Referendumin kombëtar për ligjin e dënimit me vdekje

1342
Sigal

Intelektualët dhe juristët hapin debatin e madh për stabilitetin e rendit publik 

Duket se shoqëria shqiptare tani ndodhet në një gjendje të rëndë nokdauni dhe pret shpëtim nga politikanët dhe intelektualët e vet. Aktualisht për shkak të vrasjeve të shumta, që ka përfshirë, të gjitha moshat, pozitat, sekset, apo postet, dilema duhet zgjidhur nëpërmjet iniciativave të shoqërisë civile, dhe jo të politikanëve, apo deputetëve. Pra, ka ardhur koha që fatin e shqiptarëve ta marrin në dorë personalitetet më të spikatur të fushave të ndryshme, të cilët kanë si obligim të jetës së tyre stabilitetin e rendit shoqëror. Në fakt, rikthimi i dënimit me vdekje, aktualisht nuk është vetëm një iluzion i tejkaluar, por edhe një alternativë që po kërkohet nga shtresat e ndryshme shoqërore. Shumica e shqiptarëve janë të bindur se rikthimi i këtij dënimi do të ndikojë pozitivisht në uljen e kriminalitetit në vendin tonë. Deri tani për rikthimin  e këtij dënimi janë shprehur shumë parti, si Partia e Legalitetit, republikane, Aleanca Kuqezi, Balli Kombëtar, Partia e Punës  e Shqipërisë, Partia Komuniste e kështu me radhë. Madje, një nga mbrojtësit më të mëdhenj për rikthimin e dënimit me vdekje ka qenë Sabri Godo, i cili insistonte se realiteti shqiptar e ka hak, një ligj për dënimin me vdekje, sepse ndryshe shoqëria do të destabilizohej. Dhe ashtu ndodhi. Por pavarësisht nga kjo, shoqëria shqiptare duhet të shfrytëzojë legjislacionin aktual, duke luftuar deformacionet e dhe mafien politike, apo atë kriminale. Më poshtë po japim të plota gjykimet e një grupi specialistësh dhe intelektualësh të njohur shqiptar, në lidhje me këtë argument.

Saimir Vishaj, kryetari i Avokatëve Penalistë: “Jemi kundër dënimit me vdekje”

Ne, si Dhomë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, jemi kundër rikthimit të dënimit me vdekje. Ndryshimet e reja në Kodin Penal kanë sjellë dënime alternative.  Tani ne kemi dënime me 35 vjet burg, për kryerjen e veprave shumë të rënda penale, vendime që nuk janë të rishikueshme nga gjykatat, por janë të formës së prerë. Ne kemi dënime që ka sanksione shumë të ashpra, në krahasim edhe me vendet e Europës. Nëse edhe dënimi me 35 vjet burg, nuk sjell atë riedukim, për kryerjen e veprave të rënda penale, domethënë parandalimin e kryerjes të tyre, atëherë, nuk e besoj se dënimi me vdekje do t’i parandalonte. Kodi ynë Penal e ka rritur standardin e  Europës.

Idajet Beqiri, Kryetari i Forumit të Avokatëve për Drejtësi: “Jam kundër dënimit me vdekje”

Jo, jam kundër. Nëse punohet me përgjegjësi dhe ndershmëri, profesionalizëm dhe principialitet të lartë, nëse rritet shkalla e zbulimit të çdo krimi, nëse veprohet me tolerancë zero ndaj krimit dhe kriminelëve, burgimi i përjetshëm bën efektet më mirë se dënimi me vdekje. Jemi vend që aspirojmë BE-në, të cilat nuk e pranojnë dënimin me vdekje. Atëherë, kur burgimi i përjetshëm është për mia, si dënimi me vdekje, pse të kthehemi mbrapa?

Ndue Pjetra, Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion: Jam pro dënimit kapital

Duket, silur çështja e rivendosjes së dënimit me vdekje është tejkaluar dhe në pamjen e parë duket që nëse në drejtësi zhvillohet një luftë konsekuente kundër korrupsionit, atëherë ekuilibri shoqëror do të jetë normal. Për disa vëzhgues duket sikur ajo që prish drejtpeshimin, është pikërisht peshorja e drejtësisë, ku ka raste që një gjyqtar për dy akuza të njëjta në dy gjyqe jep vendime të ndryshme. Në fakt deri diku kjo është e vërtetë. Dhe kjo vjen nga fakti se në mes të sistemit të Drejtësisë ka kohë që është ulur këmbëkryq korrupsioni dhe veprimet mafioze. Nëse kjo luftë do të zhvillohet me sukses, atëherë edhe rezultatet do të jenë të padiskutueshme. Por megjithatë mendoj se dënimi me vdekje duhet të rikthehet.Do i shërbente frenimit të fenomenit të gjakmarrjes, që është kthyer në gangrenë.

