Rexhep Qosja: Ndaloni sjelljen sulltanore të Qeverisë së Kosovës!

525
Zotërinj të nderuar!
Në vlerësimin për protestën e tri partive opozitare – të Vetëvendosjes, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës, më 28 nëntor 2015, Ju shprehët gëzimin pse ajo protestë ishte paqësore.
Por, njëkohësisht Ju shprehët gëzimin edhe për, si thatë, përfshirjen, domethënë për sjelljen e Policisë së Kosovës ndaj asaj proteste.
Ky vlerësim i Juaji, duke përfshirë me të edhe vlerësimin për sjelljen e Policisë ndaj protestuesve, sa u solli gëzim “sundimtarëve” aq më shumë u solli dëshpërim të “sunduarve” në Kosovë.
Nuk mund ta di a e keni shikuar protestën deri në fund, kur me blic krig u pushtuan zyrat e Vetëvendosjes prej Policisë së Kosovës. Por, në qoftë se e keni shikuar protestën deri në fund, apo në qoftë se i keni parë pamjet që kanë dhënë disa televizione për epilogun e saj, atëherë nuk besoj se do të mund të shprehej gëzim për përfshirjen e Policisë së Kosovës në atë protestë.
Jo.
Policia e Kosovës u soll aq armiqësisht ndaj protestuesve 
Policia e Kosovës nuk u soll vrazhdë, jo: Policia e Kosovës u soll armiqësisht ndaj protestuesve. Ajo përgjaku sa e sa protestues! Ajo përgjaku edhe plakun – baba të dy dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës! Ajo shtriu përtokë edhe avokatin e deridjeshëm të popullit! Ajo i ngarkoi në automjetin e saj – burg, fyeshëm, krye e trup përtokur, shumë të rinj! Ajo mori në biseda të ashtuquajtura informative, si u tha, rreth 180 protestues! Në të gjitha këto raste Policia e Kosovës u soll, pra, siç sillej policia e Millosheviqit kur futej nëpër shtëpitë e të rinjve shqiptarë të cilët gjatë protestave brohorisin parullën Kosova Republikë.
E si u soll Policia e Kosovës kur e arrestoi Albin Kurtin? U soll armiqësisht siç u soll Policia e Sllobodan Millosheviqit kur e arrestoi atë para shumë vitesh!
Ju, ndoshta, nuk e kuptuat pse Policia e Kosovës u soll aq armiqësisht ndaj protestuesve, ndaj Vetëvendosjes dhe ndaj Albin Kurtit. Dhe, nuk e kuptuat sepse mund të mos e dini jetëshkrimin politik të urdhërdhënësit të ndërhyrjes policore në protesta: të kryeministrit të Kosovës. Kryeministri i sotëm i Kosovës ishte shërbëtor politik dhe administrativ i Sllobodan Millosheviqit, pjesëmarrës në dhunën dhe në terrorin e regjimit të tij ndaj popullit shqiptar të Kosovës, në dy mandate kryetar i qeverisë së Prishtinës e, mandej, anëtar i Qeverisë që atëherë quhej Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, që në fund të vitit 1989 dhe në fillim të vitit 1990 kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë kur ishin vrarë disa dhjeta të rinj e kur ishin plagosur rëndë qindra të tjerë. Ai ishte formuar për një përdorim të tillë stalinist, të policisë ndaj protestuesve!
Për të gjitha këto arsye, gëzimi juaj, Zotërinj të nderuar, për përfshirjen e Policisë së Kosovës në atë protestë më bëri të vetëpyetem: a është e mundshme që diplomatët e popujve që i kanë sjellë aq të mira shkencore, politike, demokratike, kulturore, qytetëruese njerëzimit të gëzohen kur policia vendos “demokraci” në parlament, kur policia qëron hesape aq armiqësisht me vëllezërit, me baballarët, me atdhetarët e vet, me qytetarët e vet?
Nuk pajtohem me përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës 
Unë, natyrisht, nuk pajtohem me përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Por, ky mospajtim nuk më bën të arsyetoj përfshirjen e tillë të Policisë së Kosovës në protestë; nuk pajtohem as me burgosjen e atyre që e përdorën gazin lotsjellës; dhe nuk pajtohem as me përjashtimin e deputetëve të opozitës nga mbledhjet e parlamentit! Jo. Unë shtroj pyetjen që Ju, si duket, nuk e keni shtruar: ku qëndron shkaku kryesor për krizën e sotme politike dhe institucionale në Kosovë? Po të shtrohet kjo pyetje do të jepet edhe përgjigjja e duhur: shkaku kryesor për këtë krizë qëndron në qeverinë e Kosovës.
