Restaurimi i Pazarit të Korçës nxjerr në faliment bizneset

1204
Bizneset e vogla të qytetit të Korçës janë të shqetësuar nga një Vendim i Këshillit Bashkiak që kërkon të ndryshojë natyrën e aktiviteteve me rastin e restaurimit të Pazarit të Vjetër dhe kthimin e tij ne një destinacion turistik dhe qendër argëtimi multifunksionale. “Është absurde që pa i pyetur, pa u konsultuar me ta, pa marrë parasysh pasojat, bashkia urdhëron bizneset të ndryshojnë destinacion. P.sh një dyqani rrobash që ka 25 vite që e bën këtë punë, ka siguruar furnitorët dhe klientët i kërkohet të shndërrohet ne dyqan veglash muzikore apo Exchange. Ku t’i gjejë mundësitë? Si do të specializohet ai në këtë drejtim kur i mungon totalisht përvoja. Më këtë politikë bashkia po detyron dyqanet që të mbyllen”, tha Albert Nasto, Kryetar i shoqatës për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm në qytetin Korçës. Por kryebashkiaku i Korçës në një prononcim për mediat sqaroi se, me restaurimin e pazarit të vjetër Bashkia nuk ka për qëllim të falimentojë bizneset, por përkundrazi të shtojë vlerën e një ambienti që më parë ishte në kaos organizimi. Filo tha se ka një projekt të detajuar që përfshin qysh prej vitit të kaluar restaurimin pazarit të vjetër dhe për këtë projekt bashkia është konsultuar në vijimësi. Ai tha se negociatat në fakt janë bërë me pronarët e dyqaneve dhe jo më tregtarët
. “Pazari i Vjetër pas restaurimit do të jetë një qendër argëtimi multifunksionale dhe ne kemi përcaktuar një liste me aktiviteti biznesi, të tilla si bare restorante, punishte, agjenci turistike, librari etj”, tha Filo. Sigurisht që pas restaurimit në këtë ambient nuk mund të shiten më rroba të vjetra, shtoi ai. Ai ka pohuar se Korça ka ambiente të tjera tregtimi ku këto biznese do të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre pa ndryshuar destinacionin. Filo tregoi se bashkia ka rënë dakord me pronarët e dyqaneve të ish Pazari i Vjetër, ata që do ndryshojnë destinacionin do të subvencionohen 50% nga Bashkia në bashkëpunim me financuesit e projektit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ai Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Projekti synon restaurimin e blloqeve të ndërtesave në zemër të Pazarit të Vjetër të Korçës, ku përfshihen çatitë, fasadat, ndriçimi dhe sinjalistika. Pazari i Vjetër është një ndër zonat më të rëndësishme në trashëgiminë kulturore dhe arkitekturore jo vetëm për qytetin e Korçës por edhe për Shqipërinë e Ballkanin. Rivitalizimi i pazarit është një hap i rëndësishëm në ruajtjen dhe trashëgimin e traditës por gjithashtu është edhe një hap më tepër drejt pasurimit të jetës kulturore dhe ekonomike të qytetit, tha Filo. Por teksa bashkia po zhvillon zonën drejt një distinacioni turistik pjesa më e madhe e biznesit të të vogël në qytet rrezikon falimentin për shkak të ndërrimit të destinacionit ose thjesht edhe nga ndryshimi i vendit të tregtimit, duke rrezikuar kështu të ardhurat për shumë familje të qytetit. Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. Pazari është djegur tre here, por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera historike dhe monumentale.
Sigal