Reforma e re territoriale, mundësi për rritje të ardhurash nga taksat dhe tarifat vendore

796
Pas reformës territoriale nga 309 komuna dhe 60 bashki, aktualisht territori i Republikës së Shqipërisë po administrohet nga 61 Njësi të Qeverisjes Vendore, ku secila prej tyre ka në përbërje të saj ish-komunat, sipas ndarjes së territorit në bazë qarku. Për t’iu përgjigjur kësaj reforme, Kontrolli i Lartë i Shtetit në ristrukturimin e kryer në 2016 ka riorganizuar Departamentin e Buxhetit të Pushtetit Vendor, duke e ndarë nga auditimi i Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) dhe Drejtorive Rajonale të Agjencisë së Legalizimeve, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI).

Mundësitë e reja të 61 Njësive të Qeverisjes Vendore

Pavarësisht nga vështirësitë që janë hasur në zbatimin praktik në terren të reformës territoriale, fokusin e këtij shkrimi do ta orientojmë në mundësitë, burimet dhe resurset që ekzistojnë në njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë), për rritjen e të ardhurave nga grumbullimi i taksave dhe tarifave vendore, për përmirësimin e pagave të punonjësve, për të ulur diferencën që jepet nga buxheti qendror dhe më kryesorja sigurimin e fondeve për kryerjen e investimeve, për rrugë, ujësjellës, kanale vaditëse, etj, me objektiv përmirësimin e jetesës së komunitetit. Nga reformat e ndërmarra nga qeveria këto dy vitet e fundit mjaft taksa i janë hequr pushtetit vendor duke u mbledhur nga pushteti qendror. Nga auditimet e KLSH-së, në disa bashki rezulton se këto reforma nuk kanë dhënë efektin e duhur, pasi mjaft subjekte ende nuk janë regjistruar në QKR apo nuk presin kuponin tatimor. Kjo vjen pasi kompetencën dhe të drejtën e kontrollit e kanë vetëm Drejtoritë Rajonale Tatimore në rrethe, pra me këtë përqendrim kompetencash, administrata tatimore e ka të vështirë të ushtrojë kontroll në gjithë territorin e vendit. Nga ana praktike një inspektor tatimesh në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, e ka të pamundur të kontrollojë nëse është regjistruar apo pritet kuponi tatimor në një lokal në Shëngjergj ose Farkë apo një inspektor në Drejtoria Rajonale Tatimore Dibër nëse pritet kuponi tatimor në një lokal në “Kala të Dodës”, etj. Këshillat Bashkiak janë autoriteti i vetëm vendor për vendosjen e masës së taksës dhe tarifave vendore brenda kornizave të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë. Por pa mohuar punën dhe vështirësitë që ekzistojnë për grumbullimin e taksave dhe tarifave vendore ende puna e administratave tatimore të Bashkive lë për të dëshiruar. 

Taksat dhe tarifat me peshë

Në këtë shkrim do trajtojmë vetëm 3-4 llojet e taksave dhe tarifave më me peshë që kanë mbetur për t’u mbledhur nga pushteti vendor dhe konkretisht: Arkëtimi i taksës së tokës, taksave për popullatën (banesave vetjake, tarifa për pastrim, gjelbërim) dhe vjeljes së tarifave për sipërfaqet pyjore, kullotë apo toka të tjera in produktive në administrim të pushtetit vendor të cilët janë pajisur nga pushteti qendror me lejet minerare apo koncesionare, bazuar në legjislacionin në fuqi. Së pari: Mbi pagesën e taksës së tokës bujqësore. Taksapagues i taksës mbi tokën bujqësore është çdo individ, person fizik, juridik vendas dhe i huaj që ka në pronësi tokë bujqësore. Në bazë të nenit 23, të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar, baza e taksës është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektar në pronësi të tatimpaguesit. Dokumentet bazë për përcaktimin e sipërfaqes së tokës bujqësore janë: Për zonat ku ka përfunduar procesi i regjistrimit është “Certifikata e regjistrimit”; për zonat që nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit, dokumenti provizor bazë është, “Akti i marrjes së tokës në pronësi” (Tapia e firmosur nga pronari i tokës); për zonat që nuk ka kaluar toka në pronësi, dokumenti provizor bazë është “Akti i marrjes së tokës në përdorim”; vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, vendimet e privatizimit; dokumente të tjerë të lëshuar nga organet përkatëse shtetërore në përputhje me ligjin. Nga auditimet e KLSH, rezulton se për administrimin e taksës së tokës ka mjaft mangësi, pasi nuk janë hapur regjistrat e tokës me të gjitha të dhënat e nevojshme, si tapia, sipërfaqja, zona kadastrale. Për efekt pagese të taksës, toka bujqësore është e klasifikuar në 7 kategori, ku vlera e taksës për 1 ha/vit për rrethet e kategorisë I-rë si, Tiranë, Durrës Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë, pagesa varion nga 1800-5600 lekë/ha në vit ose për 10 ha tokë një fermer paguan 18,000-56,000 lekë/vit dhe për 1m2 pagesa varion nga 0,18-056 qindarka/vit. Ndërsa për rrethe të kategorive të tjera pagesa varion respektivisht nga 14,000-42,000 lekë, 11,000-28,000 lekë dhe 7,000-14,000 lekë, ose për 1m2, një fermer paguan 0,7-0,42 qindarka/në vit.

