Reformat në drejtësi, anëtarët e Gjykatës së Lartë të zgjidhen nga KLD

498
Sigal

Flasin për gazetën “Telegraf”, në lidhje me zgjedhjen e Prokurorit dhe anëtarëve të gjykatës av. Idajet Beqiri, av. Sajmir Vishaj dhe av. Altin Goxhaj

Komisioneri Nils Muiznieks dhe delegacioni i tij vizituan Shqipërinë në 23-27 shtator 2013. Gjatë vizitës, komisionari pati bisedime me autoritetet shtetërore, me organizatat joqeveritare vendase, si dhe me organizatat ndërkombëtare. Raporti i Komisionerit përqendrohet tek të drejta të njeriut. Komisionari është i shqetësuar në lidhje me nivelin e lartë të korrupsionit për gjyqësorin, çka pengon seriozisht funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë dhe minon besimin e publikut tek drejtësia dhe studimi i ligjit në Shqipëri. Komisionari, gjithashtu, vë në dukje me shqetësim se sistemi aktual i emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm mbart rrezik serioz për ushtrimin e një ndikimi të papërshtatshëm politik. Ai u bën thirrje autoriteteve që të miratojnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, me qëllim që roli kryesor në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë t’i jepet Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në lidhje me sa përmendem, ne kemi pyetur, avokat Idajet Beqiri, Përfaqësuesin e Studios Ligjore, avokat penalist Sajmir Vishaj dhe Drejtorin e Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit, avokat Altin Goxhaj, i cili ndjek proceset gjyqësore dhe hetimet për tre nga çështjet e lëna detyrë nga Komisioneri. Në vijim mund të lexoni përgjigjet e tre pyetjeve të mëposhtme:

1- Sipas Komisioni për të drejtat e njeriut, Prokurori i Republikës së Shqipërisë duhet të zgjidhet dhe shkarkohet me 84 vota. A mendoni se është e drejtë kjo kërkesë?

2- A mendoni se, për tu shkëputur nga politizimi, Anëtarët e Gjykatës së Lartë duhet të zgjidhen nga KLD dhe jo nga parlamenti apo Presidenti?

3- Ministri i drejtësisë nuk duhet të marrë pjesë në nisjen e procedimeve për gjyqtarët. A mendoni se për të riparuar këto tre orientime duhet të fillojë një reformë e përgjithshme dhe e plotë në drejtësinë shqiptare?

Sajmir Vishaj (Përfaqësuesin e Studios Ligjore, avokat)

 

Pyetja 1.

SHAPSH është dakord që të bëhen ndryshime kushtetuese që prokurori i përgjithshëm mos të jetë një i zgjedhur partiak me shumicë partiake pra 70+1, por duhet të jetë shumicë e cilësuar. Për aq kohe sa avokat i popullit zgjidhet me 84 vota që do të thotë që  ka një mirëkuptim nga subjektet politike edhe prokurori i përgjithshëm, duhet të zgjidhet me 84 vota si institucion kushtetues, por që unë shpreh mendimin se prokurori i përgjithshëm nuk është organ drejtësie, por pjesë e ekzekutivit. Një forcë politike që triumfon nëpërmjet programit të saj përpara votës së popullit e ka determinant edhe zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm si pjesë e programit të saj apo reformave kundër korrupsionit apo “duarve te pastra”. Nuk ka logjik që mund të fitosh pushtet ekzekutiv, dhe të mund të premtosh që do qeveris me duart të pastra dhe nga ana tjetër të qeverisesh me duar të “pista” nga rrëgjimi i kaluar. Çdo qeveri e dal nga vota e popullit do të dështoj nëse nuk zgjedh një prokuror të përgjithshëm që të ndjek luftën antikorrupsion.

pyetja 2

Nëse duhet të ndajmë gjyqësorin nga politika duhet që anëtarët e gjykatës së lartë të zgjidhen nga një organ i drejtësisë, i cili duhet t’i kontrolloj ata. Një gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë apo i Shkallës së Dytë kontrollohet nga KLD, ndërsa Gjykata e Lartë

apo gjykata kushtetuese nuk kontrollohen nga askush. Asnjë organ drejtësie nuk mund të jetë indipedent dhe i pavarur. Pavarësia e tij është unike vetëm nga organi që emëron dhe vetëm ai duhet ta kontrolloj. Nëse një Gjykatë e Lartë është gjykatë karriere vetëm KLD nëpërmjet vlerësimeve duhet të bëhet përzgjedhja nga KLD ose nga Populli me referendum. Në asnjë mënyrë nga presidenti apo kuvendi popullor.

