Rikonstruktohet rruga 18 km Krujë – Qafështamë, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

431
Sigal

4 mijë banorë të Komunës Cudhi në rrethin e Krujës, dalin nga izolimi dhe lidhen me rrugë të asfaltuar

Rruga Krujë – Qafështamë 18 km e gjatë, është një tjetër investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe lidh Komunën Cudhi me qytetin e Krujës,  këtë të fundit me Parkun Kombëtar të Qafështamës dhe rrethin e Krujës me rrethin e Matit. Kjo rrugë është financuar nga qeveria shqiptare dhe donatorë të tjerë. Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Rruga ka qenë e paasfaltuar, me gropa dhe e pakalueshme nga automjetet e të gjitha llojeve sidomos në sezonin e shirave. Në pjesën më madhe të saj rruga ka pasur erozion dhe rrëshqitje masive dheu, për shkak të formacioneve të paqëndrueshme dhe amortizimit të veprave të artit. Rruga e re është e asfaltuar dhe ka një gjerësi asfalti prej 5 m, përfshirë bankina anësore në të dyja anët nga 0.5 m. Ajo është e pajisur me të gjithë elementet e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha, tombino, mure mbajtës etj.. Në zonat e banuara janë parashikuar trotuare. Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Benet Beci, gjatë ndjekjes së punimeve së këtij segmenti rrugor, në bashkëbisedim me gazetarët e pranishëm ndër të tjera tha se: “Segmenti rrugor që po shohim sot do të lidhë me rrugë të asfaltuar një nga komunat më të izoluara të rrethit të Krujës me qytetin e Krujës. Kjo rrugë me rëndësi jetike për 4 mijë banorë është e vetmja rrugë lidhëse edhe për parkun kombëtar të Qafështamës. Përmes këtij investimi do të behët e mundur lidhja e rrethit të Krujës me atë të Matit. Rikonstruksioni i këtij segmenti rrugor do të nxjerrë njëherë e mirë nga izolimi fizik dhe ekonomik 10 fshatrat e Komunës Cudhi, duke diversifikuar mundësitë për zhvillim.  Ky investim kryhet në funksion të strategjisë së Qeverisë shqiptare për zhvillimin e turizmit malor,  lidhjes së qendrave të komunave me rrugët nacionale, zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e punësimit. Ai do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, duke i lidhur ata me shërbimet jetësore bazë, shkollat, spitalet dhe tregjet. Ndikimi i kësaj rruge do të jetë i dyfishtë si në nxitjen e ekonomisë lokale ashtu edhe në promovimin e vlerave turistike në zonë. Pas përfundimit të këtij segmenti dhe disa investimeve të tjera të parashikuara në infrastrukturën rrugore në këtë zonë, do të plotësohen më së miri nevojat e saj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore”. Parku Kombëtar i Qafështamës ka një sipërfaqe prej 2000 ha dhe ndodhet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Në këtë park piktoresk dhe mjaft tërheqës gjendet kroi i “Nënës Mbretëreshë” me ujë shumë të pastër, të ftohtë e kurativ. Kroi bën pjesë në listën e monumenteve të natyrës shqiptare. Vlerat e këtij parku dhe peizazhet që ai ofron do të rriten edhe më shumë, falë rikonstruksionit të rrugës që të çon në këtë park.

Infrastruktura rrugore e përmirësuar do të japë rezultate të prekshme për komunitetin e kësaj zone, duke nxitur punësimin dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillimin social – ekonomik të qëndrueshëm.