 Prof. Dr. Myslim Pashaj: “Ka ardhur koha që dënimi me vdekje të rishikohet”

Nisur nga ngjarjet e fundit, të krimeve të rënda, mendoj se ka ardhur koha që Parlamenti ynë të shikojë e të gjykojë edhe një herë Kodin Penal dhe ligjin për dhënien e dënimit me vdekje, pasi gjërat po shkojnë në ekstremitet të paparashikuar dhe me pasoja të papërballueshme. Unë vetë do të isha “pro” rikthimit të dënimit me vdekje.

 Alfred Cako, ish- deputet dhe botues: Dënimi me vdekje forcon sistemin shoqëror

Pak a shumë kjo është një pyetje pak spekulative sepse, ne veprojmë në kuadër të BE-së dhe kjo çështje është një kusht në BE, pra nuk ka dënim me vdekje. Në këtë kuadër diskutimi do të ngelet në pikëpamje ligjore hipotetik, ose teorik. Si i djathtë që jam, mendoj se një shtet i fortë e me rend të admirueshëm nuk mund të vendoset pa një dënim kapital, ndaj atij që merr për shkaqe delikuence jetën e tjetrit, jetën që ka të drejtë të ta marrë vetëm Zoti dhe sipas këtij botëkuptimi, edhe ligji, apo shteti, por jo individi kriminel, i cili është i barabartë me viktimën e tij, në të drejtën për të jetuar, përballë Hyut. Edhe pse ka një justifikim mbarë evropian bazuar tek një ese statistikore të Albert Kamysë, sipas të cilës vendosja e dënimit kapital, nuk ul shkallën e krimit me marrjen e jetës së viktimave, unë përsëri mendoj se ky gjykim i Kamysë, edhe teorikisht nuk është i drejtë. Gjithsesi, gjykimi im i mësipërm është mbi baza morale dhe filozofike dhe në këtë këndvështrim synon të jetë edhe në dobi të rendit shoqëror, por unë nuk pretendoj të kem një qasje teknike juridike, se si duhet rregulluar në kode dhe anekse, për shkak të mungesës së dijeve të nevojshme të miat në fushën përkatëse.

Prof. Dr. Dëfrim Shkupi: Ai që vret, të vritet!

Unë mendoj se, debati për dënimin me vdekje është i tejkaluar tani që Shqipëria është në prag të integrimit, në BE. Dhe për shkak se në BE çështja e heqjes së dënimit me vdekje është një kusht, atëherë kjo as që mund të diskutohet. Por mendoj se ka ardhur koha që kjo çështje të merret në konsideratë për të gjetur zgjidhjet e duhura. Unë vetë, personalisht mendoj se, ai që vret, duhet të vritet nga shteti, nëpërmjet ligjit. Kjo përbën një rrugë zgjidhjeje edhe për rastet e uljes së numrit të familjeve në gjakmarrje.

  Elsa Ballauri: Dënimi me vdekje i përket së kaluarës

 Së pari, e çuditshme që duhet t’i rikthehemi çështjes së dënimit me vdekje. Vetë ideja e kthimit na bën të shohim prapa dhe të mos kemi më ambicie për të hyrë në Europën e Bashkuar. Heqja e dënimit me vdekje megjithëse u bë pa një përgatitje teorike dhe psikologjike të njerëzve, që u realizua pa një organizim të plotë dhe të arritur të infrastrukturës ligjore dhe të shërbimeve, ndodhi dhe për Shqipërinë me shumë probleme të së kaluarës së diktaturës, ku shteti kishte vepruar si një xhelat, duke dënuar ekstremisht, u mendua se ishte një veprim i domosdoshëm. Unë gjithmonë jam e mendimit se Shqipërinë, në aspektin e nivelit të krimit nuk është dëmtuar nga heqja e dënimit me vdekje, por nga pamundësia për të ndërtuar një shtet ligjor të fuqishëm. Mungesa e dënimit me vdekje nuk e dëmton, as e pengon dhe as e komprometon forcimin e gjykatave shqiptare, profesionalizmin, apo luftën kundër korrupsionit. Të gjitha këto janë tashmë, ashtu siç e dimë të gjithë. Duket sikur me dëshirën dhe iniciativën për ta rivendosur dënimin me vdekje, ne justifikojmë edhe njëherë më shumë, pasivitetin tonë, pamundësinë për të ndërtuar institucione të forta dhe paaftësinë për të luftuar korrupsionin.