Rezultatet, vijon numërimi në 34 Bashki, shpallen 24 fitues

552
Sigal

Lefter Alla kandidat i Partisë Socialiste ka fituar një tjetër mandat në drejtim të bashkisë së Bulqizës përballë kandidatit Të Bindjes Demokratike, Ilir Balla. Alla u shpall fitues me 93% të votave ndërsa rivali i tij mori 7%.

Fredi Kokoneshi vijon drejtimin e Divjakës është për një tjetër mandat

Fredi Kokoneshi, kandidat i Partisë Socialiste ka fituar një tjetër mandat në drejtim të bashkisë së Divjakës. Ai nuk kishte rival përballë, ndërsa u votua me 13513 vota.

Taçe mund bindshëm Ibrahimin dhe merr Bashkinë e Gramshit

Gramshi është bashkia tjetër në të cilën PS-ja ka marrë një fitore bindshëm me kandidatin Klodian Taçe. Ndërkohë kundërshtari i tij ka grumbulluar Sabri Ibrahimi 603 vota.

Marinaj merr mandatin e dytë në Malësinë e Madhe

Tonin Marinaj merr mandatin e dytë në Malësinë e Madhe. Kandidati i PS ka marrë 7,772 vota, e ndërsa kundërshtari i tij, Pjerin Spathari numëron 493 vota.

Marinaj u zgjodh në krye të Bashkisë në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Ai u bë pjesë e politikës lokale pas aktivitetit të tij si biznesmen prej më shumë se 20 vitesh.

Zyrtarizohet edhe emri i ri i kryetarit të bashkisë së Pukës

Pa kandidat përballë Gjon Gjonaj u shpall fitues i bashkisë së Pukës, pasi mori 3730 vota.

PS merr bashkinë e 18-të, Memaj kryebashkiakja më e re në Urën Vajgurore

Juliana Memaj është kryebashkiakja tjetër nën logon e PS-së, e cila ka marrë drejtimin e një tjetër Bashkie, atë të Urës Vajgurore. Juliana Memaj ka arritur të sigurojë 7,666 vota.

PD-ja i dorëzon bashkinë e Tropojës PS-së, triumfon Byberi

Rexhe Byberi është kryebashkiaku i ri i Tropojës, një vend i cili njihet historikisht si një bastion i djathtë, vendlindja e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kandidati i PS-së Byberi ka marrë 3538 vota, krahasuar me kundërshtarin Edison Hasanaj.

Humb Bindja Demokratike, njihuni me kryetarin e ri të bashkisë së Mallakastrës

Qerim Ismailaj nga Partia Socialiste ka marrë 92.36% duke fituar bashkinë e Mallakastrës përballë rivalit të Bindjes Demokratike, Robert Brahaj, që mori vetëm 8%. Deri tani kjo bashki është drejtuar nga Agron Kapllanaj, i zgjedhur si përfaqësues nga radhët e PD-së.

Kastriot Gurra konfirmohet në Librazhd

Kastriot Gurra merr mandatin e dytë në bashkinë e Librazhdit. Gurra nuk kishte kandidat përballë, ndërsa u votua nga 10089 qytetarë.

LSI-ja dorëzon Skraparin te PS-ja, Adriatik Mema kryebashkiaku i ri

Adriatik Mema merr zyrtarisht drejtimin  e bashkisë së Skraparit, që mandatin e fundit u drejtua nga një përfaqësues i zgjedhur nga LSI-ja. I vetëm në garë, Mema mori 4505 vota.

Mbyllet numërimi, Fatos Tushe merr mandatin e tretë në drejtimin e Lushnjes

Fatos Tushe merr mandatin e tretë në drejtimin e bashkisë së Lushnjes. Ai mori 28086 duke u konfirmuar edhe për katër vite të tjera në drejtimin e bashkisë.

Belba fitore bindëse në Bashkinë e Prrenjasit

Ka përfunduar numërimi i votave edhe në bashkinë e Prrenjasit. Janë numëruar 39 kutitë e votimit, nga të cilat ka dalë fitues me një diferencë të madhe votash kandidati i PS-së, Nuri Belba. Belba ka marrë 7054 vota, ndërsa kundërshtari i tij Mylim Karriqi vetëm 550 vota.