Romët po arratisen, kërkojnë strehim ekonomik në Gjermani, Francë e gjetkë

657
Sigal

Fëmijët e paregjistruar të rrezikuar nga trafiku i qenieve njerëzore

KORÇË- “Romët e Qarkut Korçë po marrin arratinë. Ata po lënë vendbanimet e tyre; dikush shtëpinë që rrezikon t’i shembet, dikush barakën e sajuar me dërrasa, dikush tjetër sofrën sepse në mbrëmje nuk ka çfarë t’u japë fëmijëve dhe që të gjithë bashkë po marrin udhët nëpër botë në kërkim të një fati më të mirë. Kuptohet, veçse në e gjetshin atë fat, sepse sot askush nuk hap dyert për azil politik dhe azil ekonomik. Por për shumë romë duket se nuk ka mbetur mundësi tjetër përveç asaj të ikjes. Ndoshta nga kjo ikje e madhe mundet që bota të sensibilizohet dhe të kuptojë se edhe në shek XXI, shumë njerëz flenë pa bukë dhe zgjohen me barkun bosh”. Kështu e nis rrëfimin e brengës së tij, Arben Kosturi, kryetari i shoqatës rome “Disutni Albania”, pasi ai e njeh nga afër këtë komunitet dhe i di mirë hallet e tyre. “Romët po marrin udhët, thotë Arben Kosturi, një dorë plaçka në një çantë të vjetër dhe një borxh të madh lekësh që mund ta kenë siguruar nga miqtë dhe të njohurit e tyre, të cilat do t’u duhen për shpenzimet e rrugës. Të gjitha këto lekë përfundojnë në xhepat e trafikantëve, të cilët u premtojnë azilin ekonomik dhe parajsën, por sërish emigrimi nuk po ndalet edhe pse ata kthehen në banesat e tyre edhe më të varfër nga sa ishin më parë. Megjithatë, në këtë ikje që po vjen gjithnjë në rritje, nuk janë të përfshirë vetëm romët e qarkut Korçë, por edhe familje rome të rretheve të tjera të vendit, kudo që jetojnë ata. Si shoqatë, kemi bërë të pamundurën për të penguar emigrimin e tyre, por nuk ia kemi dalë dot mbanë, pasi edhe mundësitë tona janë të pamjaftueshme, ndërsa nga qeveria nuk kemi pasur asnjë ndihmë. Për gjitha vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti ynë do të vëmë në dijeni edhe deputeten rome të Parlamentit Europian, znj. Soraya Post

Për ku shkojnë romët?

-Nga informacioni që kemi si shoqatë, romët që po largohen nga Shqipëria synojnë vende të tilla si Gjermania dhe Franca, por edhe vende të tjera. Këto shtete, sigurisht, vazhdojnë të mbeten një ëndërr e madhe dhe shpresë për njerëzit e varfër, ndaj kur dëgjojnë t’u thuhen emra vendesh të tilla, mashtrimi është lehtësisht i realizueshëm, sepse në kësi rastesh njerëzit besojnë verbërisht edhe pse mund t’i mundojë dyshimi se dikush po i mashtron. Gjithë mashtrimi përmblidhet te një shprehje e vetme: “Në këto vende edhe sikur të dalësh të lypësh në rrugë bëhesh milioner, pa le pastaj sikur të fillosh punë, kthehesh miliarder në Shqipëri”. Dhe është kjo arsyeja që ata sakrifikojnë gjithçka vetëm e vetëm të mbërrijnë te vendi i premtuar. Siç e përmenda edhe më sipër, në këtë ikje që po vjen gjithnjë në rritje nuk janë të përfshirë vetëm familjet romë të qarkut tonë, apo më konkretisht të rretheve Korçë, Pogradec dhe Devoll, por edhe ata të rretheve të tjera të vendit, si në Fier, në Elbasan, në Rogozhinë, në Tiranë, në Lezhë etj..

Sa është numri i të larguarve?

