Rikthehet siguria ushqimore në Durrës, tregu dhe prodhimi kalojnë në filtër, reagim për çdo denoncim

644
Vjollca KUTA
Drejtuesi rajonal i AKU, Sefer Sefa, programon dhe zbaton platformë të re kontrolli: Tolerancë zero ndaj abuzimit me produktet, verifikim punës të çdo inspektori
Prej më se 10 ditësh, po dëgjojmë informacione për kontrolle të shumta në subjektet ushqimore, pothuajse vetëm nga prodhimi dhe tregjet në Qarkun e Durrësit, nëpërmjet të cilave publikohen raste zbulimi e ndëshkimi abuzimesh që bëhen me produktet, veçanërisht nga prodhues dhe tregtues të paligjshëm e të pa sigurt, të lejuar të ushtrojnë aktivitet prej qëndrimeve korruptive dhe konfliktit të interesave të disa ish-zyrtarëve të AKU rajonale e të disa zyrtarëve dhe inspektorëve të këtij “kallëpi”, që ende vegjetojnë në zyra dhe funksione brenda AKU së Durrësit, të cilëve u ka nisur procesi i verifikimit të veprimtarisë së këtyre 4 viteve! Ky realitet po evidentohet dhe goditet sipas ligjit të anti-krimit ekonomik, me bazë ligjin për ushqimin dhe urdhrin e lëshuar prej Drejtorit të Përgjithshëm të AKU, zotit Agim Ismaili, për të mbajtur nën kontroll sistematik e të rreptë prodhimin dhe tregun ushqimor, me bazë evidentimin e prodhuesve ilegalë dhe kështu ka nisur të veprohet. 
Kontrolle, evidentime, bashkëpunim me prodhuesin, tregun, konsumatorin
Është fakt, që prodhimi dhe tregu ushqimor në Qarkun e Durrësit është përfshirë nga një “furtunë” kontrolli e monitorimi ligjshmërie, cilësie, higjiene e sigurie në terren, mbështetur në një platformë të re, të ideuar dhe hedhur në zbatim nga drejtuesi i ri Sefer Sefa, mbështetur në Programin Kombëtar të Sigurisë Ushqimore, të promovuar nga kryeministri Edi Rama, për të pastruar përfundimisht sektorin ushqimor nga rreziku i jetës dhe shëndetit të konsumatorit! Pavarësisht refuzimit të drejtorit Sefa, për të na folur lidhur me zbatimin e platformës me objekt: “Tolerancë zero në sigurinë ushqimore, filtër veprimtarisë së përditshme të çdo inspektori të AKU zonale”, gazeta “Telegraf” bëri një vëzhgim në tregun e këtij qarku, duke tërhequr mendimin e qytetarëve dhe të institucioneve bashkëpunuese ligjore të AKU, si bashkitë dhe njësitë vendore Durrës, Shijak, Sukth, Krujë e Fushë-Krujë e po kështu në Këshillin e Qarkut, në Prefekturë, në Policinë e Shtetit, në Tatime, Doganë, në Shëndeti Publik etj., prej të cilave mësoi faktin, që AKU e Qarkut Durrës ka marrë një fizionomi të re, po vepron me praktika të reja eficente, efekti i të cilave duket në reagimet dhe vlerësimet e qytetarëve. Aksioni i finalizuar me sukses në disa subjekte ushqimore, tregoi se ekipi drejtues i AKU ka nisur bashkëveprimin e shpejt, të hapur dhe të detajuar me këto institucione, për të garantuar sigurinë ushqimore, duke goditur rastet abuzive në treg, prodhim, transport, higjienë mjedisore të aktivitetit! Sipas prodhuesve dhe tregtarëve të Qarkut Durrës, operacioni i AKU për “rilindjen” e sigurisë ushqimore, ka nisur me evidentimin e realitetit në terren. Pas evidentimeve, ka nisur komunikimi me qytetarët, të cilëve u ëhstë kërkuar të jenë partnerë në luftën kundër pasigurisë ushqimore. Më tej, në parmin “Gjoba, pezullimi, bllokimi dhe nxjerrja nga tregu është akti i fundit”, AKU-Durrës ka nisur komunikimin me subjektet prodhuese e treguese e ushqimore, për t’u bërë të qartë detyrimin për zbatimin e ligjit në respektimin e sigurisë ushqimore që nga lënda e parë, mjedisi aktivitetit, cilësia e produktit, transportit sipas kushteve e deri tek etiketimi dhe ambalazhimi i qartë dhe shpjegues për çdo të dhënë të produktit, gjë e cila shërben edhe si një paralajmërim për “tolerancë zero”! 
AKU-Durrës, synon instalimin e bindjes për luftë kundër pasigurisë ushqimore
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të AKU të Shqipërisë, zotit Agim Ismaili, “modeli i ri i kontrollit ushqimor në qarkun Durrës”, po dëshmon se kur drejtuesi dhe stafi kanë vullnet e ndershmëri për të kryer detyrën sipas ligjit, gjithçka ecën mirë”! Nuk është fjala të bëhet bilanc shifrash kontrolli, apo gjobash aktesh pezullimi e sekuestrimi që janë bërë këto ditë në tregjet dhe prodhimin ushqimor në qarkun Durrës. Qëllimi është, që të krijohet një front i përbashkët kundër pasigurisë ushqimore, me partner kryesor konsumatorin dhe institucionet në qark, të cilat duhet të jenë mbështetje e AKU, për të garantuar dhe rikthyer sigurinë ushqimore, siç ka nisur të veprohet së fundi! Mbi të gjitha, hapi i parë është instalimi i qëndrimit për luftë kundër pasigurisë ushqimore, për më tepër, në një qark si Durrësi, që është epiqendër prodhimi, tregu të brendshëm dhe importi ushqimesh të çdo lloji e të çdo origjine malli! Qarku Durrës është i vështirë për t’u monitoruar, mbasi ka një “hartë” të madhe territoriale, brenda të cilit ushtrojnë veprimtari tregje bazë e masive ushqimore vendore, tregje sezonale, tregje transit, tregje ditore që futen nga zonat e tjera të vendit që blejnë e shesin me shumicë. Sidomos tani këtë periudhë prag-fundviti, ka ngarkesë lëvizjesh e konsumi ushqimor, mbasi përveçse ka volumin më të madh të prodhimit të produkteve ushqimore natyrale, familjare, komunitare, zonale e agro-ushqimore por ka edhe produkte që “dynden” nga vendet e BE, të rajonit e të botës e për më tepër, dhe çdo zonë e Shqipërisë. Këtij realiteti me konsum masiv, AKU e Durrësit po i përgjigjet me skemë të re organizimi punësh, përshtat problematikave që janë mbartur e krijohen!
Disa nga sektorët bazë të kontrollit
1. Prodhimet e qumështit
2. Tregu dhe prodhimi i ushqimeve për fëmijë
3. Magazinimi dhe tregu i peshkut
4. Therjet e mishit
5. Tregjet e mishit
6. Nënproduktet e mishit
7. Prodhimet e konservave
8. Restorantet me prodhime deti, njësitë e konsumit popullor
9. Tregjet e hapura
10. Standardet e ushqimeve në markete, super-markete dhe pika shumice
11. Produktet që futen nga porti detar
12. Ushqimet për kafshët
13. Prodhimet e konservuara agro-ushqimore
14. Prodhimet e lëngjeve, vajit, pijeve alkoolike
15. Prodhimet e brumit, buka, pastiçeritë dhe ushqimet ditore të paketuara të fëmijëve
Sigal