Republika që nuk është më e popullit

926
Sigal

Ylli MEÇE

73-vjetori i shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë

Më shumë se gjysëm shekulli, apo më saktë 73 vite më parë, më 11 Janar 1946, populli shqiptar sanksionoi me ligj shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore . Kjo ishte një nga ngjarjet madhore të asaj kohe, sepse u përcaktua me ligj forma dhe përmbajtja e shtetit të ri shqiptar, i cili buronte dhe vinte nga një etapë e caktuar e zhvillimeve historike e shoqërore të asaj kohe. Republika Popullore e Shqipërisë, lindi si domosdoshmëri historike në kushte të reja dhe katërcipërisht të ndryshme nga ishte “Republika e parë zogolliane”, e cila pati vetëm tre vjet e gjysmë jetë, ngaqë Ahmet Zogu e ktheu më vonë në Mbretëri të Shqipërisë, për të forcuar pushtetin e tij absolut dhe ndryshe nga gjithë mbetërit e botës që thirreshin “madhëri”, ai e ngriti veten dhe një shkallë sipër tyre, duke u vetëquajtur “Lartëmadhëri”! Duke u marrë me shkaqet dhe duke analizuar situatat, do të vërejmë se rrënjët e Pushtetit popullor dhe format embrionale të tij i gjejmë qysh në vendimet e Konferencës së Pezës në shtator te vitit 1942, të cilat udhëzonin ngritjen e këshillave Nacional-Çlirimtare të zgjedhura nga populli, bijtë e bijat më të mira të tij, në mënyrë demokratike. Vetë thirrja “Bashkimi i gjithë popullit shqiptar pa dallim feje-krahine-ideje në luftë kundër pushtuesit okupator” përbën bazën popullore të karakterit të Luftës sonë Nacional-Çlirimtare dhe mbi këto baza u ngrit edhe Fronti i Përgjithshëm Nacionl-Çlirimtar që më vonë do të shndërohej në Front Demokratik.

Natyrisht, për të arritur deri te 11 Janari 1946, ku biri i popullit të Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë, Hysni Kapo, në emër të delegatëve të këtij qyteti dhe shumë delegatëve të tjerë, i propozoi Asamblesë Kushtetuese që Shqipëria të shpallej Republikë Popullore dhe që u miratua me unanimitet të plotë, pra për të arritur deri në këtë pikë kulmore, vendi ynë do të kalonte e kapërcente me sukses të plotë disa etapa të zhvillimeve të ngjarjeve e fenomeneve historike. Kështu p.sh., përveçse u formua shtabi i Përgjithshëm, më 10 korrik ’43 si një organ kolegjal ushtarak që do të drejtonte luftën popullore deri në fitoren e plotë, u mbajt dhe Kongresi i Përmetit dhe Mbledhja e Beratit, e cila formoi Qeverinë e parë provizore demokratike e që do të drejtonte dhe çonte Shqipërinë deri në çlirim. Shpallja e Shqipërisë Republikë Popullore në thelb përcaktonte edhe karakterin e regjimit të ardhëshëm. Ky shtet ishte i një tipi të ri, një formë regjimi e atillë që nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Ishte një shtet dhe formë e re, që njëkohësisht bënte një ndarje radikale duke e krahasuar me regjimet dhe format e mëparshme të qeverisjes. Për herë të parë do të ishte populli ai që do t‘i jepte tonin jetës dhe veprimtarisë së shtetit të ri. Sikurse e përmendëm, edhe Zogu tentoi për një Republikë, por baza saj ishte e përcaktuar nga sundimi i bejlerëve e agallarëve e prej kapedanëve të bajraqeve që mbështetnin politikat e nënshtrimit ndaj të huajve, bile ishin bjellogardistët e shpartalluar të Vrangelit dhe bajonetat serbe ato që e sollën atë në pushtet dhe jo populli. Prandaj dhe interesat që ai përfaqësonte ishin të lidhura dhe të varura nga fqinjët dhe synimet grabitqare të tyre. Shpallja e Republikës së Shqipërisë njëkohësisht do të trembte e do të tulaste duke u fshehur në strofkullat tyre edhe ato organizata tradhëtare, të cilat prej fillimit të Luftës e deri në përfundim të saj bashkëpunuan ku fshehtas e ku hapur me okupatorët pushtues nazi-fashistë. Pjesa më e kompromentuar e tyre dhe ata që i kishin lyer duart me gjak e dinin mirë se populli do t’i gjykonte, prandaj një pjesë e tyre mori rrugët e arratisë duke formuar në emigracion “mërgatat e qyqeve” teksa pjesa tjetër, që nuk pajtohej me regjimin e ri do t‘i kundërvihej atij me çdo mjet për ta rrëzuar. Asambleja Kushtetuse, e cila ishte formuar në vitin 1945 mbasi përpiloi edhe Kushtetutën e parë demokratike që u miratua në mesin e marsit 1946, u shndërrua në Kuvend Popullor.