Mungesë strukturash dhe mekanizmash

Por edhe pse kjo taksë është në vlera ”simbolike” nuk paguhet nga të gjithë ku përveç faktorëve që kanë ndikuar në mos vjeljen e kësaj takse, si lëvizja demografike, emigrimi (lëvizja) e popullsisë, gjendja e vështirë financiare e familjeve që trajtohen me ndihma ekonomike. Në mos vjeljen e kësaj takse ndikon mungesa e strukturave dhe mekanizmave dhe të mbledhjes dhe grumbullimit të taksave dhe tarifave vendore. Mos pagesa e taksës së tokës bëhet më evidente me bashkimin dhe kalimin e taksave Bashkive të mëdha, ku nga auditimet e KLSH-së, ka rezultuar se nuk janë hapur dhe evidentuar regjistrat për pagesën e taksës së tokës. Nuk janë pajisur fermerët (familjarët) me libreza për pagesën vjetore të taksës së tokës, duke u bërë shkak për “abuzime”, si mos azhornimi rregullisht i pagesave apo edhe mos pasqyrimi i tyre në dokumentet financiare, duke kaluar vitet vështirësohen edhe përcaktimi i personave përgjegjës. Në mjaft njësi të vetëqeverisjes vendore nuk mblidhet taksa vendore, si p.sh. në ish- Komunën Velipojë (aktualisht njësi administrative në vartësi të Bashkisë së Shkodrës), nga auditimi i KLSH ka rezultuar se 57 subjekte private megjithëse kanë administruar vendosjen e çadrave në plazhin e Velipojës, nuk kanë arkëtuar vlerën prej 14,162,400 lekë. Po kështu edhe shëtitorja e plazhit në ish-Komunën e Velipojës, me sipërfaqe prej 3,300 m2 është përdorur nga privatët për ushtrim veprimtarie private tregtie duke mos arkëtuar detyrimet tatimore në vlerën 15,840,000 lekë. Në Bashkinë e Hasit nuk është paguar asnjë lekë për taksën e tokës edhe pse gjithë sipërfaqja e tokës prej mijëra ha e ish-NB Krume dhe Fajza është lëne “djerr” apo një pjesë e tyre shfrytëzohen pa të drejtë nga individë zaptues të tokës apo ndërtesave. Po kështu debitorë për taksën e tokës ka në ish-komuna Vërtop 997 fermerë në vlerën 13,499,000 lekë dhe ish-komuna Terpan 1185 fermerë për vlerën 29,21,000 lekë (të dyja këto ish-komuna detyrimet i kanë transferuar për tu ndjekur nga Bashkia e Poliçanit). E kundërta ndodh në Bashkinë e Dropullit ku nuk ka asnjë fermer debitor për pagesën e taksës tokës. Në bazë të nenit 6 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar, subjektet e parashikuara me ligje të veçanta përjashtohen nga taksat e drejtpërdrejta. Në përputhje me këtë nen, nga taksa e tokës bujqësore përjashtohen invalidët e punës. Sipas pikës 3 të nenit 23, të ligjit të sipërcituar, nga taksa e tokës bujqësore përjashtohen për 5 vite nga momenti i mbjelljes, tokat bujqësore që mbillen me kultura drufrutore dhe tokat bujqësore që mbillen me vreshtari. Këshilli i bashkisë vendos për lehtësimin ose përjashtimin nga taksa të personave nën minimumin jetik bazuar në kriteret kombëtare të vlerësimit të këtij minimumi.

