Rolin e zëdhënësve të sotëm e kanë luajtur dikur tellallët, rolin e psikologëve e kanë luajtur fallxhorët

525
Para disa ditësh, në gazetën “Telegraf” erdhi një reagim nga një institucion, për të cilin kishim publikuar një fakt korrupsioni! Në tekstin e dërguar nga zëdhënësi i shtypit, kundërshtohej fakti që ishte i dokumentuar! Telefonuam zëdhënësin për t’i dërguar dosjen e plotë, por ai konfidencialisht, na tha: – “E di që fakti është siç e keni publikuar ju, por unë dërgova atë tekst që shefi ma dha të gatshëm”! Zëdhënësi nuk duhet paragjykuar as kur flet me “zërin” e shefit dhe as kur nuk flet fare, mbasi është punonjës që atje e kanë çuar për të qenë “video” me zë e më figurë, në shkëmbim të një page e një zyre të rehatshme! Çfarë ndodh? Është vendosur si strukturë zyrtare, funksioni “Zëdhënës shtypi”! Është një vend pune, për disa spikerë lajmesh, kronikanë, kameramanë e madje edhe për individë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje profesionale me medien, nuk dinë të hartojnë as në planin kuptimor e as atë drejtshkrimor një deklarim. Këta zëdhënës, për aq kohë sa janë “gazetarë” në media, ankohen se “nuk u jepet informacion nga institucionet! Sa emërohen të tillë me “preferenca personale” drejtuesish, bllokojnë çdo informacion, natyrisht duke zbatuar urdhrat e shefave, për të mos informuar. Kohët e fundit, “zëdhënësit” e institucioneve që nuk japin asnjë informacion, kanë nisur të vetë-quhen “këshilltarë për mediet”, paçka se marrin këshilla nga shefat, se çfarë duhet të bëjnë, se si duhet të hartojnë njoftimet dhe reagimet. “Grada” që ata i kanë vendosur vetes është një grandomani që stonon, mbasi funksionalisht fjala “zëdhënës”, ka kuptimin e “zërit” që përfaqëson institucionin. Pra, ata janë në rolin e “tellallëve” të dikurshëm, që bënin njoftime të qeverisjes lokale! Ky model, ndeshet edhe në veprimtarinë e psikologëve që janë punësuar nëpër shkolla, kopshte, gjykata, burgje, qendra sociale, azile pleqsh e jetimore. Kur i dëgjon që flasin në seanca gjyqësore, në komunikime me fëmijë e prindër që kanë nevojë për “qetësim psikologjik”, në emisione televizive e kudo ku ushtrojnë veprimtari, të kujtojnë fallxhoret që parashikojnë se si do të ecë fati, puna, jeta, harmonia familjare, martesa, pasuria, sëmundja e gjithçka! 

Përparim HALILI
Sigal