-Sigurisht, evidentimi i saktë i numrit të të larguarve nga Shqipëria është disi i vështirë, pasi duhet të shkosh shtëpi më shtëpi e të verifikosh gjithçka. Megjithatë, fal punës së shoqatës tonë të bërë deri më tani, na rezulton se nga rrethi i Korçës deri më sot janë larguar rreth 25-30 familje, po kaq të larguar janë edhe nga rrethi i Pogradecit. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe rrethi i Devollit. Numri i të larguarve nga qarku i Korçës, shkon në 80 familje. Gjithashtu, nga informacioni që kemi marrë edhe nga shoqatat e tjera rome të vendit, kemi mësuar se emigrimi drejt vendeve të Bashkimit Europian ka përfshirë edhe rrethet e tjera, të cilat i përmendëm pak më parë. Statistika për këto rrethe nuk kemi, por numri i të larguarve duhet të jetë shumë më i madh nga sa mendohet. Siç ndodh gjithnjë në kohë të vështira, edhe romët kanë nisur të mendojnë se si mund të ikin nga vendi i tyre që nuk i ushqen dot as me bukë për të gjetur një vend tjetër më të mirë.

Do të vijoni ta ndiqni këtë fenomen?

-Patjetër. Do të përpiqemi të evidentojmë çdo familje që do të largohet nga vendi, por sigurisht gjithçka do të varet edhe nga mundësitë që kemi. Shoqata jonë ka marrëdhënie të mira edhe me deputeten rome të Parlamentit Europian znj. Soraya Post, e cila është tejet e interesuar të dijë gjithçka mbi jetën e romëve në Shqipëri, ndaj edhe “Disutni Albania” do të vërë në dijeni këtë deputete me përkatëse rome. Sigurisht, zonja Soraya ka informacionin e vet që i shkon Parlamentit në rrugë zyrtare nga Shqipëria, por kur ndodh që të dalin mbi sipërfaqe fenomene të tilla si kjo e braktisjes së Shqipërisë, atëherë nevoja për të pasur informacion shtesë bëhet edhe më e madhe, e cila synon njohjen e të gjitha rrethanave që shkaktojnë një fenomen të tillë.. Arsyet pse romët kërkojnë azil ekonomik, pse i kanë humbur shpresat në vendin e tyre, janë të shumta

Atëherë, më konkretisht. cilat janë arsyet e kërkesës së azilit ekonomik?

-Për të qenë sa më realist me të vërtetën, mund të themi se prej vitesh shumë familje rome të qarkut Korçë, (në mos të gjitha), janë përballur dhe po përballen me vështirësi të shumta. Së pari, ata vuajnë pafundësisht mungesën e punësimit. Dhe të mos jesh i punësuar do të thotë që në mbrëmje të mos kesh bukë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një  mbrëmje, por për shumë ditë dhe net. Korça është qytet i ftohtë dhe nëse nuk ke punë, nuk do të kesh as ngrohje në shtëpi përgjatë gjithë dimrit. Për pasojë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit do të përfundojnë në shtrat të sëmurë. Askush nuk i çon dot në spital sepse spitali kërkon që ta paguash. Romët nuk janë të pajisur me librezë shëndetësore, sepse nuk janë të punësuar, por pa librezë nuk mund të marrësh barna falas. Për rrjedhojë familje të tëra rome kanë ngelur në qerthin e mjerimit dhe nuk dalin dot që andej. Edhe nëse do t’u thoshin se ekziston një qytet shpresëdhënës në fund të oqeanit, do të mbyteshin të gjithë atje, pasi pjesa më e madhe e tyre janë të pashkolluar.

A keni qenë të përkrahur mjaftueshëm nga qeverisja vendore?

-Mund të them se përkrahja e duhur na ka munguar. Shumë nga këto probleme vijnë edhe nga të mosqenit të përfaqësuar në institucionet e qeverisjes vendore, veçanërisht në Bashki. Nëse do të kishim dikë që do të na përfaqësonte, atëherë ai do të shndërrohej në zëdhënës për prezantimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve tona. Racizmi është mëse i dukshëm. Para pak kohësh patëm një rast flagrant. Një nxënës që i përkiste komunitetit tonë, shokët e tij nuk e pranonin në klasën e tyre vetëm e vetëm se ishte rom. Gjë që do të thotë se kjo frymë ekzistonte edhe në familjet e tyre (të nxënësve). Sigurisht, na u desh të ndërhynim si shoqatë që çështja të zgjidhej. Ndërsa mund të them se nuk kemi patur asnjë rast shqetësimi nga komuniteti mysliman. Veç sa më sipër, fëmijët romë të mbetur të paregjistruar në zyrat e gjendjes civile, vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga trafikantët e qenieve njerëzore.

