Revolucioni kopernikan në arsim – “Arka e Noes” për shoqërinë shqiptare

893
Dr. Jorgo Mandili
Në pjesën e parë të kësaj parashtrese , u përpoqa të argumentoj tezën se, pse shoqëria e jonë në të cilën duam të hyjmë kërkon një Doktrinë të Re të Edukimit, që t’i përshtatet filozofisë së demokracisë evropiane, ku edhe pretendojmë të shkojmë. Jo si turma, por si qytetarë të lirë. Mungesa e një filozofie të re edukimi pas përmbysjes së monizmit, ka çuar në krizën e thellë të identitetit qytetar, e cila nga ana e vet, ka çuar në shterimin e burimeve intelektuale. Në qoftë se duam të ndërtojmë një shoqëri të re, shtet të ri, institucione të reja, gjeneratë të re, elita të reja politike, intelektuale dhe akademike,, në instancë të fundit në qoftë se duam një moral të ri e mentalitet të ri për të cilën aspirojmë drejt Evropës, që fëmijët e nipërit tanë të mos ndjehen inferiorë përkundrejt moshatarëve të tyre evropianë, atëherë ne duhet me shpejtësinë më të madhe të bëjmë Ndryshimin e Madh në Edukim në mënyrë të atillë, që ai të përballojë sfidat e një shoqërie që ndryshon dhe zhvillohet shpejt. Dhe edukimi është “çelësi magjik” i zbuluar që nga koha e sofistëve dhe Platonit që “përshtat individin përkundrejt ndryshimeve dhe e integron atë në shoqërinë e re”. Jashtë këtij kuptimi dialektik të lidhjeve, madhësive, varësive dhe ndikimeve të ndërsjella midis edukimit dhe shoqërisë nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë ecje përpara, zhvillime, ndryshime e shndërrime të reja, rrënjësore e thelbësore, sasiore e cilësore të vazhdueshme në fushat përkatëse të shoqërisë, kudo në ekonomi, shkencë, teknologji, politikë,etj. Dhe në momente krize të shoqërisë këto ndryshime nuk realizohen me evolucion (reforma), por me revolucion për të shkallmuar të vjetrën dhe për të hedhur themelet e një zhvillimi të ri në arsimin e një vendi. (Reformat bëhen për përsosjen e një modeli, kurse revolucioni për krijimin e një modeli të ri) A jemi vonë për këtë ndryshim? Fatkeqësisht jemi vonë, por “rrota është shpikur”.I takon qeverisë që ka gjithë pushtetin dhe ministres së “re” të arsimit që “nusëron” për herë të dytë, që ta venë atë në lëvizje me mençuri, inteligjencë e vullnet politik. Përvoja e vyer e vendeve të zhvilluara dhe shumë të zhvilluara kapitaliste duhet të shërbejë si orientim strategjik në konceptimin dhe ndërmarrjen e reformave të ngjashme për sistemin tonë arsimor e sidomos të reformës universitare. “Ne do të futemi në BE, prandaj dhe duhet ta përgatisim brezin e ri “të matet me moshatarët e tyre” që të mos ndjehen inferiorë ,por dinjitozë, pavarësisht se tani nga niveli i dijeve dhe aftësive praktike janë në largësi të madhe. Për ta zvogëluar këtë distancë arsimi ynë duhet të ndjekë ritmet e zhvillimit të arsimit bashkëkohor nëpërmjet një revolucioni kopernikan në arsim. A kemi nevojë ne për një revolucion kopernikan në arsim dhe si mund ta realizojmë atë.?Përgjigja e kësaj pyetjeje përbën edhe objektin e kësaj parashtrese. Ndoshta ndihmojmë sadopak edhe ministren e “re” të arsimit dhe ekipin e saj me “ekspertë të shquar” midis të cilëve edhe një ish oficer të policisë gjyqësore (sekretar i përgjithshëm i arsimit). Nuk besoj të kenë nevojën e mendimeve tona sepse e kanë “aftësinë,intelektin e perfomancën e mjaftueshme për t’i kuptuar problemet e sotme të arsimit e aq më tepër menaxhimin e tyre modern” , pasi do ta kenë ndonjë Master të tillë nga ndonjë Universitet”prestigjioz” privat. Gjithsesi, ne njerëzit e thjeshtë vuajmë nga ajo që shohim dhe shprehim atë që ndjejmë duke kërkuar një rregull më të qëndrueshëm, të bazuar në drejtësinë dhe në natyrën, që do të thotë në