Retrospektivë për një datë të shëmtuar!

775
Nga Gjon BRUÇI 

Në historinë e një populli e të një vendi ka data historike të bardha, të cilat lidhen me festat nacionale, me betejat e fitoret ushtarake, me arritjet në shkencë, kulturë apo prodhim, e të tjera evenimente që i përkasin gjithë shoqërisë; ashtu siç ka edhe ditë e data të zeza, si fatkeqësitë natyrore e njerëzore, luftërat grabitqare, invadimet e pushtimet e huaja etj. 20 Shkurti i vitit 1991 ishte dhe mbetet një datë e shëmtuar në historinë tonë kombëtare. Në atë datë, në mes të kryeqytetit “zbarkuan” falangat shkatërrimtare, të ngjashme me skuadronet naziste të viteve 30-të. Në fillim, falangat në fjalë, ashtu si në vitet fashiste, u nisën t’i vinin zjarrin “Rajshtagut” shqiptar, por një dorë e fshehtë ua bëri me shenjë të mësynin Shtatoren e Komandantit… Kur jetonte, Komandanti kurrë nuk deshi të lartohej në shtatore, por gju më gju me popullin, në krah të punëtorit, në ugar tek fshatari, pranë pozicionit të ushtarit, shtruar në sofrën e malësorit, do të rrinte e të bisedonte, të pyeste e të uronte, të vrenjtej e të gëzonte. U nda prej nesh duke na lënë Amanetin e Madh. Amanetin për Shqipërinë. Ne, populli i thjeshtë, hapëm “kapakun” e zemrës dhe bashkë me Amanetin, futëm aty kujtimin e Tij. Kjo ishte dëshira dhe mundësia jonë. Ndryshonte puna me shtetarët, me ata që i rrinin shumë pranë. Ata kishin forca e mjete më të shumta se ne populli i thjeshtë. Ndaj dhe nuk u morën me zemra e me “cingërima” të tilla, por shpejt e shpejt fabrikuan Shtatoren e madhe dhe me pompozitet e vendosën në mes të sheshit. Ne të thjeshtët pyetëm në heshtje: “Ç’ishte nevoja për shtatore kaq të madhe? Komandanti la vepra që nuk ka shtatore t’i balancojë”! Por pyetja jonë ishte naive. Ishte naive, sepse ne nuk e dinim se “ndërtuesit” e Shtatores, ditën që po e lartonin, kishin planëzuar edhe rrëzimin e saj. Me siguri, ndaj e bënë kaq të madhe atë shtatore, me synimin që kur të “binte”, të bënte më shumë “figurë”. Kur po e ngrinin Shtatoren, ne nuk arritëm të shikonim bulonat e heqshme në bazament, të cilat bëri sikur i “montoi” Juda dhe i mbuloi shpejt e shpejt me pllaka të bukura e larushe . . . Mercenarët e tradhtisë, të prirë prej “Pardesyve të bardha”, si Arturo-Ui i Lulelakrës, në atë ditë të 20 Shkurtit 1991, u lëshuan mbi Shtatore si një lukuni ujqërish. Megjithëse e dinin se “policia është me ne”, se armët e tyre kishin vetëm fishekë manovër, se dy-tre qen kufiri vinin vërdallë sheshit me kasat e turinjve të mbërthyera, përsëri zemrat e tyre, si zemër mercenari, u dridhej në kafazin tërë zhul të kraharorit. Gjithë paraditen e asaj dite kishin rrëkëllyer gota alkooli me qëllim që të “trimëroheshin”. Vërtet një shtatore prej bronzi ishte, por frika ishte e madhe. Kjo frikë nuk vinte nga ndonjë kërcënim fizik të çastit. Të tilla rreziqe nuk ekzistonin. Dora e fshehtë u kishte dhënë “yzëm” të vepronin pa droje. U kishte dhënë dhe çelësin “anglez” me të cilin do të lironin “dadot” hileqare të montuara që në ngritje të Shtatores. Mercenarët pra, nga kjo anë ishin të sigurt. Aq më tepër kur në krye të tyre ishin vetë “pardesytë e bardha”, që dora e fshehtë, ose më sakte, Dora e Zezë ua kishte veshur si “mburojë” nga ndonjë ngatërresë amatore . . . E megjithatë frikën e kishin në palcë. Ishte frika prej veprës së turpit dhe krimit që po bënin. Kur themi turp, nuk e kemi fjalën për turpin që mund t’i zinte ata. Jo, mercenarët asnjëherë nuk i zë turpi. Por ama ata e dinin se “vepra” e tyre e asaj dite, si vepër turpi, do t’iu dilte një ditë për hundësh . . . . Kanë kaluar plot 27 vjet nga ajo datë e shëmtuar dhe mercenarëve të tradhtisë së zezë, frika e veprës së tyre të turpit e të krimit që bënë atëherë, ende nuk u ka kaluar. Por në zemrat e popullit Shtatorja e Enverit është e sigurt. Aty ajo nuk mund të preket as nga tradhtia e as nga mercenarët e saj. Shtatorja e Komandantit çdo ditë ringrihet e lartohet në zemrat e miliona shqiptarëve, miliona punëtorëve, miliona proletarëve!
Sigal