Sigal

Keida Muça

Audituese në KLSH

Ndryshimet klimatike – Roli i SAI-ve dhe përdorimi i të dhënave në auditime

Ndryshimet klimatike janë çështja e ditës sa i takon temave mjedisore. Ndikimi i aktivitetit njerëzor në këto ndryshime është temë e një debati mbarëbotëror, i cili e ka ndarë opinionin në 2 grupime, në ata që mbështesin idenë se aktiviteti njerëzor ka ndikimin e tij të konsiderueshëm në ndryshimet klimatike, dhe në pjesën tjetër, që mbështet idenë se ndryshimet klimatike janë ndodhi totalisht natyrale dhe që nuk ndikohen nga aktiviteti njerëzor.

Ndryshimet klimatike dhe ndikimi i aktivitetit njerëzor

Klima e Tokës ka ndryshuar përgjatë gjithë historisë. Vetëm në 650,000 vitet e fundit ka pasur shtatë cikle të përparimit dhe tërheqjes akullnajore, me fundin e papritur të epokës së fundit të akullit rreth 7,000 vjet më parë duke shënuar fillimin e epokës moderne të klimës – dhe të qytetërimit njerëzor. Shumica e këtyre ndryshimeve klimatike i atribuohen variacioneve shumë të vogla në orbitën e Tokës që ndryshojnë sasinë e energjisë diellore që merr planeti ynë.  Satelitët që vërtiten rreth tokës dhe përparimet e tjera teknologjike, u kanë dhënë mundësinë shkencëtarëve të mbledhin të dhëna rreth planetit tonë dhe klimës së tij, në shkallë globale. Këto të dhëna të mbledhura përgjatë shumë viteve, japin sinjalet e një klime të ndryshueshme. Natyra e kapjes së nxehtësisë së dioksidit të karbonit dhe gazrave të tjera u demonstrua në mesin e shekullit të 19-të. Bërthamat e akullit të nxjerra nga Groenlanda, Antarktiku etj., tregojnë se klima e Tokës reagon ndaj ndryshimeve në nivelet e gazrave serrë. Dëshmia e lashtë mund të gjendet edhe në unazat e pemëve, sedimentet e oqeanit, koralet nënujore dhe shtresat e shkëmbinjve sedimentarë. Kjo dëshmi e lashtë ose paleo-klimatike, tregon se ngrohja aktuale po ndodh afërsisht dhjetë herë më shpejt se norma mesatare e ngrohjes pas epokës së akullnajave. Tendenca e tanishme e ngrohjes është me rëndësi të veçantë, sepse shumica e saj ka shumë gjasa (më shumë se 95% probabilitet) që të jetë rezultat i aktivitetit njerëzor, që nga mesi i shekullit të 20-të e në vijim, me një ritëm që është i paprecedentë.

Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike

Marrëveshja për klimën e nënshkruar në Paris në vitin 2015 kërkon një përpjekje globale për mbajtjen e ngrohjes globale nën 2 gradë Celsius (rritja e shprehur), apo 1.5 nëse është e mundur (rritja e synuar). Sipas tendencave aktuale, Toka do të shkojë drejt një ngrohjeje dy herë më të madhe sesa ky kufi, para fundit të këtij shekulli.

80% e gazrave që shkaktojnë efektin serrë lëshohen nga aktivitetet që kanë lidhje me energjinë, më konkretisht sipas sektorëve, këto gazra lëshohen nga:

Industritë që kanë lidhje me energjinë 28%;

Transporti 27%

Industri të tjera 18%

Ndërtesat 12% (sistemet e ngrohjes / ftohjes, tj.)

Bujqësia 8%

Menaxhimi i mbetjeve 3%

Sektorë të tjerë 3%.

Marrëveshja e Parisit synon të forcojë aftësinë e vendeve për t’u marrë me efektet negative të ndryshimeve klimatike. Synohet mbulimi financiar i vendeve më të zhvilluara për vendet më të varfra, zhvillime të reja teknologjike si dhe një kornizë e zgjerimit të kapaciteteve dhe ndërtimit të mëtejshëm të bazës ligjore për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara. Synohet sigurimi i veprimeve mbështetëse për marrëveshjen e përbashkët si nga vendet në zhvillim dhe nga vendet më të varfra, veprime të cilat të jenë në harmoni me objektivat kombëtare të të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekjet më të mira për të kontrolluar emetimet e tyre dhe për të raportuar rregullisht përpjekjet e tyre të zbatimit. Elementët kyç të Marrëveshjes së Parisit:

Qëllimi afatgjatë i mbajtjes së rritjes së temperaturës së Tokës nën 2 gradë Celsius;

Zbutja e ndryshimeve klimatike;

Ruajtja dhe përforcimi i rezervuarëve të gazeve të efektit serrë;

Përshtatja (adaptimi) ndaj ndryshimeve klimatike.

Roli i SAI-ve në aktivitetet për zbutjen dhe adaptimin e ndryshimeve klimatike

Politikat e adoptuara nga vendet e BE-së dhe jo vetëm, si dhe planet e veprimit, programet e qeverive të ndryshme, projektet, fondet e akorduara në këtë drejtim, etj. bëhen vazhdimisht pjesë e programeve të auditimeve të Institucioneve Supreme të Auditimit. Tashmë janë krijuar data baza të tëra në lidhje me ngrohjen globale e ndryshimet klimatike, të cilat përmbajnë informacion mbi kontribuesit më të mëdhenj të rritjes së temperaturës së planetit, drejtimet ku ndikimi i GHG-ve (Greenhouse gases – Gazet e efektit serrë) është më i fortë, luhatjet ndër vite, ndikimi i marrjes së masave zbutëse sipas angazhimit në Marrëveshjen e Parisit, etj. Të gjitha këto të dhëna janë të hapura për këdo dhe po përdoren nga SAI-t për auditimet e tyre. Këto auditime mund të jenë si individuale dhe disa palëshe ose rajonale, në varësi të SAI-ve të angazhuar në auditim. SAI-t e Gjermanisë, Letonisë, GAO e Shteteve të Bashkuara kanë filluar kryerjen e auditimeve në lidhje me ndryshimet klimatike. Vlen të përmendet auditimi i SAI-t Gjerman, i cili kishte në fokus përmbytjet dhe menaxhimin e fondeve të akorduara për to. Përmbytjet kanë ardhur në rritje vitet e fundit, ashtu si edhe dukuri të tjera natyrore si tërmete, tsunami, uragane e ciklone, shtimi i të cilave shihet si i lidhur direkt me efektet e ngrohjes globale. SAI të tjera gjithashtu janë të angazhuara në kryerjen e auditimeve që lidhen me elementë të veçantë të ndryshimeve klimatike, ku përmendim auditime në lidhje me energjinë, ajrin, transportin, menaxhimin e mbetjeve, aktivitetin bujqësor, etj. Një nga këto SAI është dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka kryer këto vitet e fundit auditime të performancës në lidhje me Menaxhimin e Mbetjeve Urbane dhe ka qenë pjesë e auditimit të përbashkët për Cilësinë e Ajrit, për Zonat e Mbrojtura Detare, etj. KLSH-ja është angazhuar të rrisë numrin e auditimeve të saj në lidhje me çështjet e ndjeshme të mjedisit, si dhe të bëhet pjesë e auditimeve të përbashkëta me SAI-t e rajonit, për auditimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike apo elementë të veçantë që lidhen me to.