Rezervuarët e Durrësit si “minat me sahat”. Ja faktet

1125
Sigal

Çahet diga e rezervuarit të Katundit të ri. Evakuohen 7 banesa. Flet ish-Kryeinxhinieri i Bonifikimeve, Shaban Karrulit

Rënia e shirave ka pasur pasoja të rënda për shumë zona të Durrësit, por më rëndë është paraqitur situata në breg të lumit Erzen, ku nga 15 banesa janë rrezikuar seriozisht 4 prej tyre, pasi prurjet e Erzenit kanë qenë të vrullshme dhe rritja e nivelit avanconte minutë për minutë. Në kohën kur po punohej që të vihej situate nën kontroll në këtë zonë është njoftuar se kishte problem në Katundin e Ri pasi ujërat e lumit Erzen kishin shpartalluar digën e liqenit Artificial në këtë Komunën dhe si pasojë e çarjes së digës, ishte krijoje situate alarmante në popullsinë  e kësaj zone. Nga vërshimi kanë qenë shtate shtëpi brenda, së cilëve ndodheshin familjarët, që u izoluan, për shkak se niveli i ujit arrinte deri në 6 metra, duke e bërë të pamundur komunikimin me pjesën tjetër të zonës, ndërsa dhjetëra shtëpi të tjera janë prekur nga uji. Për të bërë të mundur evakuimin e banorëve, të cilët ndodheshin të izoluar që prej orëve të para të mëngjesit, është kërkuar ndërhyrja e forcave të ushtrisë, të cilët vetëm pasi kanë marrë udhëzimet e para mbi nivelin e ujit, kanë nisur operacionin. Njoftimet nga Shtabi i Emergjencave në Prefekturë bëjnë me dije se nga Shtabi i Mbrojtjes kanë ardhur rreth 30 trupa të forcave speciale, të cilët kanë ndërhyre me mjete lundruese për të bërë evakuimin e banorëve që rrezikoheshin nga ujërat. Njëkohësisht me sistemimin e tyre është bërë edhe furnizimi i tyre me ushqime. Sipas të dhënave operative, dalja e liqenit ka dëmtuar në total 120 shtëpi si dhe ka përmbytur rreth 15 hektarë tokë. Për përllogaritjen e dëmeve është ngritur një grup pune, të cilët po punojnë në terren.

Investimet e dështuara

Situata emergjente, me të cilat u përballën zonat të veçanta të Durrësit si me derdhjen e ujërave të rezervuarit të Manskurisë ashtu dhe me dëmtimin e digës së një rezervuari tjetër nxorën për Qarkun e Durrësit si një problem të madh edhe rrezikun që vjen nga amortizimi dhe dëmtimi njerëzor i digave të rezervuarëve. Tej mbushja e tyre me ujë dhe rënia e shirave të shumta çuan deri në situata me përmasa dramatike. Prej vitesh është ngritur zëri nga specialistë të ujërave se investimet e bëra në ujësjellësit e rrethit kanë qenë investime të dështuara. Disa vite më parë nga Bordi i Kullimit është bërë me dije se në disa rezervuarë gjendja është kritike.

Rrezikshmëria e digave

Gjatë raportimit të situatës emergjente të asaj periudhe është deklaruar se ka ulje të kurrizit të digave dhe se kjo ka ardhur si rezultat i ndërhyrjeve të banorëve, të cilët kanë vendosur tuba për të marrë ujë etj.. Ka pasur zona, ku janë hapur kanale  1 metër e ca që rrezikuan të çahet nga ndërhyrjet , kur në diga askush nuk ka të drejtë të ndërhyje përveçse specialistëve. Lidhur me këtë situatë tashmë presente thuajse e përvitshme, iu drejtuam ish-kryeinxhinierit të Bonifikimeve në Durrës, Shaban Karrulit mbi sasinë dhe ujëmbledhësve të Durrësit dhe ç’rrezik kanë ato në një zonë të populluar. Shabani, i cili është i diplomuar në vitin 1960 si inxhinier ndërtimi ka punuar thuajse gjatë gjithë jetës së tij me ndërtimin dhe bonifikimin e zonave të ndryshme të vendit. Ai thotë se Durrësi ka rreth 20 ujëmbledhës të mëdhenj, të cilët së bashku kanë një sasi ujërash prej rreth 56 milionë e 747 mijë metër kub ujëra. Ka edhe rezervuare të tjerë më të vegjël me sasi uji të parëndësishme krahasuar me të mëdhenjtë. Ai thotë se ndërtimi i tyre është bërë rreth viteve 1960 -1985 dhe rendit si të tilla të rëndësishme digat e Manskurisë, Rubjekes, Borçes, Tarinit, Rrotullës, Shkallës, Ishmit etj..

