Reduktimi i azilantëve, presion edhe nga Luksemburgu

560
Pas Francës, edhe Luksemburgu i vogël ka shprehur shqetësimin lidhur me shtimin e kërkesave për azil nga shqiptarët. Për këtë arsye, Rovena Voda, zv/ministrja e Punëve të Brendshme, bisedoi në një takim me ambasadoren e Luksemburgut, Nadia Ernzer. Çështje kryesore të bisedës ishin forcimi i bashkëpunimit dhe plani i masave për reduktimin e kërkesave për azil nga qytetarë shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian. Palët ranë dakord për të iniciuar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, për shkëmbimin e informacionit për çështjet e migracionit dhe azilit. Për sa i përket çështjes së azilkërkuesve minorenë, zv/ministrja Voda informoi ambasadoren Ernzer se deklarata noteriale shoqëruese që do të plotësohet nga prindërit, do të përmbajë të dhëna të detajuara. Ato do t’i dërgohen vendeve të interesuara, nëse do të ketë shkelje të afateve. Ajo theksoi se reforma në drejtësi pritet të përmirësojë aftësinë ndëshkuese të organeve ligjzbatuese edhe në kontekstin e këtij fenomeni. Gjithashtu, do të ketë dhe një fushatë intensive për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, për të mos shkelur rregullat e lëvizjes në zonën Shengen. Ambasadorja konfirmoi se Luksemburgu mbetet një ndër shtetet kryesore mbështetëse të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Sigal