Rexhep Qosja, banori më i ri i Tiranës

582
Sigal

Një banor i ri i është shtuar Shqipërisë. Është pikërisht akademiku kosovar, Rexhep Qosja rezidenti më i ri i Republikës së Shqipërisë. Dje më 28 Prill, Rexhep Qosja është betuar para punonjësve të njësisë bashkiake numër 5 në Tiranë, si banori më i ri i saj. “Betohem se do të zbatoj me përpikmëri të gjitha të drejtat dhe detyrimet kushtetuese dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë”,- tha Qosja. Profesor Qosja u pajis me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike dhe pas kësaj është shprehur për një media shqiptare se, ky është një moment gëzimi. Rexhep Qosja mban shtetësinë shqiptare që nga viti 1999, me dekret të Presidentit numër 2346, që i njeh gjithë të drejtat dhe detyrimet si shtetas shqiptar. Përpos kësaj, ai ka dhe shtetësinë kosovare. “Unë jam bërë shtetas i Shqipërisë në vitin 1999 dhe ky ishte gëzim i veçantë për mua, sepse bëhesha nënshtetas i shtetit që në Kosovë, gjithmonë e kemi quajtur Shqipëria mëmë. Edhe atëherë ishte një gëzim i jashtëzakonshëm për mua. Tani bëhem edhe qytetar i Njësisë nr. 5 të Tiranës dhe gëzimi i atëhershëm, kur u bëra qytetar i Shqipërisë tani bëhet gëzim i dyfishtë”, thotë Qosja. Rexhep Qosja nuk është i vetmi shtetas i Kosovës që ka marrë pasaportën shqiptare. Gjithashtu, edhe Nexhmie Pagarusha ka marrë nënshtetësinë shqiptare.