(RI) LIDHJE ME SFERËN PUBLIKE

636
Një ekspozitë grupi, Zeta Galeri që shqyrton “hapësirën publike” nga këndvështrimi i pesë pozicioneve artistike bashkëkohore nga Austria: 

Iris ANDRASCHEK & Hubert LOBNIG, GELITIN, Werner REITERER, Anna MEYER dhe Franz KAPFER

Ideja e Hubert Lobnig për një ekspozitë me temën e hapësirës publike bazohet në vëzhgimin e ndryshimit rrënjësor që ka pësuar marrëdhënia e shoqërisë shqiptare ndaj hapësirës publike të kryeqytetit, që nga viti 1992, kur Lobnig vizitoi Tiranën për herë të parë dhe bëri një seri fotografish. Këto fotografi, tani shërbejnë si një hyrje historike për eventin te ZETA, duke krijuar kështu një urë me kuptimin aktual ndaj hapësirës publike të Tiranës. Ndërkohë, Lobnig ka realizuar projekte të shumta të përkohshme dhe të përhershme, si dhe vepra-site- specifik, në bashkëpunim me Iris Andraschek: Një prej tyre – instalimi Where Do The Borders Go, një shkelje e përshkallëzuar e kufirit në vendin e vet, duke vënë në pikëpyetje politikat kombëtare të demarkacionit administrativ shtetëror – tani paraqitet si një vepër arti më vete në formën e një vizatimi dhe dokumentacioni fotografik. Ekspozita vazhdon me punën e Anna Meyer, që merret me ngjarje që nuk lidhen me artin (siç janë protestat e prekshme të popullatës civile në Heldenplatz në Vjenë) që tani janë përpunuar përmes mediumit të pikturës dhe performancës së saj (faceburka), duke reflektuar për rolin e rrjeteve virtuale sociale në raport me sferën publikun të aksionit. Largimi nga hapësira e galerisë në Tiranë me një flamur në duart e saj do të jetë një tjetër gjest i guximshëm me të cilin Meyer synon të tregojë rolin e artistëve si aktivistë në ditët e sotme. Duke marrë një element të rëndësishëm të fizionomisë njerëzore – hundës – që shpesh i atribuohet disa popullsive si një element dallues i identifikimit etnik ose racor, grupi i artistëve Gelitin ngriti një monument në hapësirën rurale, në Austri, në vitin 2014, për të luajtur , me ironi si zakonisht, me shoqërinë e një gjiganti, të varrosur në tokë, me hundën e tij të rraskapitur në sipërfaqe. Pjesëmarrja e tyre në Tiranë përfshin një vizatim nga ky projekt, që përshkruan ndërveprimin e njerëzve me monumentin dhe gjithashtu fotografi që dokumentojnë procesin e mëparshëm të krijimit dhe rezultatin e tij në vend. Vizatimet e Werner Reiterer, shfaqin disa parime vepruese të cilat ju paraprijnë veprave të tija të realizuara në hapësirën publike, që shpesh i vënë në dyshim këto parime në një mënyrë groteske të ekzagjeruar. Ato u japin shprehje vizuale koncepteve të tij krejt spontane të artit dhe botës reale, të cilat e lejojnë atë të lidhet drejtpërdrejt me vende dhe situata specifike, duke funksionuar si kornizë komike për ekzekutimin e projekteve të tij në hapësirat publike: si ide që nuk mund të kryhen, si fantazi të pastra, apo trillime. Projekti i tij në Tiranë zhvillohet në linjën e ngjashme, duke u rrotulluar rreth stickers si një medium fleksibël dhe lehtësisht i shpërndashëm nëpër pikat urbane të përzgjedhura, të ngarkuara me domethënie personale apo kolektive. Elementet, si flamuj, emblema, monumente, figura shenjtorësh katolikë, luajnë një rol të rëndësishëm në instalimet urbane të Franz Kapferit. Ai i përdor ato për të luajtur me perspektivën e njerëzve për gjërat e zakonshme, të përditshme, të cilat zakonisht merren si të mirëqena dhe të padiskutueshme. Në mënyrën e tij të përshtatjes së këtyre elementëve në punën e tij, Kapfer tenton të sfidojë dhe të rivendosë vëmendjen e shikuesve, duke i lënë ata të dalin nga zonat e tyre të rehatisë, në mënyrë që të perceptojnë mjedisin e tyre ndryshe dhe nga më shumë pikëpamje kritike. Kulti i vazhdueshëm i heronjve kombëtarë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, ishte fokusi kryesor i punës së Kapfer, gjatë qëndrimit të tij në 2009, në Tiranë, duke rezultuar me instalimin e punës në hapësirën publike. Dokumentacioni i këtij projekti, së bashku me vendosjen fotografike si një objekt-instalacion, e rrumbullakosin ekspozitën aktuale në ZETA. 

Hapja: E premte, 11 maj 2018 – 19:00
Periudha e ekspozimit: 11 – 30 maj, 2018
Propozuar nga: Iris Andraschek & Hubert Lobnig 


Sigal