Reforma, administrata e mbushur me të paaftë edhe të korruptuar

530
Sigal

Konkurset formale. Rekrutohen në punë militantë e jo profesionistë, në vend të të aftëve

Shpesh në takime politike dhe ato publike po përsëritet shpesh refreni monoton “po kryhen reformat në institucionet dhe ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme”. Dhe në fakt këtë domosdoshmëri e kërkon jo vetëm titullari apo zyrtari që ka ardhur i mandatuar nga forca politike fituese në zgjedhjet të 23 qershorit 2013, por edhe nevoja e mbushjes së mungesës së profesionalizmit në shumë zyra dhe struktura të institucioneve të shtetit. Në Durrës nevoja dhe mungesa e reformave dhe zbatimi i kritereve ligjore dhe profesionale ka kohë që është bërë nevojë urgjente në gati shumicën e institucioneve të shtetit si në Portin Detar, Hekurudhë, Arsim, Shëndetësi, Kapiteneri, Polici, Bujqësi, Prefekturë dhe ndërmarrjet e tjera si KESH apo Ujësjellës. Nevojë urgjente për reformë të thellë ka sot edhe në disa organizma, të cilat bashkëpunojnë me donatorë të fuqishëm që zënë pjesën më të madhe të investimeve në infrastrukturë dhe shërbimet publike. Por reformimi  administratës kërkon zbatimin e procedurave ligjore dhe kritereve  profesionale, pa të cilat gjithçka bëhet është e gabueshme dhe rëndon mbi xhepat e taksapaguesve dhe buxhetin e shtetit. Qysh prej 1 viti, 8 muajsh në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet nacionale të Durrësit nuk shihet të ndodhë qoftë edhe lëvizja më e vogël për t’u justifikuar faktin se, “po bëjmë reformë”. Po bëhet vetëm largim dhe emërim sipas interesave. Kjo mbetet e vërtetë aq sa mbetet e vërtetë edhe akuzat që ngrihen sot ndaj drejtuesve të rinj. Ka shumë zyrtarë të rinj drejtues që në kundërshtim me ligjin dhe Kodin e Punës e kanë kthyer gjithçka në çifligun e tyre. Vendet e specialistëve dhe profesionistëve po e zënë anëtarë aktivë të komisioneve zgjedhore, ka prej tyre që në ndihmë të fushatës së kandidatëve socialistë kanë vënë gjithçka. Duke folur me dy prej drejtuesve të rinj, dëgjova nga goja e tyre se “reformat tona bëhen nga rekomandimet e ministrave dhe kryetarëve të PS-ve”. Por kjo mund të jetë arsyeja e radhës për “zbatimin e reformave” në administratë, të paktën në Durrës. Duke pretenduar se, “jemi të ligjshëm”, ata nuk fshehin edhe faktin se pritja e gjatë 8- vjeçare na ka bërë të jemi të verbër duke mos zbatuar as ligjet”. Në Durrës ata që kontribuuan me përkushtimin e tyre jo vetëm gjatë fushatës, por gjatë gjithë fushatave në 8 vjet opozitë, sot janë akoma “në hije”, pasi emërimet bëhen me para dhe rekomandimet e ministrave. Ato që sot po quhen rëndom “reforma në administratë”, veç imazhit negativ po krijojnë edhe ngërçin në zbatimin e vendimeve të gjykatave. Vetëm një fakt mjafton të përmendim se, deri në qershor 2014, në Durrës janë flakur në rrugë rreth 2118 zyrtarë e specialistë nga të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet nacionale. Ndoshta vetëm kaq mjafton për të qenë të justifikuar në përfundimin logjik se, “reformimi” që sot po bëjnë drejtuesit e rinj nuk ka asgjë të përbashkët me zbatimin e ligjit dhe Kodit të Punës,  fakte të cilat komprometojnë gjithë procesin qeverisës nga qendra deri në bazë.

Artur AJAZI