Po cila ishte karakteristika kryesore e Republikës së parë Demokratike?

Republika Popullore shprehte e mbronte me ligj interesat e gjithë popullit shqiptar, duke e bazuar veprimtarinë te puna për rindërtimin e vendit dhe mbrojtjen e sovranitetit kombëtar sikurse dhe të fitoreve të arritura me aq gjak e sakrificë. Kjo Republikë ashtu sikurse ishte vendosur edhe më 24 maj 1944 në Përmet, rikonfirmoi edhe një herë që t‘i ndalohej me ligj ardhja e mbretit Zog në Shqipëri sepse ishte ai që e tradhëtoi atë dhe interesat e saj në momentet më të vështira. Ahmet Zogu po atë datë, teksa dëgjonte mebranën e altoparlantit të radios së vet nga Londra, do të shprehej:.. “Me ndryshimin e formës së regjimit nga komunistët e Tiranës nga Monarki në Republikë, po vihet në pikëpyetje serioze integriteti tokësor i shtetit Shqiptar”…. Dhe kush fliste! Ai që ua u shiti Shqipërinë italianëve dhe që me politikën e tij të vartësisë ekonomike përgatiti pushtimin fashist të vendit dhe vet ia mbathi Evropës me gjithë floririn e vjedhur.

Shpallja e Republikës Popullore, nuk ishte vetëm akt i saksionimit kostitucional formal dhe i kodifikuar në Kushtetutë, por dhe një detyrim madhor i cili vendoste dhe detyronte me ligj të gjitha organet e pushtetit nga qendra në bazë që mbi çdo gjë të vendoseshin interesat e popullit dhe ato të Atdheut. Interesat e popullit e shtresave të gjera, në radhë të parë përkonin me të drejtat dhe detyrat, me barazinë midis burrit gruas, me të drejtën e votës për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, me të drejtën për të qenë i lirë, por kjo liri duhej të fillonte nga heqja e shtypjes dhe shfrytëzimit. Mbi të gjitha duhej realizuar ëndrra e fshatarsisë për tokën, duke bërë reformën agrare. Shpronësimi i çifligarëve të mëdhenj, spekullatorëve dhe borgjezëve të cilët i patën pirë gjakun popullit dhe ishin pasuruar me djersën e tij, ishte detyrë e shtetit të ri, sepse ky shtet së afërmi do të behej shtet i punëtorëve dhe fshatarëve. Nuk mund të kishte liri e pavarësi kombëtare pa fabrika, uzina, pa luftë kundër analfabetizmit, pa një shëndetësi arsim falas, pa rrugë e hekurudha, ndaj dhe rinia heroike e asaj kohe u hodh në aksione për rindërtimin e Shqipërisë së re. Republika e 11 Janarit do të ish e para Republikë e popullit, e cila i doli për zot fateve të veta dhe të popullit shqiptar. Armiqtë sado që nuk reshtën për të rifituar “parajsën e humbur” në të gjitha betejat e organizuara me diversantë nga ajri, nga deti, nga toka me gjithë organizatat klandestine të spiunazhit, me gjithë provokacionet e monarkofashistëve grekë, me gjithë ndërhyrjen Jugosllave për ta bërë Shqipërinë, republikë të shtatë të saj, sikurse dhe me presionet e hrushovinëve apo komplotet anglo-amerikane që afruan flotën e gjashtë në mesdhe për të na kërcënuar…do të dështonin të gjitha me turp. Populli shqiptar ish tashmë zot i fateve të veta, që asnjë organizëm i jashtëm i Evropës a ndonjë tjetër s’mund të lozte më me fatet e tij sikurse kishin bërë më parë.

Epilog post tempus…

Dhe sot Republika ekziston, por ajo nuk është më popullore dhe si për ironi të fatit të saj ajo qëlloi vetveten pikërisht në atë bulevard nga ku ishte shpallur. Por kjo nuk do të ishte Republika jonë. Republika e popullit, bile as Kuvendi nuk do të ishte më i popullit, as ushtria nuk do të ishte më e popullit. Fjala popull do të anatemohej e mallkohej nëpër tribuna e podiume si “populiste” si fatkeqësia më e madhe kombëtare, teksa oligarkia e pasanikërve të mëdhenj, të majtë e të djathtë dhe ata të qendrës (që vetëm anusin kanë të tillë), sikurse nga altarët e kishave dhe majat e minareve që për nga numuri po ua kalojnë dhe shkollave betohen e stërbetohen në emër të popullit dhe, për hir të së vërtetës, ata fjalën e kanë mbajtur se… nuk kanë lënë më gjë pa i bërë këtij populli! Republika e sotme është pesha më e rëndë që populli ynë po e mban mbi supe. Origjitë e saj janë të pa matshme. Dhe ne nesër do votojmë përsëri – vuajtjen tonë në emër të Republikës.