Rëndësia e vëzhguesit

Për këtë çdo digë duhet të ketë vëzhguesin e saj, thotë Karruli, i cili nuk duhet të jetë çoban, por një person specialist dhe i instruktuar pasi ai ka për detyrë të vëzhgojë jo vetëm digën, por edhe zonën për rreth që të mos nisin krijimet e çarjeve në sektorët përreth digës. Sot këta njerëz mungojnë. Po harrohet se një digë e çarë ka forcën e një arme atomike mbi popullsinë. Vëzhguesit nuk duhen ndërruar, pasi ato duhet të njohin zonën dhe të mbajnë nën vëzhgim skarpatën e sipërme dhe të poshtme dhe për këtë duhet të jenë njerëz të zgjedhur pa vese. Mungesa e sinjalizimeve nga persona të tillë që duhet të mbajnë në vëzhgim edhe shpatet e kodrinave se mos krijohen rrëshqitje masivesh me dhera dhe rrënojnë digat me valën e madhe që krijojnë, mund të shkaktojë katastrofa edhe në ditë të thata, pa shira. Edhe hapja e portave të rezervuarëve do njerëz të kualifikuar, pasi sipas Karrulit, hapja e shpejtë nga jo profesionist krijon vibrime në digë duke shkatërruar skarpatën e brendshme rezervuarit dhe duke ulur rezistencën e strukturave të saja dhe në kushtet e lagështirës shkatërrimi i digës është i shpejtë.

Për mirëmbajtjen e tyre kujtohen në kohë përmbytjesh

Shabani i cilëson ato një rrezik potencial në se dalin jashtë vëmendjes dhe kujdesit. Ai thotë rezervuarët  janë mjaft të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit dhe për potencialin turistik të rrethit të Durrësit dhe për këtë duhen vlerësuar, por përveç vlerave të vaditjes në kohë thatësish ato duhen parë edhe si një rrezik i madh potencial nëse lihen jashtë kujdesit siç edhe ka ndodhur. Kjo gjë thekson ing. Shabani  i kthen ata gradualisht në “mina me sahat” me shumë rrezikshmëri. Ai vëren se pak bëhet për mirëmbajtjen e tyre dhe se për to kujtohen vetëm në kohë përmbytjesh. Nga indiferenca e treguar, është lejuar që mbi digat e tyre të bëhen deri rrugë kalime duke bllokuar edhe kanalet e quajtura “Shkarkuesit  Katastrofik” që shërbejnë për derdhjen e ujërave të tepërta kur niveli i ujit të rënë gjatë reshjeve i afrohet lartësi së digës. Bllokimi i këtyre kanaleve si dhe i pajisjeve që shërbejnë për të bërë shkarkimet bën që uji të ngjitet mbi diga dhe atëherë diga nuk reziston më vetëm për punë minutash, pasi ujërat e gërryejnë atë duke shkatërruar edhe lidhjet anësore të saj. Shkarkues të tillë janë bërë me beton.

Është rritur papërgjegjshmëria e banorëve

Po tashme kurorat e digave janë ulur pasi mungon disiplina dhe përgjegjësia. Pajisjet hidraulike të shkarkimeve janë të ndryshme, por edhe janë dëmtuar nga banorët, të cilat kanë marrë deri pjesë metalike për t’i përdorur për nevoja personale në banesa. Disa të tjerë më të papërgjegjshëm kanë bërë edhe ndërtime poshtë rrëzës së digave pa e ditur se sa në rrezik i kanë familjet e tyre. Nga ana tjetër, thotë ing. Karruli, saraçineskat e shkarkimeve duan mirëmbajtje të përvitshme duke i grasatuar. Po ashtu edhe guarnicionet duhen parë në se janë dëmtuar dhe zëvendësuar, pasi mos funksionimi i impianteve të shkarkimeve krijon derdhje të ujërave nga pjesa e sipërme e digës. Tashti imagjino sikur të shpërthejë një rezervuar në Durrës, p.sh ai i Borxhes ose i Tarimit, të cilët kanë njëri 6 milionë metër kub ujë dhe tjetri rreth 9 milionë se çfarë katastrofe mund të ndodhë në zonën e Durrësit.