Taksa e popullatës

Së dyti: Mbi taksat e popullatës (taksa mbi ndërtesat e banesave vetjake, tarifave të pastrimit, gjelbërimit etj.). Nga auditimi rezulton se në mjaft bashki nuk paguhen taksat mbi ndërtesat (banesa vetjake). Nga ana e administratave tatimore të bashkive nuk u bëhen njoftimet me shkrim tatimpaguesve familjarë për të paguar detyrimin tatimor të miratuar nga Këshilli Bashkiak, nëpërmjet dërgimit të Njoftim Vlerësimit me anë të zyrës postare për të gjitha llojet dhe shumën e taksave të papaguara, si taksën e tokës, banesave dhe tarifat e pastrimit, gjelbërimit, etj. Megjithëse në udhëzimet plotësuese të buxheteve për secilin vit është vendosur si paragraf më vete detyrimi për të njoftuar tatimpaguesit familjarë për pagesën e taksave dhe konkretisht në pikën 71, të udhëzimit plotësues të Ministrisë së Financave nr. 01, datë 15.01.2016 “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2016”, por kjo nuk njihet apo neglizhohet nga administratat tatimore të bashkive. Edhe pse bashkitë kanë mazhorancën e aksioneve në Ujësjellës sh.a, duke caktuar dhe paguar në këshillat mbikëqyrës nga 2-3 persona. Ndërkohë nuk është bërë e mundur lidhja e një marrëveshje për caktimin e Ujësjellësit si agjent tatimor me qëllim implementimin e pagesës së taksave vendore së bashku me faturat e ujit të pijshëm, marrëveshje e cila do të rriste arkëtimin e taksave vendore dhe do rigjenerojë të ardhura për bashkitë (e zbatuar kjo nga mjaft bashki si: Pogradeci, Korça, dhe së fundi Vlora etj, të cilat nga taksat e popullatës arkëtojnë mbi 90% të tyre ose nga 50-60,000,000 lekë/vit). Edhe pse ekziston kuadri ligjor për caktimin e agjentit tatimor, por ai pak njihet dhe konkretisht ligji nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar, neni 5, “Rregulla të përbashkëta për taksat vendore”, ku parashikohet se, Këshilli i Bashkisë, sipas shkronjës II përcakton mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjella; neni 7 i ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore” i ndryshuar dhe pika 7.1, e udhëzimit të Ministrisë së Financave, nr. 24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore” i ndryshuar. Në mos mbledhjen dhe grumbullimin e taksave dhe tarifave vendore ndikon dhe mungesa e strukturave apo mekanizmave përkatëse për realizimin e tyre.

