Rebelohen socialistët e Qarkut të Dibrës, LSI na zaptoi vendet e punës

541
Sigal

Partia Socialiste ka kundërshtuar ndarjen duke e quajtur të padrejtë, sepse LSI ka vetëm 1 mandat deputeti

Këto ditë në Qarkun e Dibrës janë ndarë postet qeverisëse midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku kjo e fundit edhe pse ka vetëm 1 mandat deputeti në këtë qark ka marr postet më të rëndësishme, kjo e cilësuar nga vetë socialistët, të cilët janë rebeluar pasi kanë mësuar ndarjen e drejtorive. Kështu sipas burimeve LSI ka marr në Qarkun e Dibrës, prefekturën, drejtorinë arsimore, zyrën e postës dhe shëndetësinë. Nga emërimet e fundit drejtor i postës është vënë, Artur Myftari, kushëriri i deputetit të LSI, i cili më parë ka qenë anëtarë i Këshillit Bashkiak në Bulqizë, ku përfaqësonte Partinë e Ballit Kombëtar. Emri i këtij personi është i lakuar edhe për ndërtime të pa ligjshme, siç janë edhe nxjerrja e shkallëve në trotuar, ku si pasojë edhe aksidentet nuk kanë munduar. Ndërtimet pa leje në këtë qytet i kanë kryer një grusht njerëzish të lidhur me njëri-tjetrin e sigurisht të veshur me pushtet. E sipas qytetarëve edhe pse janë zaptuar tualetet publike të qytetit, lulishtet dhe trotuaret askush nuk merr masa për prishjen e tyre, sepse pas fshihen deputetët, e persona të tjerë me potencial politik. Përveç këtyre zaptimeve që sapo cilësuam, deputetët e LSI, sipas socialistëve kanë zaptuar edhe minierat e kromit dhe këto firma që operojnë aty në tetë vjet nuk kanë siguruar asnjë punëtorë dhe ky është një problem shumë i madh, por që realisht kalohet në qetësi si nga pushtetarët e Majtë ashtu edhe nga ata të Djathtë.

Mbledhjet e socialistëve

Në mbledhjet e fundit që bënë drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Socialiste në Burrel, Peshkopi dhe Bulqizë ata janë shprehur me tone negative për sa i përket ndarjes së posteve në Qarkun e Dibrës. Sipas tyre, Partia Socialiste ka 2 mandate deputeti dhe për këtë arsye i takonte më shumë, diku te 60 apo 70 për qind e vendeve të punës në administratë. Ata në këto mbledhje kanë kundërshtuar ndarjen 50-50 për qind, duke e quajtur të padrejtë, sepse LSI ka vetëm 1 mandat deputeti dhe përpos kësaj mori postet më të rëndësishme dhe në to po punëson njerëzit e vetë. Kështu sipas socialistëve të Qarkut të Dibrës në pushtetin lokal po punësohen më shumë simpatizantët e LSI-së sesa ata që kanë luftuar dhe kanë pritur për vite me radhë këtë ditë. Socialistët shprehen se koalicioni duhet respektuar dhe për një qeverise sa më demokratike duhen ruajtur balancat e nuk duhet kaluar në abuzivitet. Madje, edhe kazinotë dhe lojërat e fatit janë të po këtyre pushtetarëve, të cilët kanë zaptuar çdo gjë të vlefshme.