Rraja mohon akuzat: “Nuk kam lidhje me atentatin ndaj Ndojit”

512
Sigal

Dalin detaje nga dëshmia në gjykatë e Redjan Rrajës, i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji në Shkozet.

34-vjeçari ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se nuk e njeh prokurorin apo dy personat e tjerë që ishin në makinë.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen ku ka mbetur i plagosur prokurori dhe dy persona të tjerë. Nuk i njoh personat e përfshirë, ngjarjen e mësova nga mediat. Ditën kur ka ndodhur ngjarja kam qenë duke përshkruar itinerarin që bëj gjithmonë në Tiranë-Durrës-Fushë Krujë.”ka thanë Redjan Rraja.

Rraja ka dalë sot në orën 14:00 para Gjykatës së Krimeve të Rënda ku do të njihet me masën e sigurisë. Ai mbrohet nga dy avokatë Besnik Çerekja dhe Ilir Murati, të cilët kërkojnë lirimin.

Ndërsa Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për 34-vjeçarin.

Seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

Rraja akuzohet për ‘vrasje e funksionarëve publik’, ‘ armëmbajtje pa leje’ si dhe ‘vrasje e mbetur në tentativë’.

Rraja u ndalua pasditen e të hënës ndërsa udhëtonte me automjetin e tij drejt Hanit të Hotit.

Mësohet se në momentin e arrestimit, Rrajës i janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona, të cilët janë dërguar për ekzaminim.