Revolucioni Grek kundër Perandorisë Otomane burim frymëzimi për rrymën liberale botërore

1193
Jani B. GJOÇA
25 Marsi i 1821-it shënon krijimin e një shteti të lirë dhe të pavarur Grek
Më 25 Mars 1821 përmblidhet në mënyrë simbolike, Revolucioni shumëvjeçar Grek kundër Perandorisë Otomane, me qëllim krijimin e një shteti të lirë dhe të pavarur Grek. Sot në Greqi jetojnë mbi 800.000 emigrantë shqiptarë dhe shumica e tyre, jo vetëm që janë integruar, por me dinjitetin e ndershmërinë e tyre kanë fituar edhe qytetarinë dhe shtetësinë greke. Shumë nxënës shqiptarë të shkëlqyer në mësime, në çdo festë kombëtare të Greqisë janë flamurmbajtës. Prandaj, si dy popuj miq, edhe shqiptarët sot festojnë bashkë me popullin grek. Festa e lirisë është e përbashkët për të gjithë popujt. Me pushtimin dramatik të Kostandinopojës, më 29 Maj 1453 prej Mehmetit të Dytë, perandoria bizantine shpërbëhet dhe në vend të saj konsolidohet perandoria otomane. Pas 400 vjetësh robërie otomane, në mes të shekullit të 18-të fillon dhe mbruhet lëvizja greke për vetëdije kombëtare, me bazë Iluminizmin evropian, i cili, nga ana e vet, ishte frymëzuar prej idealeve të qytetërimit grek. Orientimi liberal i grekëve, të cilët, që prej pushtimit të Kostandinopojës dhe në vazhdim, gjenin strehë në ngulimet e Evropës Perëndimore, idetë e Revolucionit Francez për barazi, drejtësi dhe liri, dhe përhapja e kulturës klasike, vërtetuan bindjen mbi vazhdimësinë e historike të kombit grek dhe të së drejtës së tij për të pasur një entitet politik. Admirimi që ushqenin për kulturën e lashtë greke, bëri që intelektualë, dijetarë dhe udhëtarë, të krijonin rrymën e fuqishme shpirtërore të Filohelenizimit, të formulonin kërkesën e çlirimit prej pushtetit shtypës otoman dhe të shprehnin gatishmërinë e grekëve për të marrë fatet e vendit në duart e tyre. Kësaj lëvizjeje i kishin paraprirë me dhjetëra kryengritje, me më të fundit atë që njihet si “Orllofika”. domethënë kryengritjen e Peloponezit dhe të Kretës gjatë luftës Ruso-Turke të viteve 1768-1774, e cila, me gjithë sukseset e para ushtarake, përfundoi në tragjedi. Në fund të kësaj aventure, Peloponezi vajtonte mbi gërmadha, që vazhdonin të nxirrnin tym, vajtonte mijëra të vdekur, të përndjekur dhe të kthyer në skllevër. Nga ana tjetër, Aleanca e Shenjtë e Fuqive të Mëdha ishte shndërruar në një institucion nënshtrimi i popujve dhe shtypjeje të çdo lëvizjeje revolucionare kombëtare, duke ligjëruar ndërhyrjet e Mbretërve të fuqishëm. Në kuadrin e kësaj klime ideologjike dhe politike, u masivizua kërkesa për krijimin e një shteti të pavarur kombëtar grek nën sundimin e ligjit dhe u formuan shumë organizata, me qëllim përgatitjen e një kryengritjeje greke kundër perandorisë anakronike otomane. “Filiki Eteria”, e cila u krijua në Odesë më 1814 nga tre tregtarë grekë, u shtri gjerësisht, duke mbledhur në gjirin e vet anëtarë të parisë, klerikë, kleftë dhe armatolë, por edhe fshatarë, duke pasur si qëllim organizimin e një kryengritjeje, në të cilën Grekët do të mbështeteshin në forcat e veta. Kuptimi fetar mbi Ngjalljen u identifikua me Ringjalljen e Kombit, një frymë çlirimtare u përhap në të gjitha shtresat tradicionale të shoqërisë dhe bashkë me të, edhe zgjerimi i ndërgjegjes së kombëtare të Grekëve dhe adoptimi i një program revolucionar novator. Programi i kryengritjes parashikonte si qendër të saj Peloponezin dhe që të krijohej diversion, shpërthim trazirash edhe në principatat