Reduktimi i aksidenteve, kërkohet futja e Edukatës Rrugore në shkolla

536
Në të gjithë vendin, policia rrugore ka nisur sensibilizimin e nxënësve dhe të rinjve për rrezikun e aksidenteve. Efektivët kanë improvizuar situata me nxënësit, ndërkohë që gjatë bashkëbisedimit kanë kërkuar dhe futjen si lëndë në shkollë të Edukatës Rrugore.

Ky autobus me parulla dhe mesazhe për pasojat e aksidenteve rrugore, prej disa ditësh ka nisur një rrugëtim në të gjithë Shqipërinë.

Brenda tij, udhëtojnë drejtues të policisë rrugore dhe efektivë të policisë, të cilët ndalen në çdo qytet të vendit, për të shpërndarë mesazhe sensibilizuese për qytetarët dhe nxënësit e shkollave, të jenë më të kujdeshëm në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Në Lezhë, moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor është cilësuar shkaktari kryesor i aksidenteve, ndaj ekspertët e rrugores kanë kërkuar futjen si lëndë në shkollë të Edukates Rrugore.

Edhe në Berat, nxënësit janë njohur me rregullat dhe domosdoshmërinë e zbatimit të tyre për të reduktuar numrin e aksidenteve rrugore.

Për disa minuta nxënësit e shkollës artistike në Berat veshën uniformën e policit rrugor duke shoqëruar kalimtarët tek vijat e bardha apo kontrolluar dokumentacionin e mjeteve.

Nismës sensibilizuese për uljen e numrit të aksidenteve iu bashkua edhe Kukësi. Efektivë të policisë rrugore së bashku me nxënësit improvizuan situata në funksion të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sigal