Regjistrimet në Fakultete – Koni: Ritëm i lartë, mbi 80% nga 20% në 2016

617
Për të gjithë ata maturantë të cilët kanë qenë në pritje të raundit të dytë për t’u regjistruar nëpër fakultete, këtë të premte ka nisur procesi, që do të zgjasë deri më datë 22 shtator. Në një intervistë, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni deklaroi se ritmi i regjistrimeve ka qenë shumë i lartë, mbi 80% krahasuar me vitin 2016, duke nënvizuar se përveç kësaj ka pasur dhe një nivel të lartë cilësie tek studentët.
“Ritmi i regjistrimeve ka qenë shumë i lartë krahasuar me vitin paraardhës është katërfish nga 20 për qind është mbi 80 për qind dhe kuptohet që në raundin e dytë numri i kuotave është më i kufizuar. Në Universitetin e Tiranës ku bën pjesë edhe filiali i Sarandës, me dy programe studimi si Administrim Biznesi dhe Gjuhë Angleze, ka 1025 kuota. Dua të theksoj se nga një analizë paraprake që iu është bërë programeve të studimit në Universitetin e Tiranës, në studentët e fundit që janë regjistruar mesatarja evidente është nga 8 e sipër, pra ka edhe një cilësi shumë të lartë pra është shoqëruar sasia me cilësinë”, thotë Koni.
Sa i takon transferimeve të studentëve Koni theksoi se janë 270 kuota në nivel universiteti. Rektori i UT i bëri thirrje të gjithë studenteve të cilët kërkojnë të transferojnë studimet se procesi ka filluar dhe se duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës deri më datë 19 shtator.
“Procedura e aplikimit të transferimit ka nisur nga data 7 shtator deri më 19 shtator. Studentët që janë të interesuar për të transferuar studimet të paraqiten pranë Fakulteteve përkatëse ku ndodhet programi i tyre i studimit për të paraqitur dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të bëhet vlerësimi nga komisionet dhe t’iu jepet mundësia dhe shansi për tu regjistruar dhe transferuar në Universitetin e Tiranës. Theksoj që numri i kuotave të vëna në dispozicion për këtë vit akademik është 270 në nivel universiteti, pra është një mundësin e mirë për të gjithë ata studentë të cilët nuk kanë pasur mundësi për t’u regjistruar në Universitetin e Tiranës, i jepet shansi përmes procedurës së transferimit.”
Më tej Koni theksoi se procesi në raundin e parë ka qenë i qetë dhe stafet e fakulteteve janë treguar të kujdesshëm për të regjistruar çdo maturant fitues.
Sigal