Risitë për patentat, ja si kryhet verifikimi i pikëve

526
Publikohen detaje të tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor sa i përket patentave, duke përcaktuar rastet kur hiqen dhe jepen pikët. Për çdo shkelje që policia rrugore raporton pranë Drejtorisë së Transportit rrugor, pikët ju zbriten nga patenta nga një sistem online që tashmë ka filluar të funksionojë. Ndërkohë, çdo shofer ka të drejtë të kontrollojë sasinë e pikëve që ka secili “online”.

Procedurat për dhënien, heqjen, verifikimin dhe shtimin e pikëve
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Transporteve Rrugore, të gjithë ata persona të cilët janë pajisur me leje drejtimi para datës 16 prill 2015, dhe janë pjese e regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve, përfitojnë 20 pikë.
Drejtuesve të mjeteve që bëhen pjesë e regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve pas datës 16.04.2015, numri prej 20 pikësh ju jepet në datën që behën pjesë e këtij regjistri.
Ndërsa sa i përket heqjes së pikëve, këto të fundit pësojnë shkurtime (zbritje), në bazë të njoftimeve për shkelje të normave të sjelljes, parashikuar në kapitullin V të Kodit Rrugor. 
Të gjithë personat e pajisur me patentë kanë të drejtë të verifikojnë pikët, për verifikim të gjendjes së pikëve, drejtuesi i mjetit duhet të jetë i regjistruar në portalin e Albania (https://ealbania.al/sherbimi.aspx?kodi=4468) dhe të hyjë në llogarinë personale me të dhënat e tij të identifikimit. Për regjistrimin dhe verifikimin e pikëve zgjedh shërbimin “Pikët e drejtuesit të mjetit”. Përveç rastit të humbjes së plotë të pikëve, mungesa e shkeljes së një neni të normave të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një periudhë prej dy vjetësh, shoqërohet me dhënien e një sasie pikësh bonus.
-kur mbajtësi i leje drejtimit ka më pak se njëzet pike, numri i pikëve i shkon në njëzet.
-kur mbajtësi i leje drejtimit ka jo më pak se njëzet pikë, i jepet një kredit prej dy pikësh me kusht qe totali i pikëve te mos kaloje tridhjetë pikësh.

Provimi i kualifikimit për marrjen e pikëve të hequra
Personat të cilët kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit, kanë të drejtë ti nënshtrohen një provimi kualifikimi. Po ashtu, të njëjtit provim duhet t’i nënshtrohet mbajtësi i leje drejtimit, i cili pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej të paktën pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën prej pesë pikësh secila. Por nëse personi që ka humbur totalin e pikëve nuk i nënshtrohet provimi të kualifikimit, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për dhënien e tij, ose megjithëse i është nënshtruar provimit nuk e ka fituar atë, leja e drejtimit pezullohet pa afat. Të drejtën e rimarrjes së patentës e kanë vetëm ata persona të cilët rezultojnë fitues në provimin e kualifikimit. Drejtuesi i mjetit i cili ka detyrimin e dhënies së provimit të kualifikimit për rimarrjen e pikëve dhe ndërkohë ka të pezulluar lejen e drejtimit për shkak të shkeljes së Kodit Rrugor, dhënia e provimit i lejohet vetëm përfundimit të afatit të pezullimit të lejes së drejtimit. Regjistrimi dhe dhënia e provimi të kualifikimit bëhet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor. 
Sigal