Restaurohet Kalaja e Lezhës, Kumbaro: Vetëm fillimi

371
LEZHË- Punimet për restaurimin e pjesshëm të kalasë së Lezhe tashmë kanë përfunduar dhe ky objekt është i aksesueshëm për vizitorët dhe turistët. 
E shoqëruar edhe nga drejtues të Bashkisë dhe të Monumentëve të Kultures Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka parë nga afër ndërhyrjet që janë kryer në murin fortifikues të kalasë i cili ka qenë drejt shembjes si dhe punimet e tjera që janë realizuar.
Në fjalën e saj Ministrja Kumbaro duke evidentuar faktin e lënies në harresë prej vitesh të kalasë ka deklaruar se ky projekt është vetëm fillimi për ta kthyer kalanë e Lezhës në identitet.
Kumbaro ka ftuar edhe qytetarët dhe pushtetin vendor që të jetë më bashkëpunues në mirëmbajtjen e Monumenteve të Kulturës, pasi sipas saj jo gjithçka mund të bëjnë vetëm specialistet e monumenteve. Falë projektit “ADRIFORT” me një fond prej 32 mijë euro të akorduar nga “IPA ADRIATICA” Kalaja e Lezhës ju nështrua një restaurimi të pjesshëm për të penguar shembjen e mureve fortifikues të cilët kanë qenë në rrezik. 
Gjithashtu ndërhyrje janë kryer edhe në portat kryesore të kalasë duke vendosur trah mbajtës, ndërkohë që në pjesën hyrëse janë vënë edhe stola pushime për vizitoret dhe kosha për hedhjen e mbeturinave, si dhe është ndërtuar edhe vendi i biletarisë.