Taksat e tjera

Së treti: Mbi mos pagesën dhe vjeljen e tarifave për sipërfaqet pyjore, kullotë, apo toka të tjera inproduktive në administrim të pushtetit vendor, kjo bazuar në lejet minerare apo koncesionare të dhëna nga pushteti qendror. Nga të dhënat e marra në faqen zyrtare elektronike të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë rezulton se në vitin 2016, në 36 rrethet në shkallë vendi janë dhënë 643 lejë minerare, për shfrytëzim nxjerrje minerale të ndryshme si krom, bakër, hekur nikel, nxjerrje gurë gëlqerore, etj. Shpërndarja e tyre në shkallë vendi është respektivisht: Bulqiza 131 lejë, Berati 42, Kukësi, Librazhdi, Saranda, Tepelena, Tirana, Tropoja, Vlora,Elbasani nga 28-31 lejë minerare etj. Sipas Ligjit Minerar të RSH, subjektet të cilët janë pajisur me lejë minerare duhet të paguajnë rentën minerare për produktet e shitura brenda vendit apo mbi eksportin. Vjelja e kësaj takse kryhet nga Drejtoritë Rajonale të Tatimeve dhe Drejtoritë Rajonale të Doganave sipas procedurave të përcaktuara ne ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar. Bazuar në këto shitje pjesa e përqindjes të rentës minerare që i takon pushtetit vendor autorizohet nga Ministria e Financave. Por me këtë rast duhet të ngre një shqetësim edhe si qytetar, si taksapagues edhe si auditues shtetëror i KLSH-së. Pavarësisht se subjektet kanë përfituar të drejtën e një leje minerare apo koncesioni sipas legjislacionit në fuqi për derisa aktivitetin për shfrytëzimin e mineralit e ushtron nëntokë, por njëherazi lind detyrim të paguash taksë për sipërfaqen e zënë. P.sh. leja minerare, për shfrytëzimin e bitumit Bashkia e Selenicës është bërë nga pushteti qendror nëpërmjet strukturave të ministrisë së linjës, por me të drejtë Bashkia e Selenicës ka lidhur kontratë për pagesën e taksës së zënies dhe shfrytëzimi të shesh depozitimit të bitumit të nxjerrë në sipërfaqe nëntokë, pasi kjo sipërfaqe realisht është e domosdoshme dhe shfrytëzohet nga përdoruesi i lejes minerare. Bazuar në këto kontrata Bashkia e Selenicës arkëton të ardhura me miliona lekë në vit por në krahasim me sipërfaqen prej 300 ha e cila shfrytëzohet për nxjerrjen e zhavorrit bituminoz, Bashkia e Selenicës duhet të rriste të ardhurat edhe me disa mijëra euro/vit.

643 përdoruesit e lejeve minerare, pa paguar asnjë taksë
Atëherë lind pyetja, a kanë paguar taksat vendore 643 përdo
ruesit e lejeve minerare apo për nxjerrjen në gurore për sipërfaqen në shkallë vendi prej 150,801 ha, përgjigja është Jo. Edhe pse ligji minerar nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në RSH”, i ndryshuar, neni 36, detyrimet e përgjithshme gjatë ushtrimit të veprimtarisë minerare pika 15. parashikon se: Subjekti i pajisur me leje minerare duhet të paraqesë çdo vit raportin mbi pagesat për taksat vendore dhe kombëtare. Por këto vërtetime ose nuk janë marrë nga pushteti vendor ose janë marrë “fallco”. Nga kompanitë të cilat janë pajisur me lejë minerare nuk është kryer transparencë për pagesën e taksave duke mos zbatuar pikat 4 dhe 5 të VKM-së nr. 233, datë 23.03.2011 “Për miratimin e formës së raporteve të mënyrës së botimit të të dhënave për pagesat e taksave vendore dhe kombëtare në sektorin minerar të R. SH si dhe nivelit të konfidecialitetit në kuadër të nismës për transparencë në industrisë nxjerrëse. Kjo vjen edhe nga mos kontrollet që kryen AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Minerare), duke mos zbatuar pikën 9 të VKM nr. 233, datë 23.03.2011. Nuk e dimë se si janë hartuar relacionet vjetore për pagesën e taksave vendore kur pothuajse 20 subjektet të cilat janë pajisur me lejë minerare në territorin e Bashkisë së Hasit me vite nuk kanë paguar taksat vendore. Nga auditimi i KLSH-së në Bashkinë e Hasit rezulton se mbi 17 përdorues të lejes minerare për periudhën 3-vjeçare 2013-2015 nuk kanë paguar taksat vendore në ish-Komunën Golaj në shumën 5,500,000 lekë. Ndërsa për pagesat e tarifave të tjera për zënien e hapësirës publike nuk janë paguar ose kanë paguar në vlera simbolike. Pa përmendur që vendburimet dhe galeritë janë lënë të hapura dhe me mundësi rreziku për njerëzit apo kafshët. 

