“Rilindja e Re” i bije borijes

563
Nga Hyskë Borobojka
Fejton 
Një mëngjes të freskët pranveror “Rilindja e Re”, mori rrugën drejt Evropës, për t’i rënë borijes së arritjeve e sukseseve e për për të trokitur në derën e saj, ashtu si kishte bërë disa herë kur erdhi në pushtet. Kishte ngarkuar në shpinë një thes të madh me premtime, zotime të vjetra e të reja e “suksese të papara”. Pesha e ngarkesës, ishte aq e madhe dhe e rëndë, sa e gjore “Rilindje” ishte kërrusur më dysh, duke formuar një kënd 90 gradë, aq sa kurrizi kishte marrë formën e magjes. Sa trokiti në derën e Kontinentit të Vjetër, duke pritur t’i thoshin, -hyrë!, mori përgjigjen e padëshirueshme: -Mos e kapërce pragun e derës, se bije erë kanabis e drogë dhe do na qelbësh mjedisin. Prandaj ktheu andej nga ke ardhur, bëj një banjë të mire, u pastro, pastaj shohim e bëjmë për të hyrë brenda! “Rilindjes së Re” iu tha pështyma në grykë. Kjo përgjigje e këputi në mes, aq sa mezi po i mbaheshin këmbët për t’u kthyer andaj nga kishte ardhur e bërë pikë e vrer. Me t’u kthyer në shtëpinë e saj, i bëri për ujë të ftohtë disa nga anëtarët e qeverisë së saj, që kishin mbyllur sytë e kishin vulosur veshët dhe s’kishin parë e s’kishin dëgjuar si bleronte kanabisi nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim të vendit. Madje s’kanë parë as laboratorët e përpunimit të drogës dhe as avionët, kamionët e gomonet që e transportonin drejt Evropës, duke siguruar të ardhura të majme. Si mori këto masa të “papara” e bëri reforma të “thella”, “Rilindja e Re”, shaloi “kalin dori” e u nis përsëri për të trokitur në portën e madhe të Evropës. Duke i rënë përsëri borijes: -Kam ardhur t’u jap “sihariqin” se në shtator do të ketë ndryshime të thella e të rëndësishme në qeverinë e “Rilindjes”! Të gjithë zullumqarët e të paditurit, që i kanë bërë bisht detyrës e kanë shkelur e të dyja këmbët ligjet do t’ua heq karriget e pushtetit!? Por akoma s’i kishte dhënë fund ligjëratës të zotimeve e premtimeve të zakonshme, i kujtuan një këngë të vjetër, që këndohet në brigjet e Adriatikut e të Jonit, në zonën fushore e në malësi: 

“Më gënjeve me gënjeshtra,
Më thoshe kur të vijë vjeshta,
Vjeshta erdhi edhe shkoi,
Por gënjeshtra nuk mbaroi.” 

Edhe pse s’hyri dot në shtëpinë e madhe të Evropës, kryetari i “Rilindjes së Re” nuk u thye, por u kthye në shtëpinë e vogël të tij, i mbushi “hejbetë” me zotime, premtime, reforma e suksese të reja, shaloi “kalin dori” dhe mbërrit në dyert e Evropës. Pa i zbrazi “hejbetë” me reforma të “mëdha” dhe me suksese të papara, dhe po priste t’i thoshin: -Erdhe, mirë se erdhe, “bujrëm” brenda! Por të zotët e shtëpisë së madhe të Evropës i kujtuan një këngë tjetër të vjetër: 

“Të tjera bën, të tjera thua!”
-Me “keqardhje” i thanë kryetarit të “Rilindjes së Re”, se është nga ata burra të rrallë “historikë” që flet ndryshe e vepron ndryshe! Edhe pas kësaj përgjigjeje, “Rilindja” (edhe pse vuan nga sëmundja e harresës) nga këmbët është e fortë dhe mori rrugën përsëri drejt portës së Kontinentit të Vjetër. Kësaj radhe nuk duroi ta pyesnin përse ishte lodhur duke bërë gjithë atë rrugë, në fusha e në male, por u ankua se qeverinë e saj, për të arritur majat e sukseseve e të begative, është populli që e pengon, jo vetëm me fjalë “kazani”, por edhe me veprime e protesta. Kur dëgjuan këtë shprehje, të zotët e shtëpisë së madhe të Evropës u pataksën, se as kishin parë e as kishin dëgjuar që në këtë shekull (madje në asnjë shekull tjetër) që populli të pengojë e të ndalojë qeverinë e tij të krijoje të mira materiale e t’i sjellë lumturinë e begatinë vendit të tij. “Rilindja e Re” është si puna e atij që kur rrëzohet, ngrihet përsëri. Ajo thesin e zotimeve e premtimeve e ka të madh dhe, sado t’i zbrasë ato, nuk mbaron, si lumi që nuk shteron. Ajo fton banorët e Evropës të vijnë turistë në Shqipëri, të theken buzë detit e të freskohen luginave të maleve e brigjeve të lumenjve malorë. Madje për t’ua bërë rrugëtimin sa më të mirë e të rehatshëm ka vendosur të ndërtojë sa më shpejt (pasi ka premtuar disa herë) “Rrugën e Arbrit” dhe të hapë tunelin e Llogorasë, për t’u dhënë mundësi turistëve të sodisin sa mirë e të shijuar bukuritë e Rivierës Shqiptare”. Por si duket edhe kësaj radhe, s’ia mbushi dot mendjen evropianeve, kur i thanë: Ke pesë vjet që ke filluar rrugën Lin-Pogradec dhe akoma s’e ke mbaruar. Kur të presësh shiritin e përurimet na njofto të marrim pjesë e të freskohemi me “valëzat lozonjare” të liqenit. Por “Rilindja e Re’ nuk tërhiqet pas çdo dështimi. Kryetari i saj vazhdon të trokasë e t’i bjerë borijes në dyert e Evropës, se qeveria e tij, për ndërtimin e një ushtrie evropiane shpenzon 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në NATO. Por Kontinenti i Vjetër u zu ngushtë. Kë të besojë kryetarin e qeverisë së “Rilindjes së Re’, apo anëtaren e qeverisë të kësaj “Rilindjeje”, që ka deklaruar e njoftuar, jo vetëm Evropën por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se Prodhimi i Brendshëm Bruto është 1,2 për qind dhe se do të arrijë shifrën 2 për qind (si thotë kryetari i saj) në vitin 2024. Dhe e këshilluan të ketë durim të presë nja gjashtë vjet deri kur të bëjë këmbë e të vijë ky vit. Thonë se “Rilindja e Re” i ra burijes sa u lodh, por s’i duket ajo ishte çarë e merrte erë dhe i shtrembëronte e i ngatërronte tingujt e meloditë. Prandaj vendosi ta godiste e ta riparonte, jo te kovaçi, por te argjendari dhe të kthehej tutje nga qershori më detyra të realizuara e jo me slogane pa bukë. Në mos shkoftë me suksese në qershor, do udhëtoje tutje nga dhjetori, ditët, javët e muajt nuk hyjnë në thes dhe as mbyten në përrua, në lumë e në det.
Sigal