Revoltë tek Kolaudimi i Automjeteve: Rama dhe Haxhinasto, hiqni monopolin!

565
Sigal

TIRANË/Dje u krijuan radhë dyfish automjetesh në 500 metra linear. Qindra qytetarë, ndonëse qëndruan 10 orë në radhë, s’mbaruan punë

Radhët e gjata që në mesnatë në të vetmen institucion të Kolaudimit të Automjeteve në Tiranë, u kanë rikthyer qindra qytetarëve kohën e monizmit kur rrinin 8 apo 12 orë në ditë në radhët e qumështit dhe në shumicën e rasteve ktheheshin duarbosh se qumështi mbarohej. Kështu ka ndodhur edhe ditën e djeshme, ashtu si pothuaj gjithë ditët e tjera të muajit të fundit të këtij viti në Qendrën e Kolaudimit të Automjeteve në Kashar të Tiranës. Të sfilitur e të torturuara mbi 10 orë në radhë, banorët akuzojnë ministrin përkatës dhe kryeministrin e vendit që t’i japin fund kësaj situate. “Për interesa dhe përfitime në kurriz të qytetarëve e për neglizhencë të strukturave të shtetit, koncesionari zviceran SGS, nuk përmbush detyrimin që ka me ligj. I kërkojmë ministrit Haxhinasto dhe Kryeministrit Rama që t’i japin fund kësaj situate, e të heqin monopolin në këtë shërbim”,- shtojnë qytetarët e revoltuar.

SITUATA

Edhe ditën e mërkurë, situata në mjediset e të vetmit Kontroll të Automjeteve që ka Tirana (përfshi dhe rrethinat), nuk ka asnjë ndryshim nga ajo situatë që denoncoi gazeta “Telegraf” një javë më parë. Dyndje dhe radhë të gjata të kryeqytetasve, të cilët presin të bëjnë kontrollin teknik të automjeteve të tyre ishin prezente gjatë gjithë ditës. Në një gjatësi mbi 500 metra, makinat janë vendosur në parkim dysh në anë të rrugës nacionale, në pritje të vlerësimit të anës teknike. “Kjo është situata e krijuar në fund të vitit, në pikën e vetme të kolaudimit të mjeteve. Duket se kjo situatë po përsëritet për të vite me radhë në periudhën e fundvitit në afërsi të Rinasit, ku ka dhe zyrat koncesionari zviceran SGS. Është torturuese, fyese por zërin tonë nuk e dëgjon kush”,- ankohen qytetarët në radhë. “Për një kontroll që zgjat vetëm dhjetë minuta, kanë kaluar më shumë se dhjetë orë. Në orët e para të mëngjesit u krijua një kaos me radhën e makinave të cilën, punonjësit e qendrës së kolaudimit nuk mundën ta menaxhonin. Kjo vjen që punohet vetëm me një sportel”,-shton 55-vjeçari Xh. Abrahimi nga Kamza. Ndërsa dje, radhët u shumëfishuan dhe për një defekt të paralajmëruar në sistemin kompjuterik. “Herën e parë jam kthyer sepse më thanë se nuk punonte interneti dhe nuk mund të bëja pagesën e taksës së kontrollit. Automjetet, pa paguar taksat (gjë që nuk është e mundur në mungesë të internetit) nuk mund të bëjnë kolaudimin. Herën e dytë u ktheva se pata një problem familjar dhe tani më duhet ta mbyll sepse është edhe dita  e fundit e afatit.

Mendo sikur të pësojnë sërish defekt kompjuterët me internetin”,-shton P. Paloja, 42-vjeç nga lagja “Ali Demi”.

KËRKESA QEVERISË

Situata e krijuar në këtë institucion, është bërë presente dhe në qeveri. Duke marr informacion për situatën e krijuar Ministria e Transporteve, e cila e ka dhënë këtë koncesion dhe ka detyrimin ligjor që ta kontrollojë procesin, konfirmon se ka ngritur një grup pune. Burimet zyrtare nga kjo ministri pohuan se, grupi i punës do të marrë në shqyrtim kontratat koncesionare dhe shumë shpejt do të ketë një përgjigje të plotë për këtë çështje. Në vitin 2009, Kontrolli Teknik i Automjeteve i është dhënë me koncesion kompanisë zvicerane SGS, Societe Gjenerale de Surveillanc. Ky është një aktivitet që sjell miliona për sektorin publik nëse administrohet nga shteti. Ndërkohë kjo kompani ka krijuar monopolin në fushën e kontrollit autoteknik të automjeteve. Kolaudimi, është një proces kontrolli i përvitshëm që në bazë të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë është i detyrueshëm për çdo automjet që është i regjistruar në vendin tonë. Shpresohet që apeli i qytetarëve që sfiliten në radhë dhe synimi për administrim sa më të mirë të këtij shërbimi, të angazhojë seriozisht shtetin.