Rikthehen radhët e gjata te kolaudimi i automjeteve

610
Sigal

Premtimet e kompanisë zvicerane SGS, manovra për të zgjatur monopolin e shërbimit

Rikthehen radhët e gjata te kolaudimi i makinave. Nuk ka ndryshuar asgjë nga fundviti i kaluar, kur presioni i mediave nga krijimi i “radhëve të qumështit” e detyruan kompaninë SGS që të premtonte shërbimin e prenotimit on-line në internet. Por, për çudi, as shërbimi on-line i premtuar, që do të niste që në 1 mars të këtij viti, nuk funksionoi. Ky premtim rezultoi vetëm një manovër e kompanisë SGS në zgjatjen e shërbimit monopol të kolaudimit të makinave. Qytetarëve shqiptarë u duhet një shërbim i shpejtë që të bëhet pranë serviseve të licencuar si kudo në Europë. Ndërsa Qeveria nuk duhet të vazhdojë të ushqejë këtë monopol të koncesionarëve zviceranë, duke i lënë qytetarët e vet pa alternativa. Radhët e gjata po kthehen në makth për qytetarët shqiptarë, ndërsa qeveria aktuale premtoi që me ardhjen e së majtës në pushtet, ky shërbim nuk do të ishte më monopol. Sipas qytetarëve, radhët e gjata sjellin si pasojë korrupsionin dhe makina del e pakontrolluar, nëse jep lekë nën dorë. Duke bërë llogari të thjeshta, qytetari më mirë paguan nën dorë sesa të humbasë ditën e nesërme, duke iu rikthyer radhëve të gjata. Një tjetër pikë që është shumë e kontestuar nga qytetarët, duke iu referuar eksperiencave të shteteve të tjera, është detyrimi për të bërë kolaudimin e makinave të tyre për çdo vit. Në Europë ky shërbim bëhet një herë në 2 vjet ose dhe në një afat më të gjatë. Ndërsa në Amerikë, kolaudimi nuk njihet fare si koncept. Pra, qytetarët shqiptarë nuk mund të gënjehen më, duke u premtuar linja të reja të kolaudimit në Tiranë apo prenotim on-line “për të planifikuar kapacitetet e nevojshme dhe shmangien e problemeve të radhës”. Qytetarët shqiptarë nuk gënjehen dot me manovrat e kompanisë SGS, ndërsa kërkojnë nga qeveria të mbajë premtimin e saj për të liberalizuar shërbimin e kolaudimit të automjeteve. Pikat e kontrollit duhet të shumëfishohen në përputhje me tregun e lirë (në funksion të qytetarit) dhe me një rregullore të rreptë, të kontrolluar nga organizma shtetërore të veçanta. Realiteti shqiptar kërkon funksionimin e shumë kompanive të kontrollit të automjeteve dhe jo shërbim monopol. Në kohën kur numri i mjeteve është rritur jashtëzakonisht shumë, shërbimi monopol i kompanisë zvicerane SGS nuk mund të përballojë një fluks kaq të madh dhe në mënyrë cilësore. Dihet që vetëm konkurrenca rrit cilësinë, ndërsa në kushtet e ekskluzivitetit të një shërbimi, është qytetari ai që e paguan, si në shërbim jo cilësor, ashtu dhe në tarifa të kripura. Mungesa e konkurrencës sjell dhe shkeljen e lirisë së qytetarit për të zgjedhur kompaninë, ku kërkon të kryejë shërbimin.

 SGS prej 5 vitesh, koncesionari i vetëm

Në vitin 2009, Kontrolli Teknik i Automjeteve i është dhënë me koncesion kompanisë zvicerane SGS, Societe Gjenerale de Surveillanc. Ky është një aktivitet që sjell miliona për sektorin publik, nëse administrohet nga shteti. Ndërkohë kjo kompani ka krijuar monopolin në fushën e kontrollit autoteknik të automjeteve. Kolaudimi, është një proces kontrolli i përvitshëm që në bazë të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë është i detyrueshëm për çdo automjet, që është i regjistruar në vendin tonë. Në ato vite për këtë koncesion pati shumë debate, pasi kishim të bënim me një abuzim ligjor, që nisi tek shkelja e Kushtetutës dhe e ligjeve në fuqi”. Gjatë këtyre 5 viteve pritej ndryshimi i ligjit, që do të sillte dhe liberalizimin e procesit. Ndërsa kërkesat e qindra kompanive të interesuara për këtë shërbim flenë në sirtarët e ministrave, të interesuar për mbajtjen monopol të këtij shërbimi.