Republika e Kosovës me këtë qeveri është Republikë partiake
Republika e Kosovës me këtë qeveri nuk është Republikë parlamentare. Jo, Republika e Kosovës me këtë qeveri është Republikë partiake. Në këtë Republikë partiake, Qeveria është organi suprem shtetëror! E shteti ku qeveria është organi suprem nuk mund të jetë shtet demokratik. Dhe, sjellja sulltanore e kësaj qeverie, shpërfillja e Kuvendit nga kjo qeveri, përdorimi privat i Policisë nga kjo qeveri, miratimi sulltanor duke përbuzur Kuvend e opinion i marrëveshjeve për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe për ricaktimin e kufijve me Malin e Zi kanë sjellë mospajtimet e pashmangshme çfarë i kemi parë, po i shohim e do t’i shohim të Opozitës dhe, të jeni të sigurt, të pjesës më të madhë të popullit shqiptar. Po, nuk vihet ashtu lehtë, ashtu krye më vete, ashtu papërgjegjshëm, pa u këshilluar as në Kuvend, as në popull, nënshkrimi për marrëveshje të tilla, që kanë të bëjnë me të sotmen e të ardhmen e Kosovës. Përvoja tragjike historike e ka bërë popullin shqiptar të jetë pamatshëm i ndjeshëm, pamatshëm i frikësuar ndaj “marrëveshjeve” të tilla. Përshtrirja e shteteve fqinje në tokat ku shqiptarët ishin popullatë e vetme a shumicë e madhe etnike dhe rrëmbimi i këtyre tokave me kufij të ricaktuar me vendimin e shteteve europiane si Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia e jo mospuna, jo përtacia e kanë bërë popullin shqiptar të varfër, si kanë thënë dikur diplomatë e shkencëtarë tuaj, popull pa kushte natyrore për mbijetesë!
Në reagimin e gëzueshëm ndaj protestës Ju, zotërinj ambasadorë, thoni se jeni të përkushtuar: për “fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, se “asnjëri nuk është mbi ligjin”, se të gjithë, edhe përfaqësuesit politikë, “i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i takojnë”.
Për Kosovën sot dhe për Kosovën gjithmonë këto që thoni janë tepër të rëndësishme.
Do t’ju duhen shumë ditë e shumë përpjekje, që të bëhen njëmendësi këto mendime tuajat për Kosovën.
Numër i madh i pushtetarëve të lartë dhe i poltronëve të tyre politikë sot kanë pasuri të tundshme e të patundshme milionëshe 
Ju e dini, besoj – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të eurokomisarit për zgjerim, Johanes Hanit – se në Kosovë zotëron korrupsion pandemik. Numër i madh i pushtetarëve të lartë dhe i poltronëve të tyre politikë sot kanë pasuri të tundshme e të patundshme milionëshe. Me rroga natyrisht nuk e kanë krijuar atë pasuri. E kanë krijuar me korrupsion e me mënyra të tjera të paligjshme në procesin e privatizimeve, duke vjedhur, duke plaçkitur, duke rrëmbyer pasuritë kombëtare të Kosovës. Asnjëri prej tyre nuk është nxjerrë në gjyq. Të gjithë me “kushtetutë” e kundërshtojnë çdo ide për miratimin e ligjit mbi hulumtimin e prejardhjes së pasurisë. Pa u nacionalizuar pasuria e krijuar me korrupsion dhe në mënyra të tjera të jashtëligjshme Kosova nuk do të mund të demokratizohet e as do të mund të qetësohet. Ndihmojeni Kosovën që të shpëtojë prej këtyre të korruptuarve.
Ju e dini besoj – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të zotëri Hanit, se në Kosovë zotëron krim i organizuar. Ndihmojeni Kosovën të shpëtojë prej kriminelëve që i bëjnë krimet ashtu organizueshëm.
Në Raportin e Progresit të zotëri Hanit u tha se Gjyqësori në Kosovë është i përdorur prej strukturave të larta politike. Ndihmojeni Kosovën, zotërinj ambasadorë, që Gjyqësori i Kosovës të bëhet çka është në vende vërtet demokratike: të bëhet i pavarur, institucion i së drejtës.
