Riatdhesohen edhe 100 shqiptarë të tjerë, kishin kërkuar azil në Francë, Gjermani e Belgjikë

471
Sigal

Policia e Shtetit ka riatdhesuar sot 100 shtetas të tjerë që kishin kërkuar azil në Begjikë, Gjermani dhe Francë. Sipas një njoftimi nga Policia bëhet me dije se operacioni është zhvilluar së bashku me Frontex.

“Gjatë këtij operacioni u riatdhesuan 100 shtetas shqiptarë, nga të cilët 43 nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 52 nga Gjermania”, shkruhet më tej.

NJOFTIMI I PLOTË

Në vijim të organizimit të operacioneve të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë në situatë të parregullt qëndrimi në territorin francez, belg e gjerman, si edhe për persona apo familje, të cilëve u është refuzuar azili, u zhvillua një operacion riatdhesimi, në bashkëpunim me Frontex-in. Gjatë këtij operacioni u riatdhesuan 100 shtetas shqiptarë, nga të cilët 43 nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 52 nga Gjermania.

Këta janë individë, të cilët kanë vendim për dalje nga territori francez, belg e gjerman, për shkelje të rregullave të lëvizjes në zonën Schengen. Policia e Shtetit edhe njëherë apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe mos të bëjnë përpjekje apo shpenzime duke rënë pre e mashtrimeve për të përfituar azil, pasi shanset për azil janë zero.