Revoltohen aktorët e teatrit: Jemi të shkatërruar, nuk punojmë dot!

53
Ata që mund të kenë qenë të paktën një herë në teatër, me siguri dalin prej andej të hutuar nga moria e zërave që kanë dëgjuar, apo aromave që kutërbojnë anembanë pedonales. Sikur të mos mjaftonte thirrja e hoxhës që prej vitesh ka shoqëruar shfajet teatrale si kolonë zanore, tani aktorët e dy teatrove që ndodhen në krah të pedonales, i ka nxjerrë në plan të dytë muzika tallava dhe aroma e qofteve të shoqëruara me birrë. Ky problem që deri më sot është hapur vetëm privatisht, sot është kthyer në një kërkesë publike: Eshtë e pamundur të bëhen prova! Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ka shprehur hapur shqetësimin e tij. 
“Është bërë një gjendje e padurueshme, ne nuk po arrijmë të punojmë më. Mirë për shfaqjet e teatrit që është arritur një marrëveshje për muzikën, e cila ndalon për dy orë, megjithëse nuk më ka rezultuar që ndalon gjithmonë, duke llogaritur edhe erën e salsiçeve dhe qofteve që shoqëron gjithmonë njerëzit sa herë që shohin shfaqjet, e treta gjë që është skandaloze dhe e papranueshme është që ne bëjmë prova paradite e pasdite dhe nuk arrijmë dot të komunikojmë njëri me tjetrin, nuk po arrijmë të bëjmë punën tonë. Duam të punojmë dhe nuk mundemi. Aktorët nuk po përqendrohen dot, janë të shkatërruar”.
Kur i thotë këto, në zyrën e tij, Çuli është bashkë me aktorët që i bashkohen të njëjtit mendim.
“Kam komunikuar me kryetarin e bashkisë dhe më ka dhënë garanci vetëm për pjesën e orareve të shfaqjeve, për pjesën tjetër kryetari ndofta në të drejtë të tij, më ka thënë që janë kontrata të lidhura me firmat përkatëse dhe se janë të mbartura, por ky nuk është problemi im. Problemi im është që unë dua të punoj dhe të siguroj punën në institucionin tim. Kam një presion shumë të madh që e ndiej përditë nga aktorët, nga spektatorët, nga të gjithë që teatri nuk po arrin dot të bëjë punën e vet. Na ka ngelur vetëm t’i bëjmë provat privatisht, në shtëpitë tona. Për të mos thënë pastaj që teatri është burgosur nga të gjitha anët, nuk ka fasadë. Jemi në kulmin e sezonit dhe situata është kjo”.