Remzi Çakri:Arsyet e diskriminimit të ushtarakëve me pensionet dhe zgjedhja politike

549
Sigal

INTERVISTA/Flet kreu i Shoqatës së Ushtarakëve të Peshkopisë, Remzi Çakri

Edhe ushtarakët e Peshkopisë, kanë probleme të pafundme me pensionet prej vitesh. Sorollatja nëpër sallat e gjyqeve, nuk ka të sosur dhe zgjidhja e këtyre problemeve duket sikur s’do të mbarojë asnjëherë. Në lidhje me këto probleme ka folur në një intervistë për “Telegraf”, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve të Peshkopisë Remzi Çakri. Sipas zotit Çakri, ajo që do u japi zgjidhje këtyre probleme do të jetë programi i rilindjes për ushtarakët.

 –Zoti Çakri, a kanë probleme ushtarakët e Peshkopisë me pensionet, pasi është rrëzuar kërkesa për Aktin Normativ?

-Ushtarakët e Peshkopisë, ashtu si edhe ushtarakët e mbarë Shqipërisë kanë pasur dhe kanë probleme të vazhdueshme. Dhe këto probleme janë bërë edhe më evidente pas nxjerrjes së ligjit nr. 10122. Pasi u miratua në vitin 2009 ky ligj në vitin 2012 filloi procesi i trajtimit të ushtarakëve. Realisht na kanë sjellë shumë shqetësime dhe nga Ministria e Mbrojtjes për pagën referuese, pasi në letra vazhdonte shpërndarja, ndërsa realisht nuk po funksiononin gjërat. Është e ditur tashmë që personat që kanë pasë dalë në pension para vitit 1991, e kanë marrë pjesërisht shpërblimin. Po ashtu edhe një problem tjetër mjaft shqetësues për ushtarakët e Peshkopisë.

 -Ku konsiston ky problem dhe prej sa kohësh vazhdon?

-Ka nga ata pensionistë që i kanë plotësuar kushtet për të përfituar pension që në 2009-n dhe ende nuk e kanë marrë pensionin. Sot pasi kanë kaluar 3 vjet apo më shumë që nga 2009, punonjësit u thonë që bëni kërkesë përsëri. Por ajo që është problem më i madh në këtë pikë është se ushtarakëve që nuk e kanë marrë këtë pension dhe që u kërkohet sot që të bëjnë kërkesë përsëri u digjen vitet që kanë kaluar. Pra kjo është një skandal i vërtetë. Por mesa duket qeveria dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë arritur në këtë përfundim, që i penalizon ushtarakët që duhet të kishin dalë në pension që në 2009-n. Por nuk ndalen ma kaq padrejtësitë që u janë bërë ushtarakëve në këto vite.

 -Një problem më vete kanë qenë edhe pensionet e parakohshme për ushtarakët, çfarë po bëhet në këtë drejtim kryesisht për ushtarakët e Peshkopisë?

-Kur thashë më lart që problemet e ushtarakëve nuk kanë fund, kisha parasysh edhe problematikën me pensionet e parakohshme. Pensionet e parakohshme na i ka dëmtuar shumë Akti Normativ që doli pas ligjit. Akti Normativ i ka përgjysmuar pensionet e ushtarakëve. Por akoma më i rëndë është efekti veprues i kthimit të parave që është 50% e tyre, kjo do të thotë që i ke marrë tepër dhe do i kthesh këto para. Kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite. Po mendohet që të mblidhet shoqata në qendër dhe ta trajtojmë këtë dhe të gjejmë një zgjidhje.

 -Po afrojnë zgjedhjet e 23 Qershorit, si e shikoni programin që po propozojnë partitë politike dhe kush po i afron programin më të mirë ushtarakëve?

-Ne kategoria e ushtarakëve jemi të zhgënjyer nga politika si majtas, po ashtu edhe djathtas. Por ka ardhur koha që ne të pozicionohemi në një krah dhe të kemi një rilindje të statusit të ushtarakëve, nëpërmjet një programi të tillë. Dhe kjo rilindje e statusit të ushtarakut duhet që të përballojë jo vetëm jetën e ushtarakut, por edhe të familjes së tyre. Edhe në do të pozicionoheni në njërin krah dhe normalisht do të përqendrohemi majtas. Edhe pse politika i ka futur në kthetrat e veta. Por ne do të bëjmë akt-marrëveshje me forcat politike me qëllim që mos të zhgënjehemi siç jemi zhgënjyer deri më sot. Ajo akt-marrëveshje do të bëhet me qëllim që t’i shërbejë punësimit të familjeve të ushtarakëve.

 -Është diskutuar që ushtarakët të dalin me kandidatin e tyre në zgjedhje, a do të realizohet kjo?

-Kjo çështje është trajtuar kohë më parë. Po ashtu ishte edhe ideja e krijimit të një partie. Por tani në mendojmë që të mbledhim firma për të pasur përfaqësuesin tonë si kandidat në këto zgjedhje. Dhe për këtë në mendojmë që të na përfaqësojë denjësisht Presidenti i shoqatës zoti Mehdi Pogaçe.