Rebelohet Shpëtim Gjika: Qeveria e Tiranës, anashkalon Vlorën e Flamurit

524
Sigal

Kryebashkiaku i Vlorës: Të bashkohemi dhe të kontribuojmë për të festuar 100 -vjetorin e Pavarësisë

Një kërkesë e kryetarit të degës së PD në Vlorë Ardian Kollozi, për një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, për të dëgjuar Kryebashkiakun se çfarë masash janë marrë për festimin e 100- vjetorit të Pavarësisë, ka ndezur konfliktin në qytetin e Vlorës. Ndërsa pritej një afrim e bashkëpunim mes partive politike, biznesit e komunitetit, për të kremtuar ngjarjen e madhe që i ka themelet në Vlorë, por që i përket Kombit, gjuha e ashpër mes palëve e ka thelluar më tej ndarjen. Në një konferencë shtypi kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, i bën me dije vlonjatëve, madje të gjithë shqiptarëve, situatën ekonomike të bashkisë, ku janë ndërprerë grandet, anashkalimi i festës së 100 -vjetorit nga Qeveria e Sali Berishës, duke mos akorduar asnjë qindarkë për Vlorën, duke i cilësuar si pengesa e sabotime për të organizuar një kremtim dinjitoz të kësaj ngjarje të madhe, që mbush një shekull më 28 Nëntor. Gjika u shpreh: “Kur duhen më pas se dy muaj nga festimi i 100- vjetorit të Pavarësisë, më duhet të them me keqardhje se Vlora duket se është përjashtuar plotësisht nga axhenda e Qeverisë, se mungon çdo lloj komunikimi dhe ndërveprimi, se nuk ka asnjë projekt sado i vogël që të përfshijë qytetin në këto kremtime prej Qeverisë së Tiranës. Në mënyrë të turpshme dhe të pashpjegueshme, Sali Berisha, jo vetëm nuk ka akorduar asnjë grant financiar, por ka ndërprerë edhe financimet vjetore, që Bashkia e Vlorës ka marrë ndër vite prej buxhetit të shtetit. Ka të ngjarë që Vlora të anashkalohet për efekte politike.

Thirrje

Kryebashkiaku Gjika ju drejtohet me këtë thirrje, bashkëqytetarëve dhe shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë. “Ky çast i madh për të gjithë shqiptarët, është çasti i kontributit tonë më të madh shpirtëror e kombëtar, është çasti për t’i thënë Po, Flamurit tonë atdhetar, kulturor, historik e njerëzor. Koha që po kalojmë. Po na përball me sfida të mëdha, sa ekonomike, aq dhe sociale e politike. Ndaj më shumë se kurrë, dita e madhe e Flamurit, kërkon që ne të kontribuojmë të gjithë së bashku, për të festuar me krenari ditëlindjen e 100-vjetorit të historisë sonë moderne, për t’i dhënë dinjitetin dhe entuziazëm. Ne jemi krenarë që jetojmë në Vlorën tonë, ku një shekull më parë lindi shteti shqiptar, u shpall Pavarësia e Shqipërisë, që është një krenari për të gjithë shqiptarët”.