Reformat në administratë, risi e nevojë perfeksionimin e shërbimeve ndaj qytetarit

653
Sigal

Flasin për ‘Telegraf’: Klaudia Krasnika drejtore e Postës, Jonida Cungu titullare e DAR dhe Desantila Tahiraj drejtore e Shëndetësisë

ELBASAN- Prej 16 shtatorit 2013 reformat në administratën e shtetit kanë nisur të marrin rrugën e tyre edhe në institucionet e Elbasanit. Posta Shqiptare, Drejtoria Arsimore, Shërbimi Spitalor, Uzina e Mjeksit, janë ndoshta  institucionet bazë të punësimit në këtë qytet, me shumë probleme sociale si kudo në Shqipëri. Drejtuesit e këtyre institucioneve, shprehen optimistë për ecurinë e reformimit të administratës që ata drejtojnë, duke theksuar se: “Mbi të gjitha prioritare mbetet shpërgjumja e stafeve, dhe se çdo pranim i ri apo largim të bëhet mbi baza profesionale dhe meritokracie”.

Drejtorja e Filialit të Posta Shqiptare, zj. Klaudia Krasnika

Posta Shqiptare mbetet një ndërmarrje shumë e shtrirë në aktivitetin  dhe shërbimet që ajo kryen, të cilat shtohen nga dita në ditë  falë  punës së mirë dhe projekteve që Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë. Unë nuk e konsideroj një barrë të rëndë, por përkundrazi e shoh një sfidë dhe çdo ditë e  imja në këtë detyrë nis dhe përfundon me të vetmin qëllim, të reformoj administratën dhe shërbimet dhe të jemi sa më pranë qytetarëve, të plotësojmë çdo kërkesë të tyre brenda ligjit, të përmirësojmë dhe ofrojmë një gamë shërbimesh për t’i lehtësuar  qytetaret dhe për ti dhënë fund njëherë e mirë radhëve të krijuara nëpër sportele. Filiali i Postës Elbasan, do të vazhdojë rrugën e reformave për të përsosur shërbimet, etikën, kulturën  në sportelet tona. Aktualisht  nuk ka asnjë  ndryshim në administratë  dhe  ndjehem me fat që  përkrah kam një staf të kualifikuar dhe të përkushtuar në punë. Lëvizjet që janë bërë  nuk janë aspak të imponuara nga forcat  politike që sot qeverisin  por janë largime të punonjësve të papërgjegjshëm në punë dhe që nuk kane arsimin përkatës për pozicionet e punës që ato kryejnë. Këtë institucion e kam gjetur me një  strukturë të mbingarkuar dhe me pozicione pune që të ardhurat nuk  i  justifikojnë ato dublikime të pozicioneve që janë bërë. Për të patur një  performancë sa më të mirë ne si institucion kemi marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e punës dhe për të arritur objektivat e vëna  për treguesit ekonomiko-financiar. Ashtu siç u shpreha edhe me lart , qëllimi im është perfeksionimi i shërbimeve që aktualisht ne kryejmë, por gjithashtu, po punohet shumë për marrjen e shërbimeve të reja në ndihmë  të qytetarëve. Në muajin dhjetor  2013 kemi nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Policisë  për arkëtimin  e gjobave dhe ky shërbim tashmë  kryhet nga punonjëset e Postës, pranë ambienteve të policisë  për  të qenë  sa më pranë qytetareve në një kohë rekord dhe duke i mundësuar  këtë shërbim  nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Gjithashtu, kemi arritur një marrëveshje  edhe me Kryetarin e Bashkisë për ndihmën  ekonomike dhe të paaftësisë . Ky shërbim ka filluar që nga janari i vitit  2014, të kryhet nga zyrat tona postare dhe janë marrë  të gjitha  masat nga ana jonë  si drejtori për ta kryer sa më mirë  këtë  shërbim, duke ia mundësuar dhe dërgimin në shtëpi me postë. Jemi në diskutime për marrjen edhe të disa shërbimeve të tjera që shume shpejtë  do te kemi edhe marrëveshje zyrtare me ato institucione që ne mund t’i kryejmë shërbime. Jam e vendosur të mos ndalem në reformimin  dhe perfeksionimin e këtij institucioni, sipas parametrave që kërkon koha dhe tregu shërbimeve  postare sot.

