Reforma Konsullore, MPJ: Lehtësohen procedurat midis Belgjikës dhe Shqipërisë

501
Belgjika dhe Shqipëria fillojnë zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve sipas Konventës së Hagës “Mbi heqjen e detyrimit për legalizimin e dokumenteve zyrtarë të huaja”.
Sipas një njoftimi të MPJ, “përpjekjet që Belgjika të pranojë reciprokisht regjimin e Apostille-s kanë zgjatur disa vite. Gjatë vizitës se Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit te Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, z. Didier Reynders në 2015, u dëshmua angazhimi për të përfunduar këtë proces. Pala belge, duke marrë në konsideratë modernizimin e lëshimit të dokumenteve nga administrata shqiptare dhe garancitë e rregullshmërisë së tyre, vendosi të heqë rezervat e vendosura në vitin 2003 për zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s.”
“Nëpërmjet këtij vendimi përmirësohen ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve që duhet të paraqesin dokumente në Belgjikë ose anasjelltas. Tanimë, të gjithë dokumentet zyrtarë të prodhuar nga autoritetet e të dyja vendeve do të apostilohen pa pasur nevojë të legalizohen nga përfaqësitë respektive diplomatike. Për çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare dhe që do të paraqitet në Belgjikë nëpërmjet këtij vendimi do të kursehet tarifa e legalizimit nga autoritetet belge, me vlerë 20 euro/dokument, si dhe koha e pritjes do të përgjysmohet.Gjithashtu, dokumentet e prodhuara nga autoritetet belge, për të qenë të vlefshme në Shqipëri, duhet të legalizohen me vulën Apostille të lëshuar nga institucionet belge, pa pasur nevojë të legalizohen pas kësaj në Ambasadën e RSH-së në Bruksel. Edhe në këtë rast, kursehen 20 euro/dokument dhe ulet ndjeshëm koha e pritjes”, thuhet në njoftimin e MPJ.
Ministria e Punëve të Jashtme, në kuadër të reformës së shërbimeve konsullore dhe përmirësimit dhe përshpejtimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, po vijon përpjekjet e saj për heqjen e legalizimit të dokumenteve edhe me vende të tjera të BE-së ku jetojnë shtetasit shqiptarë.
Sigal