Rezart Taçi/ Përgjigja për Bushatin dhe orientimi nga ligji

456
Sigal

Pas fyerjeve publike të përsëritura të gazetarit Andi Bushati, e ftova të debatonim në një studio televizive, të cilën ishte i lirë ta zgjidhte ai vetë. Gjithnjë kam qenë i gatshëm të debatoj publikisht me gjithkënd dhe në emër të kësaj gatishmërie iu drejtova sërish. Ftesa ime synonte: Së pari, ta trajtonte çështjen në rrafshin moral duke qenë se edhe gazetari Bushati pretendon të udhëhiqet nga skrupuj moralë. Së dyti, e ftova në një debat publik, ku gazetaria e mirëfilltë e cila respekton parimet bazë të dëgjimit të të dyja palëve t’i japë mundësinë opinionit publik të shohë argumentet, t’i peshojë ato dhe kuptojë të vërtetën. Është për të ardhur keq, që gazetari Bushati me anë të një reagimi në faqen e internetit lapsi.al duket se e refuzon debatin në një kohë që vetë ai duhet të ishte këmbëngulës në zhvillimin e tij. Etika profesionale duhet të mbizotëronte. Më e mjerueshme akoma është arsyeja e këtij qëndrimi. Ai përdor një sofizëm vulgar dhe e quan debatin të panevojshëm për publikun. “Unë nuk e di se kujt do t’i interesonte ky debat. Nuk e di se cila studio do të qe e interesuar për mendimin e një njeriu që nuk është më si dikur në treg?” – shprehet Bushati në lapsi.al. Ky është një tjetër mjerim, një tjetër pandershmëri, pasi njerëzit nuk gjykohen nga fuqia në treg, as nga fuqia në media dhe as nga të tjerë elementë pushteti. Dinjiteti i gjithkujt është i shenjtë pavarësisht statusit social apo politik. Gazetari Bushati dëshmon se e kupton botën me një mendësi të shkuar, të vjetër dhe të keqe të cilën Shqipëria e ka jetuar me shumë vuajtje. Shtysa e vetme e kësaj përgjigje është pandershmëria dhe pafuqia për të mbrojtur shpifjet dhe fyerjet e kryera. Sa i takon incidentit me gazetarin Mero Baze, për të cilin gjykata ka dhënë vendimet e saj duke ndëshkuar bashkëpunëtorët e mi, gjej rastin të them se nuk kam asnjë drojë t’i kërkoj ndjesë publike atij edhe në emër të bashkëpunëtorëve të mi për gjithçka ka ndodhur. Duke qenë se për z Bushati morali nuk është një forcë urdhëruese, atëherë për të mbrojtur dinjitetin tim si njeri dhe qytetar do të mbetem i orientuar nga ligji dhe e drejta.