Sigal

Ka përfunduar orari zyrtar i votimit për referendumin e emrit në Maqedoni. Që prej orës 7:00 të mëngjesit të sotëm, 1.8 milionë qytetarë të Republikës së Maqedonisë ishin thirrur në referendumin për çështjen e emrit. Ata ju përgjigjën pyetjes: A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 18.30, në votime kanë dalë reth 35 për qind e trupit të përgjithshëm votues. Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Oliver Derkovski, tha se procesi zgjedhor në përgjithësi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe demokratike përveç disa parregullsive në disa vendvotime ku janë ndërmarrë masa për zbardhjen e rasteve.

Ky votim është shumë i rëndësishëm dhe është paraprirë nga një seri vizitash të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian dhe NATO-s. Fitorja e “PO”-së në referendum zgjidh përfundimisht çështjen e konfiktit me Greqinë dhe i hap rrugën vendit për anëtarësim në NATO, e më pas në Bashkimin Europian.