Drejtorja e DAR Elbasan, zj. Jonida Cungu

Arsimi, ndoshta është sektori më delikat që në 8 vitet e kaluara ka marrë mjaft goditje nga mungesa e përgjegjshmërisë  dhe mungesa e reformimit të strukturave  nga qendra në bazë. Pra sistemi arsimor kërkon fillimisht impenjim maksimal në rritjen e vlerave dhe impenjimit të drejtuesve nga stafi DAR deri në shkolla. Reformimi  administratës  kërkon dhe përkushtim dhe dashuri për arsimin, pasi  ky sektor kaq delikat në Elbasan ka problematikat e veta, ashtu sikundër në të gjithë vendin, ka një dyndje kërkesash për punësim, ndërkohë që mundësitë nuk janë të mëdha. Arsimi ynë tashmë ka ndryshuar profilin e tij si rrjedhojë e reformave të thella strukturore dhe kurrikulare që janë projektuar, krahasuar me shumë vite më parë. Në këtë drejtim  janë bërë përmirësime, por duhet të bëhen akoma më shumë përmes  tërësisë së reformave të ndërmarra. Pra  ka vend për përmirësime dhe ndryshime të mëtejshme. Besoj se synimi për një arsim më cilësor, është thelbi i gjithë reformave. Kriteret për pranimin e punonjësve arsimorë janë të përcaktuar me ligj dhe përzgjedhja e tyre është tashmë e drejtë e institucioneve arsimore, i cili ngre komisionin e vlerësimit dhe kryen procedurën përkatëse për përzgjedhjen e mësuesit.  Prania e komunitetit dhe mësuesve në komision, do të jenë përcaktues për vlerat  njerëzore që do të tërheqin në arsim. Prezantimi  im u fokusua në angazhimin për të krijuar një performancë të mirë të arsimit në Elbasan, e cila do të arrihet me bashkëpunim , bashkëveprim  dhe motivim. Dihet që korrupsioni ka prekur çdo qelizë të jetës sonë të përditshme  në këto vite  dhe kjo pa dyshim nuk mund të anashkalonte edhe arsimin. Ndryshimet mbas 23 Qershorit, politikat që po ndjek qeveria ndaj arsimit, programi që ka shpalosur Ministria e Arsimit dhe Sportit, kanë si qëllim luftën ndaj këtij fenomeni  aq të përfolur në vitet e fundit në arsim. Kjo është dhe një nga sfidat e mia personale. Procedura e përzgjedhjes me konkurs të drejtuesve, do të realizohet pranë institucioneve arsimore, përmes një komisioni të gjerë të përcaktuar me ligj. Pjesëmarrja e prindërve dhe vetë mësuesve në këtë proces vendimmarrës, besoj se sjell një risi, që do të ketë në thelb përzgjedhjen e më të mirëve. Mendoj se veprime të tilla duhen verifikuar dhe nuk duhen anashkaluar. Për çdo rast të konstatuar do marrim masa kundrejt ligjit në fuqi. Mbështes nismën e marrë nga Ministrja e Arsimit, për kurset private, të cilat  si një epidemi  kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë imazhin e shkollës. Reformimi  padyshim do të prekë cilindo mësues që përpiqet të pengojë procesin e reformave, duke synuar ringritjen e vlerave të shkollës dhe mësuesit si edukator.

 Drejtorja e Qendrës Spitalore  “Xh. Kongoli”, Desantila Tahiraj                                                                                     

Edhe tek Qendra Spitalore “Xhaferr Kongoli” në Qytetin e Elbasanit ka nisur një reformë të gjithanshme, pjesë kjo e programit të qeverisë “Rama”. Drejtorja e Spitalit Rajonal të Elbasanit, Desantila Tahiraj e ka vënë theksin  tek cilësia e shërbimit në spitale dhe respektimi i orarit të punës nga mjekët duke mos lejuar në asnjë rast shërbimin në klinika private gjatë orarit shtetëror të shërbimit. Sipas Tahirajt, Spitali i Elbasanit synon të konkurrojë në cilësi dhe shërbime. Tahiraj përshëndeti vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ofrimin falas të shërbimit shëndetësor për të sëmurët me kancer dhe gratë shtatzëna. Në vijim të reformës në sistemin shëndetësor, prioritet u cilësua edhe rritja e kualifikimit mjekësor, sidomos të Shërbimit të Urgjencës me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtorja Tahiraj deklaroi për “Telegraf” se, “reformimi i sistemit shëndetësor ka nisur dhe nuk ka kthim mbrapa, pasi unë, stafi im  dhe gjithë ekipi bluzave të bardha dhe jo vetëm në Elbasan, synojmë rritjen e nivelit të shërbimeve dhe eliminimin e çdo mosmarrëveshje mes mjekëve dhe pacientëve, të cilët duhet të marrin nga ne gjithçka u duhet kur ata janë në spitalet e shtetit”. Duke u përgjigjur pyetjes tonë për largimet nga puna zonja Tahiraj tha se, “asnjeri nuk largohet nga detyra pa motiv, pasi kjo përbën shkelje ligjore, por nga ana tjetër asnjeri nuk do të tolerohet të shkelë rregulloren e spitalit, betimin e mjekut dhe  ligjet e shtetit, sistemi ynë shëndetësor ka nevojë urgjente për një kthesë totale në mentalitet dhe në praktikat e punës, të cilat duhet të përshtaten me ato të vendeve të BE-së, ku ne duam të jemi anëtarë me të drejta të plota”.