-Cilat janë shkaqet që fëmijët rom mbeten të paregjistruar?

Së pari, më duhet të vë në dukje faktin se fenomeni i mosregjistrimit të fëmijëve rom nuk ndodh vetëm në Korçë, por edhe në qytete të tjera. Aktualisht, Korça numëron 30 fëmijë të paregjistruar, ku njëri prej tyre është 18 vjeç, besoj se përbën një rast unikal në gjithë vendin, ndoshta edhe më shumë se kaq, ndërsa në qytetin e Gjirokastrës, nga informacioni që kemi si shoqatë, ekzistojnë 130 fëmijë të paregjistruar. Cilat janë arsyet?:  Së pari, është gjendja e vështirë ekonomike. Familjet romë përpiqen të kursejnë kafshatën e bukës. Kjo i detyron t’i martojnë vajzat në moshë të vogël. Fëmijët e  lindur nga martesa të tilla,(kur çift s’ka mbushur moshën e martesës) nuk mund të regjistrohen, sepse edhe celebrimi i martesës nuk është i mundur ligjërisht. Martesat në moshë të vogël shoqërohen me probleme të shumta. Ata nuk mund të ndërtojnë dot një familje, u mungon përvoja, përballja me jetën. Mbi të gjitha, nuk ndihmohen me punësim. Në këto raste zgjidhjet martesore janë të shpeshta. Fëmijët e lindur nuk i merr përsipër asnjëri prej bashkëshortëve. Për më keq akoma, kur këto nëna me moshë të vogël, pas prishjes së martesës së parë, krijojnë një familje tjetër, (me martesën e radhës), mohojnë që të kenë qenë të martuara më parë dhe për më tepër që të kenë patur fëmijë. Ata rriten nga gjyshërit e tyre, por mbeten të paregjistruar. Këtë fat kanë edhe ata që lindin në emigracion ose gjatë emigrimit nga një vend në një tjetër, si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Por mosregjistrimi i një fëmijë do të thotë që ai të mos ekzistojë, gjë që i bën të jenë të rrezikuar nga trafikantët e qenieve njerëzore

Cila ka qenë ndihma juaj si shoqatë në këtë drejtim?

-Mund të them se nga ana jonë është punuar shumë, por megjithatë nga qeveria nuk kemi pasur asnjë ndihmë. Më konkretisht, fal përkushtimit të shoqatës ne arritëm të krijojmë një medie televizive.“ Përgatisim emisione të ndryshme, 20-25 minuta, nën okelion:“Na njihni dhe pastaj na paragjykoni” dhe i transmetojmë ato në një sërë televizionesh, si te TVSH-ja, TV- Lobi në Korçë, TV- Sot 7 në Pogradec, TV-Kristal + në Korçë, TV-Gjirokastra, TV-Apollon në Fier etj.. Emisionet jepen në tri gjuhë: romisht, shqip dhe anglisht. Gjenden edhe në youtube. Për këtë aktivitet kemi qenë të sponsorizuar nga SOROS (Budapest). Me fillimin e fenomenit te braktisjes së Shqipërisë nga romët dhe kërkimit të azilit ekonomik nga ana e tyre, ne realizuam një sërë emisionesh, për të treguar se si ata mund të ndërtonin një jetë më të mirë në Shqipëri, duke i bërë të vetëdijshëm për gjuhën zakonet, traditat, mundësitë dhe aftësitë e këtij komuniteti. Mendojmë se kemi ndikuar pozitivisht, por në rast se do të kishim edhe ndihmën e qeverisë, atëherë gjithçka do të ishte më rezultative në këtë drejtim. Tashmë komunitetit rom i duhet të besojë se gjithçka është e mundur në vendin e tij në Shqipëri. Ikja e tyre po tregon qartë se ata gjenden në kufijtë e mbijetesës, madje në kushte të tilla që e bëjnë jetën e tyre të papërballueshme, gjë që po i detyron të marrin udhët në kërkim të një shprese nëpër botë, pavarësisht nëse e gjejnë një derë hapur ose jo, i cila s’është gjë tjetër veçse një aventurë që po u kushton shumë

Vepror HASANI