shkodër           3.11.1968.
Shkodër           15.04.1979. Dëmtohen 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.
Roskovec        17 nëntor 1982. Ndihet edhe në Fier, Librazhd e Berat, ku u shkatërruan 16 534 ndërtesa, u vra 1 person dhe 12 të tjerë u plagosën.
Tiranë 7 janar 1988. U dëmtuan 2083 shtëpi
Gjirokastër      26 mars 1990