Rezolutë mbi zgjidhjen e Çështjes Çame

78

Deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri do të dorëzojnë  sot në  Kuvendin e Shqipërisë Rezolutën për Çështjen Çame. Duke mbështetur dhe inkurajuar rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë si dy vende fqinje dhe aleate në strukturat euroatlantike. Duke shprehur mirënjohjen për luftën e përbashkët antifashiste të popullit shqiptar dhe popullit grek, e në veçanti të shqiptarëve çamë, themelues dhe të inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Greke (ELAS) dhe në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare (UANÇ). Duke marrë parasysh qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, të parimit të mosndëshkueshmërisë kolektive, si dhe të akteve ndërkombëtare më të rëndësishme në lidhje me to. Duke marrë në konsideratë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në veçanti neneve 1.2.6, 9, 13, dhe 15; Rezolutën 4780 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi « “Spastrimin etnik” dhe urrejtjen raciale »; Nenin 1 të Protokollit shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane për Liritë dhe të drejtat e njeriut. Mbështetur në ligjin 7839, të datës 30.06.1994, “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e gjenocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, shpallur me dekretin e Presidentit nr.885, datë 12.7.1994. Duke vlerësuar se fryma e nenit 15 dhe gjithë teksti i Traktatit të Miqësisë,  midis dy vendeve, fryma e akteve ndërkombëtare të lart cituara, imponojnë heqjen e pengesave për restaurimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Greqisë nëpërmjet një kuadri ligjor adekuat për gjithë komunitetin e cenuar dhe jo nëpërmjet rrugëve individuale gjyqësore,

 1.Njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.

2. Kërkonrivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3.Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,

4.Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5.Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6.Ngarkon  Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7.Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnë gratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8.Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë gjenocidit grek;

9.Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10.Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologe të nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11.Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12.Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adekuate.