Rezoluta për Çamërinë në BE

605
Duke parë insistimin e Greqisë për të manovruar kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, kam shpejtuar dërgimin e projekt-rezolutës për njohjen e gjenocidit ndaj popullsisë çame deputetëve të partive demokratike të Parlamentit evropian. Projekt-rezoluta që kam filluar ta fus në procedurë në Parlamentin e Brukselit, ua kam dërguar sot të gjithë deputetëve të partive demokratike të Parlamentit evropian me e-mail, me ca ndryshime të vogla për ta adaptuar për Parlamentin evropian me mesazhin që vijon. Ky mesazh do të jetë dhe informues për deputetët evropianë sepse besoj që shumë pak e njohin sjelljen e Greqisë ndaj shqiptarëve dhe po ashtu u kërkoj që ta fusin gjithashtu në procedurë. Sigurisht që përpjekjet e mia do të vazhdojnë gjithashtu për t’i sensibilizuar ca deputetë që ta marrin përsipër për ta paraqitur këtë problem në nivelet e ndryshme në Rajon, Belgjikë, Evropë. I inkurajoj të gjithë politikanët, shoqatat, grupet e ndryshme në të gjitha vendet e Evropës dhe të Amerikës që t’ua paraqesin personave me ndikim politik që ta fusin në procedurën e punimeve në Parlamentin e tyre:

I/E Nderuar Deputet(e),
Bashkangjitur do të gjeni një Projekt-rezolutë mbi gjenocidin e tmerrshëm që u zhvillua në 1944 në veriperëndim të Greqisë aktuale, në një rajon të populluar atëherë 90 % prej shqiptarësh, Çamëria. Është e vërtetë se Greqia është një anëtare e Bashkimit Evropian, por megjithatë është po aq e vërtetë se do të duhet, një ditë apo një tjetër, që të përballet me të kaluarën e saj të fshehur deri më tani. Për arsyet e mëposhtme, kjo bëhet dhe më urgjente:

Ballkani ka qenë gjithmonë një fuçi baruti dhe, nëse nuk i kushtojmë vëmendje, ky gadishull rrezikon të kthehet përsëri në një vatër konfliktesh që rrallë herë është kufizuar lokalisht. A e dini se më 7.11.2016, Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos lançoi veprime ushtarake në kufi me Shqipërinë dhe në atë rast, i veshur me uniformë ushtarake, kërcënoi Shqipërinë (e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s), duke i kujtuar se Greqia është shumë më e fuqishme ushtarakisht dhe se ka dhe armë të mjaftueshme dhe moderne? A e dini se Greqia paguan me mijëra pensione për banorë të Shqipërisë, të cilët nuk i përmbushin kriteret (nuk kanë mjaftueshëm apo asnjë ditë pune në Greqi) për të pretenduar një pension nga Greqia. Ata i paguan vetëm për t’i përdorë për zgjedhjet në Shqipëri për t’i detyruar ata që të votojnë për partinë e pakicës greke që përpiqet të vërë dorë mbi jugun e Shqipërisë? Kushton miliona euro çdo vit veprimtaria e saj për qëllime krejtësisht territoriale që janë gjithashtu një faktor që shpjegon krizën financiare të Greqisë! A e dini se Greqia përdor statusin e saj të vendit evropian për të kërkuar vazhdimisht që Shqipëria të respektojë të drejtat e pakicës greke në Shqipëri. Një pakicë numri i të cilës po rritet vazhdimisht, kuptohet, në mënyrë krejt artificiale, që Greqia e përdor duke paraqitur gjendjen e saj socio-ekonomike si një shenjë të diskriminimit të saj. Duhet pasur parasysh se Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë dhe se popullsia e saj ka një GDP për frymë prej 4,146.00 $ kundrejt 34.341,00 $ të mesatares së vendeve të BE-së. Prandaj, e gjithë popullsia vuan nga kushte të mjerueshme socio-ekonomike, jo vetëm popullata me origjinë greke. Pastaj, nëse i njihni mjaftueshëm shqiptarët, do ta kuptoni shumë shpejt se në përgjithësi nuk bëhet asnjë trajtim diskriminues në Shqipëri në lidhje me pakicën greke. Ndërkohë, Greqia, e cila ka pakica të rëndësishme në territorin e saj, ende nuk e ka ratifikuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Minoriteteve. A e dini se Greqia, e ka kërcënuar Shqipërinë se do ta përdorë veton e saj kundër hapjes së negociatave për të hyrë në BE, në qoftë se ajo nuk përmirëson akoma më shumë të drejtat e minoritetit grek (ndërtim shkollash të reja greke kudo, shumë më tepër se numri i nxënësve me origjinë greke dhe përpjekjen për ta zyrtarizuar gjuhën greke në jugun e Shqipërisë) dhe varreza të reja për të ashtuquajturit “ushtarët grekë” të rënë në luftën italo-greke në 1941-1943. Duhet të theksohet këtu se Shqipëria ka dhuruar tashmë parcela të mëdha për varreza në jug të Shqipërisë për “ushtarët grekë” dhe që për të mbushur varret e këtyre varrezave të “ushtrisë greke” në vjeshtë të vitit 2010, varret e varrezave të lokalitetit të Boboshticës u përdhosën dhe eshtrat e të vdekurve shqiptarë të këtij lokalitetit u zhvendosën dhe u përdorën për të mbushur varrezat e varrezave të “ushtarëve grekë” duke arritur një makabritet të pakrahasueshëm dhe një skandal të paparë. Greqia kërkon që të ketë dhe 8.000 vende më shumë në dispozicion për eshtrat e këtyre ushtarëve që thonë se kanë vdekur në Shqipëri. Ndërkohë, një komision i posaçëm pati vlerësuar, se të rënët grekë në Shqipëri ishin gjithsej 2.250 veta, që do të thotë përafërsisht numri i vendeve që janë dhënë më për varrezat e tyre. A nuk do të mund t’i riatdhesojnë ata në Greqi? Jo, sepse objektivi është paraqitja e jugut të Shqipërisë si një vend i mbushur me varre grekësh dhe bashkë me veprime të tjera që ta kolonizojnë jugun e Shqipërisë. A e dini se gati 800.000 shqiptarë punojnë në Greqi në kushte që shpesh janë shumë të këqija, duke vuajtur nga diskriminime të përditshëm të grekëve? Kur hynë në Greqi, ata i detyruan të ndryshonin emrin dhe mbiemrin katolik apo musliman për t’i bërë që të dukën ortodoksë dhe me prapashtesën greke, që t’i asimilojnë sa më shpejt e që t’i përdorin ndonjë ditë me qëllim që të zgjerohen në jug të Shqipërisë. A e dini se një numër i konsiderueshëm emigrantësh që janë kapur në kufi gjatë kalimit të kufirit, janë torturuar nga policia greke pa u shqetësuar asnjëherë nga sistemi i drejtësisë, aq më pak nga Evropa? A e dini se, gjatë trajnimeve të ushtrisë greke, shpesh ndodh që ushtarët të këndojnë në kor këngë raciste ndaj shqiptarëve dhe në to shqiptohen kërcënime me vdekje kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë? A e dini se Greqia ndërhyn rregullisht në punët e brendshme të Shqipërisë? Ndodh shpesh që njerëz që duan t’i shpëtojnë dënimit për prishjen e ndërtimeve të tyre pa leje, paraqitën sikur janë pjesëtarë të minoritetit grek. Në përgjithësi, Greqia i ka vënë vetes detyrë që të reagojë kundër autoriteteve shqiptare që pastaj t’i regjistrojë këto persona si persona të pakicës greke. Në mënyrë të përgjithshme, përfaqësuesit e Greqisë në Shqipëri ndërhyjnë në të gjitha llojet e konflikteve dhe organizojnë aktivitete me karakter nacionalist, të cilat as nuk e respektojnë fushën e kompetencës së tyre si diplomatë. Duke parë se nuk do të jetë e mundur për Greqinë dhe grekët që të kapërcejnë këtë qëndrim arrogant prej neo-kolonialistësh, duke parë këmbënguljen e përditshme të Greqisë për të përdorur statusin e saj si shtet evropian për ambiciet e saja territoriale, duke marrë parasysh acarimin e popullsisë shqiptare kundër këtyre ndërhyrjeve të vazhdueshme dhe sjelljen arrogante e dashakeqëse, duke marrë parasysh se Greqia nuk mund të vazhdojë të nëpërkëmbë një popull të tërë ,aq më shumë duke vepruar sikur të kishte mandatin e Evropës për këtë dhe, sigurisht, duke marrë parasysh gjenocidin mbi popullatën Çame, kam vlerësuar si tepër të nevojshme të ju dërgoj këtë projekt-rezolutë. Ne besojmë se sjellja arrogante e Greqisë është ushqyer për shumë vite nga mos njohja e gjenocidit që ka shkaktuar dhe që i ka çuar grekët që të zhvillojnë një kompleks dhe një prirje të papranueshme raciste, në veçanti ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë! Ndaj ju ftojmë që ta merrni në konsideratë duke e futur në procedurë. Ndjehuni të lirë ta përdorni si do ta gjykoni më mirë. Duke ju falënderuar përzemërsisht për mundimin që keni marrë që ta lexoni dhe vendimin e drejtë që do të merrni për ta paraqitur këtë projekt-rezolutë dhe për ta futur në procedurë.

Ahmet Gjanaj
Deputeti i Brukselit
Sigal