Pyetja 3-

Ministri i drejtësisë duhet të jetë rekomandues, por jo iniciues i fillimit të procedimit të masave disiplinore pasi do të kemi një shkelje shumë të rëndë të parimit të ndarjes apo pavarësisë së pushteteve. Nuk mundet që një pjesëtar i ekzekutivit të kontrolloj një pjesëtar të gjyqësorit, por Ministri i Drejtësisë, nëpërmjet një hallke të tret që mund të jetë një komisioner i ngritur enkas nga Parlamenti, i cili mund të ketë tagra që të nis apo të ndërmarrë hapa për fillimin e procedimeve disiplinore ndaj gjyqësorit. SHAPSH është e mendimit se reforma në drejtësi nuk është reformë me zëvendësim njerëzish, por një reformë mendësish larg emërimeve apo dekreteve me “para”, por vendosje e menjëhershme  e një force gjyqtarësh apo prokurorësh si të ELUEX në Kosovë për një periudhë 3- vjeçare në disa qarqe të RSH për të rikthyer besimin të drejtësia apo sundimin e ligjin në Shqipëri.

Altin Goxhaj (Drejtori i ZMK-së)

Pyetja 1

Ka dy linja paralele argumentimi! Një është politik dhe tjetra juridike. Linja juridike kërkon standardin e një shkarkimi të arsyetuar si shprehje e një vullneti konsensual për ta mbrojtur Kryeprokurorin nga diktimi i pushtetit të ekzekutivit ndaj dhe kërkesa e KDNJ me 84 vota synon një bazë të gjerë. Gjithkund njihet praktika që një i zgjedhur me 50%+1 për tu shkarkuar mund të kërkojë 2/3 apo ¾ edhe për ta mbrojtur të zgjedhurin nga një shkarkim arbitrar dhe rasti i cilësuar Kryeprokuror d.m.th përfaqësues institucioni që heton ata që kanë maxhorancën bëhet për të rritur pavarësinë e tij. Presidenti dhe Prokurori meritojnë një votim me 2/3 apo ¾ për t’ia arritur të shprehin një pavarësi funksionale pushtetesh dhe realizim efektiv funksionesh kushtetuese, por shkarkimi i tyre është domosdoshmërish të jetë me 2/3 apo ¾ pikërisht për tu garantuar mbrojtjen në rast se ata në emër të funksioneve kushtetuese marrin vendime që bien ndesh me vullnetin e maxhorancave! Në linjën politike vete zgjedhja e Prokurorit është element bazë i vullnetit politik qe vjen si pasojë e zgjedhjes nga ligjvënës të zgjedhur politikisht, pra synon shprehjen e vullnetit politik në zgjedhjen e Prokurorit! Pretendimi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut i referohet pikërisht një nevoje për konsensus me bazë të gjerë në mënyrë që figura e Prokurorit të identifikohet me pavarësinë e tij në marrjen e vendimeve që bien ndesh me vullnetet politike të maxhorancave për ta mbrojtur me votë vendimmarrjen e Kryeprokurorit në raste kur ai kryen detyra që cenojnë vullnetet politike të maxhorancës.

Pyetja 2

Bazuar te e njëjta koincidencë e rrezikshme për pavarësinë e gjyqësorit matematika përkatëse do të kërkonte një votim parlamentar me ¾ të votave dhe jo 2/3 për ta bërë zgjedhjen e gjykatësit shprehje të konsensusit politik dhe jo të vullnetit politik të një maxhorance pasi maxhoranca do të zgjidhte gjykatësin politik dhe jo atë të pavarur ku çdo kriter do të bazohej në interesat e vullneteve politike të maxhorancës dhe aspak të profesionalizimit që do të mund të favorizohej nga numrat e nevojshëm Pozitë dhe Opozitë! Vetë Presidenti është figura e unitetit kombëtar dhe për këtë arsye roli i tij është i domosdoshëm si adresuesi i kandidatëve. Gjithsesi, roli i KLD-s është akoma dhe më kompleks pasi aty përfaqësohen më drejtë palët e përfshira në sistemin e drejtësisë.

