Rrafshohet kinema “Millenium”, do të ndërtohet pallat 15 -katësh

1203
Sigal

SKANDAL/ Ky është turpi i radhës për Elbasanin, Bashkinë, Prefekturën, Qarkun e për gjithë intelektualët që s’reagojnë

Klasa intelektuale e Elbasanit, aktorët, kineastët, pedagogët, inxhinierët, mjekë e mësues, si dhe zyrtarë të institucioneve, kanë shprehur indinjatën e tyre të thellë, për prishjen me metoda mesjetare (duke punuar natën me mjete të rënda) të kinemasë së vetme të qytetit “MILLENIUM”. Ishte e vetmja që kishte mbetur si relike e asaj që mund të quhet “trashëgimi e kulturës”, dhe si vendi ku qytetarët e të gjitha moshave prej afro 37 vitesh shikonin filmat e tyre të preferuar. E gjendur në qendër të Elbasanit, kinema “MILLENIUM”, ashtu hijerëndë, nuk kishte se si të mos zgjonte zilinë e pasanikëve me kollare, që nuk po kursejnë asgjë dhe nuk po ndalen para asgjëje, duke prishur të gjitha reliket dhe vlerat e kulturës tonë kombëtare për të bërë pallate, lokale, disko etj.. Ky është turpi i radhës për Elbasanin, për institucionin e Bashkisë, Prefekturës, Qarkut, për gjithë intelektualët e këtij qyteti, që lejuan në heshtje të turpshme prishjen e kinemasë së vetme të qytetit. “E shembën barbarët”- u shprehën disa aktorë të Teatrit “Skampa”, të cilët të indinjuar dhe çuditërisht nën zë, u shprehën se “Bashkia, Prefektura, Qarku, Universiteti, dhe ne si aktorë nuk duhej ta lejonim të ndodhte kjo gjë, pas prishjes së vlerave të tjera si  ish- Shtëpia e Vërlacëve, banesë 350- vjeçare, mbi të cilën u ngrit 13- katëshi, tani radha ishte e kinemasë “MILLENIUM”, e cila vetëm 5 vite më parë mori 2.5 milion euro për rikonstruksionin e saj total”. Paratë e shqiptarëve kanë 23 vjet që ikin për “rrush e kumbulla”, vlerat e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, kanë 23 vite që prishen, denigrohen, groposen dhe mbi ato ngrihen pallatet shumëkatëshe të pushtetarëve, deputetëve, ministrave dhe sorollopit të tyre.

Heshtja e intelektualëve

Ky është turpi më i madh që ka pllakosur mbi klasën intelektuale të Elbasanit. Sot ky qytet, që natyrshëm e ka emrin si “Djepi Arsimit dhe Kulturës Kombëtare”, qyteti që ka patur de facto Universitetin e parë në Shqipëri siç është  Normalja, nuk ka kinemanë e tij. Intelektualët e Elbasanit, janë strukturë, janë trembur, janë blerë, janë bërë apatikë dhe anemikë, janë zhvlerësuar. Ata nuk e kanë më kurajon të ngrenë  zërin e tyre, t’i kërkojnë llogari titullarëve të institucioneve të shtetit në Elbasan se “Kush e prishi kinemanë e qytetit, kush do të ngrejë pallat, kush e dha lejen kush e groposi vlerën e çmuar, për të mbushur xhepat me shitje apartamentesh e diskosh”. Natyrisht sot  shumica e intelektualëve janë kthyer në specie që mendojnë për “vendin e punës së tyre, të fëmijëve të tyre”, duke humbur shumë nga vlerat hyjnore të misionit të tyre fisnik. Prej afro 5 ditësh, në qendër të Elbasanit, mjetet e rënda po rrafshojnë pa mëshirë, ditën dhe sidomos natën, kinemanë e vetme të qytetit, si barbarët dikur Romën e Lashtë.

Heshtja mediatike

Tek i shikon ashtu të ngrysur dhe të ethshëm mbi fadromat gjigande, barbarët të shkatërrojnë vlerat e qytetit tim, mendoj se këtu gjithçka po vjen drejt rrënimit sipas një skenari të paracaktuar qysh para 23 vitesh. Pra, të shembet dhe fshihet nga faqja e dheut dhe kujtesa, çdo gjë që ka vlerë dhe përjetëson e identifikimin moral dhe historik të këtij vendi. Asnjë media lokale apo qendrore nuk ka guxuar të shkruajë e të japë qoftë edhe një kronikë të vetme mbi barbarizmin që ndodhi në Elbasan këto ditë, duke u identifikuar hapur si struktura të paafta, të trembura dhe të blera nga shitësit me kollare të pallateve.