Mediat në Kosovë, në mënyrë të veçantë RTK-ja, u shërbejnë pushtetarëve e jo opinionit
Ju e dini – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të zotëri Hanit – se mediat në Kosovë, në mënyrë të veçantë RTK-ja, u shërbejnë pushtetarëve e jo opinionit. Ndihmoni, zotërinj ambasadorë, që mediat kosovare, në mënyrë të veçantë ato të rëndësishmet – ato elektronike, të kontrollojnë pushtetin e jo të jenë të kontrolluara prej pushtetit.
Nuk jam i sigurt se e dini së Kosova me më pak se dy milionë banorë ka sot shtatë universitete publike dhe mbi tridhjetë universitete private.Të gjitha këto universitete, përpos të tjerash, i shërbejnë edhe punësimit të njerëzve të pushtetarëve. Ndihmojeni Kosovën që numrin e universiteteve publike e private t’ia përshtasë nevojave e mundësive, nevojave e interesave të veta reale.
Ju mund të keni dëgjuar e mund të keni lexuar, zotërinj ambasadorë, se nepotizmi është kriteri kryesor për përzgjedhjen e njerëzve për punësim në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike, ekonomike, universitare, madje edhe diplomatike. Vëllezërit, motrat, tezet, hallat, xhaxhatë, dajat, nipat, mbesat, kushërinjtë, miqtë janë të privilegjuarit e sundimtarëve të sotëm në Kosovë.
Numri më i madh, i qytetarëve të Kosovës nuk gëzojnë liri, sepse nuk janë në punë
Numri më i madh, larg më i madh, i qytetarëve të Kosovës nuk gëzojnë liri dhe, nuk gëzojnë liri, sepse nuk janë në punë, nuk kanë me çka t’i mbajnë familjet e tyre, nuk kanë siguri ekzistenciale. Nuk ka liri pa siguri. Sepse siguri nuk mund të quhen vetëm siguria në aeroportet dhe ne vendtubimet e qytetarëve. Siguri e plotë, e vërtetë, është siguria ekzistenciale, që nuk ekziston sot për shumicën e kosovarëve.
Pasojat e kësaj pasigurie të numrit më të madh të qytetarëve të Kosovës, zotërinj ambasadorë, do t’i pësojnë vendet tuaja dhe do t’i pësojnë, sepse kosovarët e pa punë, të shpërfillur, të diskriminuar do të bëjnë çmos që të gjejnë shpëtimin në vendet tuaja.
Të këqijat politike, pushtetore, partiake, në Kosovë, të prodhuara prej sundimtarëve të sotëm, janë të shumta e të ndryshme. Mënjanimi i këtyre të këqijave dhe parandalimi i prodhimit të këqijave të reja mund të arrihet.
Dy marrëveshjet e sipërpërmendura, si shkaktare të krizës së sotme politike dhe institucionale në Kosovë, janë prodhim posaçërisht shqetësues i gjithë këtyre të këqijave që me vitë rëndojnë Kosovën dhe i revoltojnë fort qytetarët.
Me dorëheqjen e Qeverisë fillon edhe zgjidhja e krizës
Mënjanimi i të këqijave ekzistuese dhe parandalimi i të rejave do të fillojë atë ditë kur do të dorëhiqen pushtetarët më të komprometuar në Kosovë, e kjo domethënë kur të dorëhiqet Qeveria e Kosovës. Me dorëheqjen e Qeverisë fillon edhe zgjidhja e krizës politike dhe institucionale. Pa këtë dorëheqje, siç duken punët, kriza mund të përthellohet duke u shprehur edhe në mënyra më rënduese e më shqetësuese.
Deklarimi i Juaj, zotërinj ambasadorë, për të ndëshkuar opozitën qoftë edhe me polici në Kuvend e për të rehabilituar Qeverinë, në supet e protagonistëve të së cilës rëndojnë përgjegjësi jo vetëm për këtë krizë, e bën njëmendësinë e Kosovës tepër të ftohtë dhe të errët.
Ndihmojeni Kosovën të mos zhytet edhe pas luftës në atë të ftohtë dhe në atë terr!
I keni të gjitha mundësitë.
Me nderimet më të përkushtuara.
(Shënim: Tituj dhe nëntituj e këstij shkrimi janë të redaksisë së “Telegraf”)

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 01.12.2015
Sigal