Romët në Elbasan jetojnë si në Mesjetë

887
Mbi 1200 familje rome në Elbasan kanë humbur ndihmën ekonomike prej afro 2 vitesh, dhe nuk kanë shpresë ta rimarrin sërish atë. Në ambulanca dhe spitale romët injorohen, denigrohen, dhe kurrë nuk u jepet shërbim i duhur mjeksor, për pasojë edhe vdekshmëria e tyre vijon të mbetet e lartë. Gjithashtu edhe1750 baraka ku jeton komuniteti rom nuk legalizohen. Ata shprehen se “ne shihemi si skllevërit dikur, edhe pse kanë ardhur ministra, deputetë por edhe Avokati Popullit, duke na thënë se vendet e Europës kanë dhënë miliona lekë për ju, asnjë nga këta zyrtarë të lartë të shtetit nuk ka bërë asgjë konkrete”. Romët në Elbasan kanë qenë dhe mbeten shtresa që vazhdon të jetojë si në mesjetë, ndoshta edhe më keq. Të vendosur kryesisht në lagjet periferike pas stadiumit të qytetit, apo tek stacioni trenit dhe buzë urës së përroit të Manasderës, ata sot ndjehen të braktisur, të poshtëruar, të harruar, të mashtruar, dhe pa asnjë shpresë për strehim, punësim, shkollim etj. Mbi 1200 familje rome në Elbasan kanë humbur ndihmën ekonomike prej afro 2 vitesh, dhe nuk kanë shpresë ta rimarrin sërish atë. Por në Zyrën e Ndihmës Ekonomike thonë se “familjet rome kanë mbetur pa përfituar ndihmën ekonomike pasi nuk dinë të aplikojnë online”. Projekti pilot i Ministrisë së Mireqenies Sociale ka rënduar më së shumti familjet rome dhe egjiptiane në Elbasan. Të grupuar prej disa vitesh në një shoqatë ata kërkojnë vëmëndjen e shtetit për një ndër kategoritë më në nevojë. Shërbimi Social në Elbasan kërkon aplikim korrekt në sistemin on-line, në një kohë kur rreth 70 për qind e kësaj shtrese kanë kryer vetëm arsim fillor në këtë qytet.
Baraket e tyre nuk legalizohen
Sikur të mos mjaftonte situata e rënduar e jetesës dhe problemet me strehimin dhe punësimin, edhe ata romë që disponojnë ndonjë banesë, ndjehen të përjashtuar nga procesi legalizimit. Janë afro 700 familje të komunitetit rom në Elbasan që jetojnë prej vitesh në baraka apo godina të përshtatura si banesa, dhe nuk kanë mundur të përfitojnë nga ndryshimet e kryera së fundi në ligjin për legalizimin e ndërtimeve informale. Drejtuesit e shoqatës së këtij komuniteti në këtë qytet janë munduar të takojnë përfaqësues të qeverisë dhe deputetë të të dy palëve në mënyrë që ligji i ri t’i përfshijë dhe ata, por nuk ja kanë arritur. Në këto kushte, ata shpresojnë që presidenti i Republikës, apo edhe Avokati Popullit, ta kthejë mbrapsht ligjin dhe parlamenti të bëjë ndryshimet në favor të tyre. Banorët e këtij komuniteti thonë se gjendja e rënduar ekonomike nuk iu ka mundësuar në vite që të investojnë në këto baraka për t’i kthyer në shtëpi të rregullta banimi. Ndërkohë, drejtuesit e ALUIZNI-t në Elbasan thonë se “ligji i ri nuk ka prekur pjesën sa i takon legalizimit të barakave, kjo kategori ka qenë e përjashtuar që në ligjin e miratuar 8 vjet më parë”. Në Elbasan ka mbi 1750 baraka ku jeton komuniteti rom, ndërsa këto banesa pa asnjë kusht higjeno-sanitar dhe kriter ndërtimor nuk mund të legalizohen. Sipas ligjit “legalizohen vetëm ndërtimet me konstruksion hekuri apo betoni”, por në ditën e hyrjes së tij në fuqi ka qenë i përfunduar sipas të gjitha standardeve. Romët shprehen se “ne shihemi si skllevërit dikur, edhe pse kanë ardhur ministra, deputetë por edhe Avokati Popullit, duke na thënë se vendet e Europës kanë dhënë miliona lekë për ju, asnjë nga këta zyrtarë të lartë të shtetit nuk ka bërë asgjë konkrete”. Barakat e tyre janë me dërrasa, plastmase, dhe oborret të mbushura me inerte të hedhura nga firmat ndërtuese. Shpesh foshnjet i lindin edhe në banesat e tyre, pasi nuk kanë mundësi të paguajnë 300 mijë lekët nën dorë tek mjekët në Maternitet. Në ambulanca dhe spitale romët injorohen, denigrohen, dhe kurrë nuk u jepet shërbim i duhur mjeksor, për pasojë edhe vdekshmëria e tyre mbetet e lartë. Romët në Elbasan nuk ndjehen të përkrahur dhe të përfaqësuar askund në institucionet e tyre. Edhe në kopshte dhe shkolla, fëmijët e tyre nuk pranohen, nuk regjistrohen dhe nuk trajtohen ashtu siç e përmban ligji për trajtimin e barabartë të shtetasve shqiptarë. 
Eksperimenti, gjuha rome në UE
Universiteti “A. Xhuvani” në Elbasan, ndoshta ka menduar të kryejë një fazë eksperimentale për të futur në programet e tij gjuhën rome. UE ka vendosur që për vitin e ri akademik, Fakultetit të Gjuhës Shqipe t’i bashkangjisë edhe atë të studimit të gjuhës dhe kulturës rome. Ministria e Arsimit ka miratuar hapjen e kësaj dege me kushtin e plotësimit të kuotës prej 30 studentësh. Por nga qyteti i Elbasanit nuk pritet të ketë asnjë kandidat rom, pasi i vetmi nxënës i këtij komuniteti, që ndjek shkollën e mesme është në klasën e 11-të. Dekani i Fakulteti Shkencave Humane shpreson që kuota e nevojshme të plotësohet me kandidatë, jo vetëm nga romë të ardhur nga qytete të tjera të vendit. Kryetari i shoqatës rome në Elbasan, duke pranuar se numri i fëmijëve të shkolluar është tepër i ulët shpreson që përgatitja e mësuesve në këtë dege të ndihmojë fëmijët të vazhdojnë edhe studimet e mesme dhe të larta. Mësimi i gjuhës dhe kulturës rome në qytetin e Elbasanit bëhet vetëm në disa kurse të organizuara në shoqata në ambientet e shkollave publike. Komuniteti rom në qytetin e Elbasanit arrin deri në 5000 persona dhe vetëm 224 fëmijë ndjekin shkollën 9-vjeçare, ndërsa nuk ka një statistikë të saktë për fëmijët që nuk janë ulur asnjëherë në bankat e shkollave.
Sigal