Reportazh për shkollat e Topalltisë dhe Lumit të Vlorës

4320
Gëzim LLOJDIA, 
Universiteti ‘Pavarësia’
Më ngarkoi universiteti, për të rrugëtuar në vatrat e dijes në lumin e Vlorës në Topallti, ku mësojnë nga vocërrakët deri te gjimnazistët për këshillim karriere. I përqendruar në timon, sepse përpara kisha udhën e ngrënë rëndshëm nga disa faktorë: koha, lluca, suferina dhe ujërat, një zë i bukur seç më ndjell, nga mikrofoni i një radioje, krijimin më të bukur të Kadaresë, për mësuesit e fshatit: 
Në udhëkryqe ndanë xhadeve.
Ditët e shtuna dalin shpesh.
Dhe zgjatin dorën nga makinat. 
Herë dy nga dy herë veç e veç…
Vllahina ka qenë një sektor ferme i NB Kotës. Ngrehinat e tipit të vjetër janë pallatet e aso kohe, të grupuara përmbi udhë. Ndërtimet e reja janë lokale, më tej zyrat e ndërmarrjes së naftës, dhe busti i njeriut që u shpuri fashistëve të ‘20, ultimatumin, emrin e ka Selim Mallkeqi.Vllahinën e kam gjezdisur nga të dy anët që e rreh xhadeja. Nga sipër udha zbret nga fshatrat naftëmbajtëse, një rezervuar uji dhe nga poshtë duke ardhur nga ura e Peshkopisë ku bënte armë i biri i Xhixhisë. Shkolla e katundit është sipër, mes një grumbulli banesash. Ka ekzistuar një mendim tërësisht i gabuar. Në shkollat e fshatit nuk bëhet mësim. Klasat të mbyllura dhe asgjë nuk përpinte. Hera-herës dëgjohej zëri i ndonjë mësuesi në dërrasën e zezë. Mësimi këtu nuk dallohej nga ai në qytet vetëm se shkolla ishte për ibret. Dyert që mezi mbylleshin, aq sa i hiqnim zvarrë, xhamat që mungonin në dyert dhe rrallë e tek vihej edhe ndonjë gur pas dere. Godina e shkollës ishte mjaft e mirë, por shteti aty kishte hequr dorë nga investimet që kur s’mbahet mend. Mësuesit ata të thjeshtët të palodhurit ishin si ata të poezia e Kadaresë. Armeni ka shkollë të madhe, “Filo Ramadani”, quhet shkolla, por në kontrast me Vllahinën, ka pak nxënës në shkollën e mesme. Duke ndjekur udhën e asfaltë e thyer, shkolla e këtij fshati është ndër më të mirëmbajturat. Mermer, xhame, klasa të mëdha dhe ambiente të përshtatshme për të qenë shkollë. Mësuesi Qatip Mara ka shkruar kështu për shkollën e Armenit: “Më 20 nëntor 1913 armenasit çelën shkollën e parë shqipe me mësuesin Nuro Ahmet Hoxha nga Tërbaçi Vlorës.” Në librin “Armeni në rrugën e dritës” autori, Shpresim Kasaj thekson: “Pleqësia e fshatit Armen ishte lajmëruar nga Vlora, se më 20 nëntor do të hapej shkolla. Ishin marrë masat dhe ishte bërë regjistrimi i nxënësve. Ishin 17 nxënës, nga mosha shtatë deri dhjetë vjeç. Ishin lajmëruar prindërit që të vinin bashkë me nxënësit te shkolla. Ditën e hapjes së shkollës u mblodhën në qendër të fshatit. Nxënësit ishin porositur të mbanin tufa me lule. Nga Vlora erdhi mësuesi, një i deleguar dhe Osman Haxhiu. Nxënësit vrapuan drejt tyre dhe u dhuruan lule. Pastaj me ta u përshëndet gjithë paria e fshatit. Osman Haxhiu, mori fjalën dhe prezantoi mësuesin dhe të deleguarin. Ai, foli për rëndësinë e shkollës dhe arsimit shqip dhe i uroi punë të mbarë të shkollës së Armenit. Pastaj, në emër të fshatarëve të Armenit, flotën Refat Aliu e Sali Bedini, të cilët falënderuan Qeverinë e Vlorës, për nderin, që i bëri fshatit të tyre, me çeljen e kësaj shkolle. Të gjitha fjalimet u pritën me duartrokitje dhe brohoritje për Qeverinë e Vlorës dhe Ismail Qemalin. Te sheshi i Xhamisë ushtonin këngët dhe vallet ushtonin këngët dhe valet. Komisioni i ngritur nga pleqësia e fshatit që më parë, po merrej me përgatitjet e drekës, që do të shtrohej me këtë rast. U therën njëzet e ca mishra e u shkuan në hell. Këngët dhe vallet, nuk pushuan për gjithë ditën. Në fytyrat e të gjithëve, kishte gëzim të madh, të paparë. Sali Bedini, që nuk e ndante mauzerin nga vetja, qëlloi atë ditë disa herë, në shënjë gëzimi dhe hareje. Pas tij, qëlluan dhe të tjerë, duke i dhënë kësaj dite një atmosferë festive të paparë dhe një gëzim të papërshkruar. Dita e parë e punës më befasoi me mungesën e lokaleve shkollorë për mësim. Në qendër të fshatit përballë Shtëpisë së Kulturës ishte një godinë