Pyetja 3

Ministri i Drejtësisë përfaqëson vullnetin e maxhorancës që qeveris dhe çdo procedim i tij është shprehje e vullnetit të ekzekutivit. Reforma është e domosdoshme, por vetëm me një kusht; ajo duhet realizohet politikisht nga ligjvënësit si rregullim, por me asnjë rregullim që përfshin rolin ndikues të ekzekutivit, që do të thotë një legjislacion, i cili u jep pushtet institucioneve të drejtësisë që ta realizojnë këtë reformë brenda vetes. Pra, Parlamenti shkruan rregullat e lojës dhe aktorët që duhet ta luajnë lojën e reformimit duhet të jenë 100% vetëm ata që janë brenda sistemit të drejtësisë. Kjo është e vetmja rrugë që reforma të mos jetë instrument politik i maxhorancave për të influencuar dhe ndërhyrë politikisht në sistemin e drejtësisë.

 

Idajet Beqiri (Kryetar i Unitetit Kombëtar Shqiptar, avokat)

Pyetja 1

Në fakt, me Kushtetutën e vitit 1998, e cila u miratua përmes referendumit popullor, Prokurori i Republikës zgjidhej me 84 vota dhe shkarkohej po me 84 vota nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Politika e korruptuar shqiptare, për t`a vënë këtë institucion të rëndësishëm të akuzës së shtetit nën kontrollin e saj, “me një të rënë të lapsit” e ndryshuan Kushtetutën e Republikës në vitin 2008 në dy aspekte: E para, emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm e bënë me votim të thjeshtë, domethënë me 71 vota. Dhe e dyta, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm e kufizuan vetëm në 5 vjet! Ky hap i mbrapsht, i bërë me qëllimin e vetëm për ta patur Prokurorin e Përgjithshëm “në frerin e qeverisë dhe të politikës” e fundosi shumë më keq se sa ishte organin e akuzës. Në se sot kemi një gjendje të tillë kriminaliteti dhe paligjshmërie, në se kemi këtë shkallë të paimagjinueshme korrupsioni, pjesën më të rëndësishme të fajit e ka politika hileqare dhe shkatërrimtare e institucioneve të vendit. Në këtë aspekt konstatimi dhe vlerësimi i Komisionit të të Drejtave të Njeriut është i drejtë dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të reflektojë menjëherë në këtë drejtim për ta rikthyer Kushtetutën në parametrat që e kishim në vitin 1998 kur e miratuam me referendum.

 Pyetja 2

Mënyra e zgjedhjes së Anëtarëve të Gjykatës së Lartë është nga më të këqijat që kemi zgjedhur. Ndaj reforma e thellë në drejtësi duhet t`a preki fort këtë aspekt të emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Presidenti dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet të kenë asnjë punë me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ju thoni a do të ishte më mirë që këtë gjë t`a bënte KLD-ja? Po, kështu do të ishte më mirë. Por, cila KLD, kjo që është sot?! Nga mënyra se si është konceptuar, si është ndërtuar, nga se përbëhet dhe se si funksionon sot KLD, t`i japësh kompetencën e emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, do të thotë “t`i varësh ujkut mëlçitë në qafë”!

 Pyetja 3

Ministri i Drejtësisë është pjesë e pushtetit ekzekutiv. Pushteti gjyqësor është i pavarur nga të gjitha pushtetet e tjera, posaçërisht nga pushteti ekzekutiv, i cili ka patur dhe ka gjithmonë tendencën për të ndërhyrë dhe për ta cenuar pavarësinë e gjyqësorit. Një KLD e konceptuar siç theksova më sipër, e bënë të panevojshme nisjen e procedimit disiplinor të gjyqtarëve prej ministrit të Drejtësisë.