kërkesat kryesore të zemrës dhe të arsyes. Me aq sa dimë, bëjmë detyrën si qytetar kur përpiqemi të japim ndonjë mendim, sidomos tani që na u krijua mundësia nga kryeministri për “aleancë në qeverisje”. Ja pra kjo është demokracia e drejtpërdrejtë, pa”sekserë”. Lum si ne që ja arritëm kësaj dite! Gjithsesi, kalojmë tek pyetja e jonë: A kemi nevojë ne për një revolucion kopernikan në arsim dhe a kemi mundësi reale për ta realizuar atë? Sigurisht që Po! (Por e theksoj edhe një herë me forcë – domosdoshmërish edhe me ndihmën e Diasporës) Madje me emergjencë dhe pa asnjë vonesë duhet të pranojmë gjendjen e mjeruar e të dështuar të reformave arsimore gjatë këtij tranzicioni. Vetë zgjatja e tranzicionit që nuk i dihet se ku e ka fundin dhe përsëritja e vazhdueshme e krizave politike dhe ekonomike janë argumenti më i mirë i dështimit të reformave arsimore dhe mungesës së një doktrine të re të edukimit pas përmbysjes së monizmit. A kemi nevojë ne për një revolucion kopernikan në arsim? Sigurisht që po. Madje jemi shumë vonë. Më shumë se kurrë dhe se çdo vendi tjetër na duhet një revolucion i tillë që të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga filozofia e vjetër e edukimit të turmave “të varfra shpirtërisht, pa mendime dhe ndjenjë dhe pa mundësi zhvillimi”. Na duhet ky revolucion sepse na mungon” qytetari-individi i lirë e krijues, frymëzues e fisnik,e vetmja vlerë e vërtetë në teatrin e jetës njerëzore “(Ajnshtajn). Vetëm një revolucion “kopernikan” në arsim do të “instalonte” një doktrinë të re të edukimit, të bazuar në lirinë e veprimeve dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vetvetes, më i përsosuri dhe që ka përparësi absolute ndaj edukimit të bazuar në nënshtrimin , autoritetin fiktiv apo egoizmin, dhe qe do t’i përshtatej filozofisë së demokracisë të një shoqërie evropiane, ku synojmë të shkojmë jo si turma, por si qytetarë të lirë. të formuar me normat dhe standardet e demokracisë e të së drejtës të cilët e konsiderojnë shërbimin e tyre për shoqërinë si problemin më madhor të jetës së tyre. Çfarë duhet bërë? Nga duhet filluar? Nga qeveria, e cila duhet të japë qoftë edhe një provë të vetme që e ka seriozisht Rilindjen e arsimit. Prova e parë dhe e besueshme është që qeveria dhe ministria duhet të kuptojnë që sistemi aktual i arsimit është një simbiozë e tradicionalizmt 2500 vjeçar të Platonit (të cilën bota filloi ta shkallmojë qysh në mesin e shekullit të kaluar) me disa elementë të arsimit modern të “arnuara” me penj të bardhë në pantallona të zeza. (rasti më flagrant është futja e teksteve oksfordiane në shkollat tropojane të ekzekutuar nga mësues të “ngrehinave” universitare. Janë të njohura edhe reagimet e para të mësuesve të matematikës e fizikës, si prof. E. Nathanaili, Xh. Ceroni etj.) Qeveria dhe ministria duhet t’i ndalë eksperimentet në “kokën e qerosit”, se “harxhet” i paguajnë fëmijët e popullit që nuk i kanë mundësitë tuaja t’i dërgojnë fëmijët jashtë ku marrin dije të qëndrueshme e të pakorruptuara. Mjaft më me eksperimente të tilla voluntariste! Qeveria dhe ministria, përkundrejt voluntarizmit dhe subjektivitetit duhet të projektojë dhe zbatojë ndryshime dhe shndërrime të thella të karakterit cilësor, strategjik e afatgjatë, afatmesëm e afatshkurtër në fushën e arsimit e shkollës (të të gjitha niveleve), të përpunimit të koncepteve, parimeve dhe objektivave e të strukturave të reja më të qëndrueshme të të mësuarit, të teknikave, të teknologjive e metodologjive të tij d m th për të kaluar në etapën e modernizimit shkencor e pedagogjik të arsimit që përbën boshtin themelor të revolucionit kopernikan në arsim. Çfarë duhet të bëjë? 