Detyrimet që burojnë nga VKM

Bazuar në VKM nr. 1064, datë 22.12.2010 “Për disa ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 391, datë 21.06.2006, Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”, Gazeta Zyrtare nr 185, Dhjetor 2010, subjektet e pajisura me lejë minerare apo gurore duhet të paguajnë tarifat e përcaktuara në VKM e mësipërm dhe konkretisht:
Lidhja nr. 6: Për nxjerrje, prodhim dhe depozitim materialesh inerte, direket nga sipërfaqja (karierë) gurore me afat leje përdorim 6-10 vjet, tokë in produktive me tarifën 440.000 lekë/ha/vit.
Lidhja nr. 7: Për vendosje antene të telefonisë fikse të lëvizshme, televizive, radio –komunikimi, sipas llojit tokës pyjore me afat kontrate 6-10 vjet me tarifën 10,000,000 lekë/ha /vit.
Lidhja nr. 9: Për kryerjen e operacioneve të kërkim zbulimit hidrokarbure, gjeologjike e minerare, uji, vendosje objektesh të ndryshme në ndihmëse në sipërfaqe me afat leje përdorimi 6-10 vjet sipërfaqe pyll shkurre me tarifën 78,000 lekë/ha/vit.
Lidhja nr.14: Vendosje kaminash për prodhim qymyr druri dhe eshkës së kovaçit, furrë gëlqereje, sheshe për depozitimin e përkohshëm të materialeve të ndryshme (pika transiti) tokë me bimësi pyjore djerr me tarifën 250,000 lekë/ha/vit. etj.
Por nga auditimet që ka kryer KLSH në Bashkinë e Skraparit dhe Hasit rezulton se në këto dy rrethe, janë pajisur me lejë minerare dhe ushtrojnë aktivitetin respektivisht në rrethin e Skraparit 23 subjekte në një sipërfaqe prej 86,882 ha, ndërkohë nuk i kanë paguar tarifat përkatëse pranë Bashkisë së Skraparit. Po kështu edhe në territorin e Bashkisë së Hasit janë pajisur me leje minerare dhe ushtrojnë aktivitetin 23 subjekte me një sipërfaqe prej 963 ha ndërkohë që kanë paguar tarifat përkatëse në vlera të papërfillshme. Gjatë auditimit është konstatuar se, edhe pse subjektet janë pajisur me lejë minerare, por nga ana e Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës dhe Ministrisë së Mjedisit nuk janë kryer vlerësimet dhe kryer veprimet për heqjen e sipërfaqes nga fondi pyjore të marrë për shfrytëzim sipas lejes minerare dhe kalimi këtij fondi pushtetit vendor. Pra ky fond toke u kalon bashkive, të cilat në marrëveshje me subjektin e pajisur me lejë minerare lidh kontratë për shfrytëzimin e sipërfaqes tokë pyjore. 

Mosnjohja e kuadrit ligjor

Sipas përllogaritjeve me tarifat në fuqi rezulton se nëse do të kalonte i gjithë fondi pyjor mund të rriteshin të ardhurat e bashkive në disa milionë euro në vit. Kjo ka ardhur edhe nga mos njohja nga kompanitë minerare dhe pushtetit vendor të kuadrit ligjor në fuqi, pasi kërkesën për heqjen e një sipërfaqeje nga fondi pyjor dhe kullosor, personat fizike ose juridike apo organet e qeverisjes vendore për pyjet komunale, e paraqesin në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave e përcaktuar kjo në dispozitat ligjor dhe nënligjore respektivisht:
1. Ligji nr. 9693, datë 19.03.2007 ”Për fondin kullosor” të ndryshuar;
2. Ligji nr. 9385, datë 04.05.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor” të ndryshuar;
3. VKM nr. 1354, datë 10.10. 2008 “Për rregullat dhe procedurat që ndiqen për heqjen, shtimin dhe ndryshimin e destinacionit të fondit kullosor ”;
4. VKM nr. 1353, datë 10.10.2008 “Për rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, kriterit dhe procedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor”.
Po kështu mund të sjellim në vëmendje edhe se nga 100 kontratat e miratuara me VKM për koncesionet e HEC, qeveria i ka parë me përparësi këto koncesione dhe një pjesë e tyre kanë përfunduar dhe prodhojnë dhe shesin energji, atëherë pse të mos paguajnë taksat vendore dhe tarifën e zënies së hapësirës për pushtetin vendor? Për pagesën e taksave dhe tarifave vendore për 643 subjektet e pajisura me lejë shfrytëzimi për nxjerrje mineralesh apo guri gëlqeror dhe 100 koncesionet për HEC-et, për periudhën në vijim, nga KLSH do të vazhdojnë auditimet dhe do t’i rekomandohen ministrisë së linjës dhe Ministrisë së Financave edhe përmirësimet e nevojshme ligjore.
Kryeauditues i KLSH në Departamentin e Buxhetit të Pushtetit Vendor
Sigal