Rikthehen bandat e 1997-ës në Elbasan dhe Cërrik

1215
Banorët “Çdo natë ka vjedhje, grabitje, krime, përplasje me armë”
Nga Lindita MALO
Afrimi i fushatës zgjedhore duke se ka nxehur “gjakrat” dhe u ka dhënë zemër të rikthehen edhe bandave të 1997. Duke ndjekur modelin e dikurshëm, po formohen dhe po veprojnë njëlloj si para 20 vitesh, bandat e armatosura, duke u kujtuar banorëve të Elbasanit dhe Cërrikut, tmerrin e vitit të zi. Burime nga Elbasanit dhe Cërriku, ky i fundit qyteti që ka vuajtur tmerrin e vitit 1997 nga bandat e armatosura, i tha “Telegraf” se “kemi mbi 2 muaj që po përjetojmë një situatë të frikshme, nuk ka natë të mos ketë vjedhje banesash, grabitje personash dhe biznesesh, të shtëna me armë, plagosje dhe edhe vrasje, nga persona që lëvizin me makina me targa falso ose pa targa, të armatosur , duke na kujtuar edhe njëherë vitin e zi 1997. Vjedhin dhe grabitin shtëpi, stalla, dyqane, persona, duke na detyruar të mbyllemi brënda pa vajtur ora 18.30”. Një banor i Cërrikut u shpreh se “në periferinë e qytetit dhe fshatrat e zonës, si Mollasi, Shtërmeni, Gostima, Shalësi, Valasi, Papri, dhe shumë akse rrugore nacionale që kanë lidhje me Gramshin dhe Belshin, veprojnë grupe të armatosura, që kanë lidhje edhe me segmente të shtetit, apo janë grupet e hashashit, që i janë kthyer edhe gjobëvënieve, grabitjeve dhe tmerrit të dikurshëm. Ata kanë marrë krahë dhe mbështetje, sepse ndoshta do të përdoren edhe për të fituar me dhunë zgjedhjet e 18 qershorit, por tek banorët kanë nisur të rikthehet edhe njëherë frika e vitit 1997, ndaj apelojmë për ndihmë nga shteti, sepse situata mund të përkeqësohet”. Edhe pse kanë kaluar afro 20 vjet, frika dhe tmerret e vitit 1997 në zonën e Cërrikut dhe Elbasanit, dhe krejt qarkun nuk janë harruar. Janë dy qytetet që e përjetuan gjatë tmerrin e grabitjeve, plagosjeve dhe vrasjeve ditën me diell, duke shpërfytyruar gjithçka jetësore. Por edhe sot pas dy dekadash, banorët duke parë mungesën e shtetit dhe ndihmën e strukturave policore, shprehen se “hija e 1997 duket sikur po vjen, pasi bandat e armatosura veprojnë pothuajse hapur, lëvizin dhe nuk ndalen edhe kur policia gjoja ngre postblloqe, pasi janë kompromentuar dhe janë ortakë në afera dhe biznese të pista”. Situata më e fundit e krijuar në qarkun e Elbasanit, nga rritja e numrit të krimeve, dhe frika e rikthimit të bandave të 1997, edhe pse ka detyruar Ministrinë e Brendshme të dislokojë trupat e FNSH nuk ka gjasa të ndryshojë asgjë. Mjafton të lexosh komunikatën e shtypit të komisariateve të policive të qarkut, dhe do të bindesh se ato çfarë publikohen atje janë vetëm maja e “Malit” me krime që ndodhin përgjatë 24 orëve atje. Rritja e tensioneve politike parazgjedhore dhe afrimi i muajit të fushatës, pritet të shoqërohet me tensione dhe ndoshta me një valë krimesh nga grupimet dhe bandat e armatosura, që natyrisht vitet e fundit kanë arritur të marrin edhe mbështetje politike, duke u bërë tmerri qytetarëve, biznesit dhe çdo njeriu të ndershëm që guxon të denoncojë çdo akt dhune. Banorët e Perrikut dhe zonave rreth qarkut të Elbasanit, shprehen se “rritja dhe tensionimi situatës, do të na detyrojë të armatosemi për të mbrojtur jetët dhe pronat tona, ndaj i themi ministrit Tahiri , mos hajde të na çarmatosësh ne, pa çarmatosur bandat , mos hajde të na mbash fjalime ne, pa spastruar elementët e lidhur me krimin në polici”. 
Sigal