njëkatëshe me disa klasa për mësim, të cilat nuk plotësonin as kërkesat më minimale të klasës mësimore. Në largësi nga kjo godinë shkollore mbi mapon tregtare ishte improvizuar për mësim një tjetër godinë vjetërsirë me dy klasa mësimore, dhe në lagjen përballë qendrës së fshatit, në shtëpinë dykatëshe të familjes të pushkatuar nga pushteti komunist, ishin krijuar dy klasa mësmore. Në distancë nga njëra tjetra këto godina shkollore e vështirësonin orën e mësimit, sepse mësuesit ecnin me regjistër në dorë nëpër rrugët e fshatit. Kolektivi i mësuesve të shkollës më rrethoi me ngrohtësi, u miqësova shumë shpejt me mësuesit vendas; Lefter Haxhiraj, Kujtim Hasimi dhe Shpresim Kasaj. Ish- mësuesi im, Ylli Bora harmonizonte me humorin e tij jetën e kolektivit të mësuesve. Lefter Haxhiraj si mësues matematike ishte tepër korrekt dhe i përkushtuar për orën e mësimit të matematikës. Edhe pse kishte vetëm një dhomë ishte shumë mikpritës dhe dashamirës. Në shkollë, në familje e shoqëri ishte shumë ekzigjent. Performanca e Lefter Haxhiraj ishte e admirueshme, një intelektual i mirë që rrezatonte kulturë qytetare. Kujtim Hasimaj me përvojën e gjatë në arsim, me humorin e tij ishte katalizator i harmonisë të kolektivit, ku shpesh herë diversiteti i mendimeve dhe keqkuptimet eliminoheshin me taktin që ai përdorte. Mësuesi i gjuhës, Shpresim Kasaj dallonte se ishte i pasionuar pas letërsisë. Në klasën e 8-të të vitit shkollor 1970-1971, sapo hyra në mësim dallova fytyra të qeshura, me sy plot ndriçim të nxënësve; Hair Hasani, Sokrat Sinaj, Margarita Deshaj,Mbarime Koroveshi, Liri Veraj, Llamba Gjakatari etj, të cilët me përgatitje sistematike dalloheshin në përvetësimin e koncepteve shkencore. Në vazhdimësi njoha në procesin mësimor nxënës të tjerë të talentuar, si Margarita Haxhiraj, Aleksandër Haxhiraj, Agathi Gerveni, Ferdinand Haxhiraj, Shpresa Haxhiraj , Flutura Islami, Zhaneta Maliqi, Krenar Hasimaj, Arben Nuredini, Ismail Dinushi, Gëzim Islami, Vajsi Haxhiraj, Krenar Hasimi, Donika Veraj… E solla këtë pasazh për të treguar në çfarë kushtesh kanë punuar ata të thjeshtët, mësues dhe të sakrificës. Kam zbritur nga Kuçi, përmes rrjedhës së Shushicës. Shkolla, godina ndodhet në atë qafë ku dikur ishin edhe zyrat e kooperativës dhe spitali te ish-sarajet e Gjoleke. Shkolla ka pasur financime të përvitshme nga deputeti Fatmir Toçi. Madje ajo ka një kalçeto sporti që as në qytet nuk gjendet. Shkolla aty u transferua gjatë vitit 77, një ndërtesë e re me dy kate, me hapësira të mëdha, ndërsa godina e vjetër te posta, u transformua në konvikt. Aso kohe duhet thënë, se në këtë shkollë nxënësit, që studionin vinin nga gjithë zona e Lumit nga Vllahina, Drashovica, Kota, Bolena, Kallarati. Në kujtesë kam të skalitur emrat e disa mësuesve vendas; Cizja, Bako, Naimi, Vita, Bukuria, Gjena dhe Idajeti te shkolla e Lumit dhe Dhimtri, Agroni, Fotua, Pirua, Stavri, Dafina të ardhur nga qyteti. Kadare duket sikur ka qenë në Kuç kur mësuesit, ditëve të shtuna prisnin makinat e druve ose gazin që sillte shtypin për të zbritur në qytet. Siç dëshmon rasti i mësuesit Zaharia (Zahaj), shkruan Dr. Hasan Luçi, “Kuçi ka pasur shkollën e vet, qysh herët. Shkolla në Kuç u hap në 1865, kurse më parë dërgoheshin edhe në Himarë, Janinë, Stamboll dhe në Evropë.” Më 1916 u hap shkolla shqipe me mësues Neim Shehun. Në vitet ‘20 u bënë tre shkolla. Më 1925 u ndërtua shkolla nga populli në qendër, u shtuan klasat në xhami dhe konvikti më 1929 për Kurveleshin. Vajzat e para kuçiote shkuan në shkollë më 1920. Më 1943 filluan kurset e analfabetizmit. Në shtator 1944 u hap shkolla e Grashecit, pastaj edhe 4 të tjera,që vijuan deri në vitet 70. Në 1946 u ndërtua shkolla 7-vjeçare, më 1971 konvikti i ri, më 1978 shkolla e mesme bujqësore. Nga çlirimi deri në 1986 mbaruan filloren 1100 nxënës dhe të mesmen 250 vetë. Sot ka 120 nxënës me 15 arsimtarë nga 30 mësues më parë. Qendra e sotme fshatit Kallarat. Shkolla që mban emrin e Heroit të Popullit, “Mumin Selami”. 


Sigal