Së pari, të njihet me përpjekjet, metodologjinë dhe rrugët që janë ndjekur nga vendet e zhvilluara dhe shumë të zhvilluara evropiane që po realizojnë ““revolucionin kopernikan në arsim,”.

Së dyti, duhet të analizojë me kujdes e objektivitet e me frymë kritike dështimet dhe arritjet e deritanishme të sistemit arsimor bazuar në këndvështrimet e mësipërme në përputhje me kushtet e vendit tonë. Për këtë do të kërkohej sensibilizimi i të gjithë shoqërisë që nga vendimmarrësit tek biznesmenët e deri tek qytetarët e thjeshtë për domosdoshmërinë e dobinë e cilësisë së sistemit para dhe universitar. Dhe kjo sepse ka munguar dhe vazhdon të mungojë vizioni, organizimi dhe bashkëveprimi i të gjitha qarqeve të specializuara arsimore, shkencore e pedagogjike me ato afariste ku problemet e arsimit dhe shkencës e zgjidhjet praktike të tij nëpërmjet reformave të reja arsimore e shkollore t’i nënshtroheshin analizës, diskutimit debateve të herëpashershme të gjera e të hapura ku të merrnin pjesë të gjithë subjektet politike, ekonomike, shkencëtarë, akademikë, profesorë(edhe nga Diaspora) , mësues e prindër, të interesuar për arsimin e shkollën, për gjendjen, nivelin, efektshmërinë dhe fatin e tyre në të ardhmen. 

Së treti, duhet kudo të zhvillohen veprimtari të gjithanshme dhe të dendura shkencore e pedagogjike, në të cilat të atakohen, rishikohen, rivlerësohen e ri dimensionohen nga këndvështrime të reja bashkëkohore shumë filozofi e teori të ndryshme e të njohura të të mësuarit, konceptime dhe parime, synime e qëllime praktike, ideologjike, shkencore e pedagogjike , struktura organizative e administrative, ligje dhe norma juridike që bazohen në to dhe që u ka ikur koha .

Së katërti, rezultatet, të dhënat, përfundimet e rekomandimet e mara nga këto veprimtari të pasqyrohen në botime të ndryshme shkencore, monografi, artikuj manuale, udhëzues etj. 

Së pesti, mbi bazën e këtyre përfundimeve të hartohet një strategji e pranuar prej të gjithëve nga një Kongres Kombëtar i Arsimit dhe i miratuar në Kuvend dhe e paprekshme nga çfarëdo forcë politike që do të fitonte pushtetin. Kjo platformë, kjo strategji duhet të kthehet në një dokument shtetëror, e cila do të përbënte Doktrinën e Reformës për modernizimin e sistemit Arsimor.

Së gjashti, të sigurojë një monitorim të rreptë, real dhe të vërtetë në bazë treguesish konkretë, duke mobilizuar të gjitha burimet e mundshme financiare, materiale, njerëzore dhe institucionale, ku periodikisht rezultatet e këtij monitorimi të bëhen publike me masat përkatëse. Vetëm me një metodologji të tillë bazuar mbi këndvështrimet e reja që rrjedhin prej revolucionit “kopernikan” në arsim mund t’i sigurohen shoqërisë produkte humane me kualifikim shkencor , akademik e profesional të lartë, si një ndër forcat kryesore lëvizëse që garanton një të ardhme të shoqërisë moderne. 
Sigal