danubiane. Njëkohësisht, përgatitje për kryengritje bëheshin në Rumeli, në Thesali, në Maqedoni dhe nëpër ishuj. Informatat mbi një tradhti të ekzistencës së “Filiki Eteria”, frika se do të kishte reprezalje të rënda të Otomanëve kundër grekëve dhe rrjedhja e informacionit mbi kryengritjen e pritshme, për të cilën kishin dijeni dhe fëmijët e vegjël, përshpejtuan shpalljen e Revolucionit. Duke ndryshuar planin fillestar, në shkurt 1821 filloi kryengritja në Galaci të Vllahisë, ndërsa muajin pasardhës, “Filiki Eteria” krijoi bërthama kryengritëse nga Maqedonia dhe deri në Kretë. Fushata e Ipsilantit dështoi. Në një prej betejave më të përgjakshme, që ishte dhe më tronditja, në betejën e Dragacanit në Vllahi, dyqind studentë të rinj, luftëtarë të Batalionit të Shenjtë, forcat otomane shtypën shumicën e vatrave kryengritëse në Greqinë kontinentale. Por angazhimi tek principatat e Vllahisë dhe të Moldavisë, të forcave të shumta otomane, si dhe angazhimi i forcave ushtarake për rrethimin e Janinës dhe mposhtjen e Ali Pashës, që kishte ngritur krye kundër sulltanit, ndihmuan që të marrë flakë dhe të qëndrojë ndezur zjarri revolucionar në Peloponez, në Greqinë Kontinentale dhe në shumë ishuj të Egjeut. Në mes të Marsit të vitit 1821, klima në Peloponez – ku përgatitjet për Revolucionin kishin filluar që në vitin 1818- ishte thellësisht revolucionare dhe pritej vetëm një shkëndijë për revoltën e madhe. Grekët që mbërrinin në Greqi nga Rusia dhe Kostandinopoja, përhapnin lajmin se Revolucioni do të fillonte më 25 Mars. Kjo datë ishte caktuar nga Aleksandër Ipsilanti, pikërisht sepse është dita e festës fetare të ungjillëzimit të Hyjlindëses. Sipas dëshmive të kohës, Revolucioni u shpall në Agjia Llavra në Kallavrita më 25 Mars 1821, kur Mitropoliti Germanos ngriti flamurin dhe luftëtarët u betuan mbi flamur. Megjithëse revolta kishin shpërthyer ditëve paraardhëse edhe në rajone të tjera të Peloponezit, ngritja e flamurit të Revolucionit më 25 Mars 1821, ditën e ungjillëzimit të Hyjlindëses, u njoh si pikë kulmore e Rilindjes Kombëtare të Greqisë. Me kryengritjen kundër dinastisë otomane, grekët në thelb zgjodhën përparimin shpirtëror, emancipimin politik, modernizimin ekonomik, duke vënë në plan të parë traditën e tyre kombëtare. Revolucioni Grek është lëvizja e parë kombëtare në Evropën Lindore, në kuadrin e Perandorisë Otomane dhe e vetmja prej kryengritjeve çlirimtare të periudhës 1820-1822 që u kurorëzua më sukses. Lufta shumëvjeçare e grekëve për pavarësi u bë burim frymëzimi për rrymën liberale botërore dhe me ndihmën e lëvizjes Filohelenike, ajo pati një fund të suksesshëm, me gjithë politikën kundërshtuese të Fuqive të Mëdha. Ishte në këtë mënyrë, një goditje për vetë Aleancën e Shenjtë dhe shënoi triumfin e parimit mbi kombet, duke u dhënë një shtysë formimit të shteteve kombëtarë të popujve të tjerë të Ballkanit. Revolucioni Grek frymëzoi brezat pasardhës të grekëve, dhe në periudha sprovash, i mbrujti ata me shpirtin e rezistencës dhe të betejës. Që prej vitit 1823, 25 Mars, përvjetori i fillimit të Revolucionit Grek, “Liri, ose vdekje”, u bë parulla kombëtare e Greqisë . 25 Marsi përmbledh mrekullinë e një revolte kombëtare pas 400 vitesh skllavërie, shpreh të drejtën e popujve për të pasur identitetin e vet kombëtar, për të pasur dinjitet kombëtar dhe për të qenë të lirë. 25 Marsi është festa e Lirisë për Grekët dhe për çdo njeri që respekton Lirinë dhe që është i gatshëm që të luftojë për Lirinë. 


Sigal