Sigal

Ministri i Shëndetësisë Spahn: Rekrutimi i infermierëve nga Shqipëria dhe Kosova

Me një program prej disa miliarda eurosh qeveria gjermane synon të kapërcejë mungesat në stafin e kujdesit për të moshuarit dhe në infermierë. I ashtuquajturi “Konzertierte Aktion Pflege” (aksion i koordinuar në sektorin e kujdesit shëndetësor) u prezantua të martën në Berlin dhe përfshin së paku tre Ministri, atë të Shëndetësisë, të Familjes e Ministrinë e Punës.

Brenda një viti tre ministritë do të hartojnë së bashku me 40 organizata partnere një program për furnizimin e tregut të punës me infermierë. Bëhet fjalë për afro 13 mijë vende të reja pune në sektorin e kujdesit për të moshuarit, ndërkohë që mbi 35 mijë vende pune në sektorin e infermierisë dhe kujdesit shëndetësor janë vakant që tani.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn: Kosova dhe Shqipëri kanë shkolla shumë të mira

 

Për të papunët në vend ky profesion është jo atraktiv. “Vetëm 28 konkurrues ka për çdo 100 vende vakante”, – tha ministrja e Familjes, Franziska Giffey. Prandaj edhe krahas përmirësimit të kushteve të punës e rritjes së pagës, kjo mangësi do të plotësohet nëpërmjet rekrutimit masiv nga vende si Shqipëria dhe Kosova, popullsia mesatare e të cilave është 29, përkatësisht 26 vjeçare. “Këto vende kanë shkolla shumë më të mira se ç’mund të mendojë kush”, – tha ministri i shëndetësisë Jens Spahn të martën para gazetarëve në Berlin. Ai shtoi se deri tani është bërë një përvojë e mirë me to, dhe se në të ardhmen rekrutimi do të bëhet ndoshta më i organizuar dhe më i strukturuar.

Se si do të bëhet rekrutimi konkretisht, se a do të nënshkruhen marrëveshje bilaterale mes shteteve, apo me agjencitë ndërmjetësuese dhe punëdhënësve të mundshëm, siç është deri tani, kjo duhet shqyrtuar, – tha Spahn më tej. “Për mua ka rëndësi që ky proces të shoqërohet nga Organizata Botërore e Shëndetit, në mënyrë që të garantohet që të dyja palët të kenë përfitime”.

Ministrja e Familjes, Franziska Giffey: Viza për të kërkuar punë

Deri tani një problem që kanë pasur disa infermierë që kanë ardhur në Gjermani ka qenë njohja e diplomave të huaja. “Nganjëherë procedurat zgjasin deri në dhjetë muaj, kur ky proces bëhet nga jashtë shtetit procedurat janë edhe më të gjata”, – tha ministri i Punës Hubertus Heil (SPD). Prandaj, edhe plani i prezantuar të martën në Berlin parashikon ndër të tjera që kandidatët të vijnë në Gjermani, edhe si punëkërkues me një vizë gjashtëmujore, në mënyrë që njohjen e diplomës ta bëjnë në Gjermani. Për këtë Heil do të duhet të koordinohet edhe me ministrin e Brendshëm Horst Seehofer, i cili është përgjegjës për sektorin e vizave si edhe me ministrin e Ekonomisë, Peter Altmeier.

Një element tjetër i këtij plani është edhe rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve të punës, duke i lidhur pagat me tarifat e sindikatave. Puna e infermierit duhet të jetë sërish atraktive, – tha ministrja e Familjes Franziska Giffey.

  

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil: Mijëra infermierë, që tani nga Shqipëria në Gjermani

Nga Shqipëria dërgohen prej tashmë dy vjetësh infermierë në Gjermani. Aktualisht vetëm në filialin e Tiranës janë afro 1000 infermierë që po përgatiten për t’u larguar nëpërmjet DEKRA Akademie, e cila u ofron infermierëve shqiptarë kurse gjuhe dhe përgatitore për njohjen e licencës. Deri tani ky institucion ka dërguar rreth 1200 infermierë në Gjermani, bën të ditur për Deutsche Welle drejtoresha e Akademisë Dekra, Jonida Gjuzi.

Megjithëse shkollat shqiptare nxjerrin shumë infermierë, afro 3000 në vit, ekspertët janë të shqetësuar për mungesën e profesionistëve nëpër spitale, pasi infermierët më me përvojë po largohen.